Fundamenti

Shkolla nuk është arenë për rrahje e perfiditet

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Nexhat Buzuku- Inatet partiake, politike, klanore, farefisnore dhe mentaliteti i mykur e patriarkal e provincial nuk duhet të barten në shkolla, sepse cenojnë edukimin dhe kulturimin e brezit të ri, edhe vizonin e perspektivën e tyre për të ardhmen.

Aty ku merret edukimi dhe dituria, aty ku prej 2500 vitesh, e te ne një kohëgjatësi më e shkurtër e historisë dhe e përvojës arsimore, mëtohet të ngritet shkalla e dijes dhe njeriu të zgjerojë dimensionet diturore, e me këtë t’ia lehtësojë vetes jetesën, aty nuk është vendi i rrahjes, as i konflikteve, as i urrejtjes dhe xhelozisë, i klaneve e kastave, perfiditetit e mentalitetit të mykur.

Inatet partiake, klanore, farefisnore dhe mentaliteti i mykur e patriarkal nuk duhet të barten në shkolla, aq më keq të prodhohen e krijohen aty. Ka edhe në shkolla të tjera koka të nxehta, që nganjëherë nuk e kontrollojnë veten as sjelljet dhe veprimet e tyre. Madje, të tillët, krahas cektësisë intelektuale, që e manifestojnë edhe në orët e mësimit, ku më shumë merren me të tjerë mësimdhënës, e duke lavdëruar veten e tyre, përgojimin, denigrimin dhe perfiditetin e tipit udbesk e kanë model të (mos)punës së tyre në shkolla.

Prandaj, incidentet në shkolla, si ky i fundit në një shkollë të qytetit të Gjilanit, duhet të mos përsëriten, sepse nuk janë të arsyeshme, as të pranueshme, pavarësisht nxitësit, shkaktuesit apo burimit të tyre. Kush mund të pranojë në opinionin e nxënësve, por edhe jashtë shkollës, se ky apo ai ka më pak apo më shumë faj. Është e kuptueshme se për konflikt duhen së paku dy persona, por cilido që të jetë nxitësi, si në rastin e shkollës ku ndodhi rasti, faji dhe përgjegjësia bie mbi të dy.

Këtu e në këtë rast nuk ndihmojnë as komunikatat komunale as ato partiake, as politike, as turrjet dhe yryshet, siç thotë një fjalë e mençur e popullit, për ta arsyetuar njërin duke e denigruar, satanizuar e stigmatizuar tjetrin, deri në përmasat e vendosjes në kryq të njërit apo tjetrit.

Këso rastesh ndodhin. Këtu nuk ndihmon ekzagjerimi i rastit, a mohimi i tij. Ngahera akumulimi i energjisë negative shpërthen në dhunë, në dhunë verbale (fjalosje represive, qasje depresive dhe presion psikologjik), ose edhe në dhunë fizike, por kurrë nuk dihet me saktësi se në çfarë shkalle dhe kur e ku kanalizohet.

Situatat konfliktuoze, gjendja emocionuese dhe frustrimi në momente afektive, që mund të jenë pozitive dhe negative, i paraprijnë shpërthimit të dhunshëm, që nuk mund të vetfrenohet pa ndërhyrjen e të tjerëve në parandalimin ose lokalizimin e situatave tensionuese ndërindividuale.

Mirëpo, ajo që brengos është politizimi i problemit, duke provuar për ta kthyer në çështje politike. Aq më keq që në këtë konflikt e involvojnë një personalitet historik, një ish-president që as ishte i dhunshëm, as urrente, po ishte aq i urtë e aq paqësor, sa do të habitej e lemeritej po të ishte gjallë dhe të dëgjonte se diku, në një vend e një shkollë, emri i tij, figura e tij apo fotoja e tij, qoftë një portret i bërë nga nxënësit, të merrej si pretekst, alibi, burim a nxitës i konfliktit mes dy burrash, njëri mësimdhënës e edukator dhe tjetri drejtor, edhe ai edukator dhe arsimues.

As njëri as tjetri nuk duhej të merreshin me foton e ish-presidentit. Nëse ajo ka qenë në mur, nuk ka guxuar moralisht, njerëzish e kombëtarisht të largohej nga aty, si tregon arsimtari se konflikti ka shpërthyer shkaku i heqjes së fotografisë. E, nëse nuk ka qenë fotoja, siç ka deklaruar drejtori i shkollës, por vetëm është shfrytëzuar për konsum ditor politik dhe arsyetim para opinionit publik, as kjo nuk është e sinqertë.

Mirëpo, si do që të ketë qenë, punëtorët e kësaj shkolle duhet të reflektojnë pozitivitet dhe dy të konfliktuarit duhet të mirëkuptohen, duhet pa fryrje muskujsh e akuzash e kundërakuzash të kuptojnë se ka qenë një moment i afeksionit që duhet riparuar sa më shpejt dhe t’i kthehen punës dhe mësimdhënies e menaxhimit të shkollës.

Hidromorava

Fundja, në prag të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, nuk mund të pranohet nga publiku asnjë arsyetim për shkaktarin apo burimin e nxitësin e konfliktit, se po tingëllon vulgare dhe e nivelit të ulët për dy njerëz të arsimit të përdorim termin rrahje. Secili nga palët e konfliktuara duhet t’i dijë e respektojë përgjegjësitë që ka.

Drejtori mbikëqyrë mbarëvajtjen e procesit edukativ dhe arsimor, duke përfshirë nxënësit dhe mësimdhënësit, pra raportet midis subjektesh nxënës – mësimdhënës dhe anasjelltas, duke pasur në fokus avancimin e marrëdhënieve të mira e pozitive në shkollë dhe me shkollën, në të gjitha relacionet, pa anime, pa linçime të akëcilit, pa grupacione me prapavijë e hije partiake dhe farefisnore.

Dhe, mësimdhënësi pa xhelozi se ka qenë drejtor të anashkalojë apo nënvlerësojë përgjegjësitë që ka drejtori i shkollës, i cili është aty për të vënë në jetë e në zbatim respektimin e normës arsimore, dhe pikënisje patjetër ka nivelin e kierarkisë që ia jep ligji me faktin se është drejtor, dhe vet termi po të zbërthehet çon në konkludimin se ai menaxhon me shkollën, dhe duhet të përfillet ky parim. Edhe drejtori dhe mësimdhënësi duhej trajtuar problemin, cilido që të ketë qenë ai, me gjakftohtësi, me urti e me marrëveshje.

Mënyra se si i janë qasur zgjidhjes së problemit, qoftë ai minor dhe i papeshë, që shpeshherë jemi të prirur që nga hiçi të prodhojmë e krijojmë problem e të bëjmë çështje, që pastaj disa ditë të endet në biseda, komente, dialogje, e të marr dimensione komike sa as ata që e kanë bërë të mos besojnë se çfarë paskan bërë në të vërtet, ka qenë tërësisht e papranueshme.

Teoritë sociologjike dhe psikologjike japin interpretime të përafërta se në rastet konfliktuoze fjala është për agresivitet që manifestohet në reagime agresive të individit, i cili është penguar ose është sulmuar në plotësimin a realizimin e motivit të tij, çfarëdo që të jetë ai, e në këtë rast nuk ka si të jetë tjetër veç atij për t’u dalluar në diçka. Shfaqjet agresive mund të nxiten nga mjedisi, të stimulohen nga depresioni që buron nga ndjenja e vetpërgjegjësisë së projektuar a të motivit të vetafirmimit në mjedisin social, por nuk përjashtohet as shpërthimi i energjisë negative të akumuluar.

Duke qenë pjesë e mjedisit të caktuar shoqëror, individi bart ide, prirje, qasje, pikëpamje që përbëjnë mentalitetin jo gjithmonë të specifikuar dhe të ndërtuar në përputhje me normat dhe rregullat e mirësjelljes në raport me të tjerët.

Prandaj, konflikti ndërpersonal në një shkollë qyteti ka shpërfaqur mungesën e etikës shkollore, edhe intelektuale, por edhe krizë të personalitetit te të konfliktuarit, që duhet tejkaluar me durim dhe në frymë edukative dhe kulturore, së paku për të rikthyer ndjenjën e besimit se shkollat janë institucione edukative e arsimore, madje edhe më shumë, sepse mbjellin farën e diturisë, emancipimit dhe kulturën për veten, tjetrin dhe shoqërinë.

Nuk ia vlen që nga ky rast të krijojmë përgjithësim apo gjeneralizim se shkollat tona janë shndërruar në arena kusuritjesh fizike për gjëra, pothuaj, banale, madje në një kohë e moment të veçantë të historisë e kombit tonë.

Secili i takon një rrethi social, sepse njeriu ndryshe nuk do të ishte një qenie shoqërore, ose siç e quante Aristoteli një “Zoon politikon” – (…”Njeriu është kafshë shoqërore”…), dhe gjithsecili duhet të sillet në përputhje me normat shoqërore, edhe në harmoni me normat e institucionit – shkollës. Burrat përshëndesin, e frikacakët kërcënojnë e godasin.