RCCOLA

Sherri i Ramushit

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Kryeministri Ramush Haradinaj iu shmang përgjegjësisë kushtetuese që të udhëheq dialogun me Serbinë dhe provoi që këtë ta kompensojë me një ekip negociator, që doli të jetë antikushtetues. Qeverisja nuk është fontanë dëshirash dhe vendi nuk mund të pësojë sherri i aventurave të tilla.

Tha se kishte mjaft punë për të bërë dhe se dialogun me Serbinë po ia dorëzonte presidentit Hashim Thaçi. Thua se po fliste për një gjë të vogël, të parëndësishme. Po të kishte respektuar kryeministri Ramush Haradinaj përgjegjësitë që ia përcakton kushtetuta, nuk do të krijohej situata që Gjykata Kushtetuese të shpall jokushtetues ekipin negociator. Pra, gjithë ky muhabet nisi kur Haradinaj ia “dorëzoi” Thaçit dialogun, pavarësisht se si udhëheqës ekzekutiv i një republike parlamentare, i takonte atij të merrej me të.

Haradinaj zgjodhi të largojë barrën e dialogut, por më vonë, për të përmirësuar gabimin, inicoi krijimin e një të ashtuquajturi ekip shtetëror negociator, që në fakt ishte më shumë një ekip qeveritar. Një ekip, të cilit iu dhanë kompetenca nga institucionet kushtetuese, por që nuk kreu asnjë punë të hajrit, pavarësisht se Kuvendi e mandatoi që të negociojë me Serbinë. Një ekip që veç i harxhoi nja 40 mijë euro pa bërë asgjë, në përpjekje për të krijuar përshtypjen se ishte serioz dhe i mandatuar për punë serioze. Një ekip fasadë, për të mbuluar pafuqinë ose mungesën e vullnetit të kryeministrit që të merret me punët që i takojnë.

Ideja fillestare e krijimit të ekipit ishte që t’ia kufizojë presidentit disa kompetenca në dialog. Por a nuk ishte vetë Ramush Haradinaj që ia la atij duart e lira që të bëjë çfarë të dojë? A nuk ishte vetë ai që, me vullnet, u çlirua nga barra e dialogut, sepse kishte punë të tjera për të bërë?

* * *

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konsideron se Kuvendi i Kosovës ka për detyrë që të monitorojë politikën e jashtme, por kompetencat ekzekutive në raport me përfaqësimin me politikën e jashtme i ka Qeveria. Por, a don të thotë kjo se me këtë vendim nënkuptohet se presidenti i vendit nuk ka të drejtë që të dialogojë me Serbinë? Absolutisht jo.

Gjykata… nuk është pyetur për presidentin dhe nuk ka dhënë përgjigje për kompetencat e tij. Pavarësisht entuziazmit të dy partive opozitare, LDK’së e VV’së, se me këtë vendim është goditur edhe Hashim Thaçi, gjërat janë pak më ndryshe. Aq ndryshe sa nesër presidenti mund të vazhdojë dialogun me Serbinë.

Përtej entuziazmit dhe përpjekjes për të fituar poenë politikë opozita, por edhe partitë në pushtet duhet të japin përgjigje serioze se si duhet shkuar tutje në procesin e dialogut. Duhet të propozojnë alternativë që çon në zgjidhje, e jo në bllokadë.

RCCOLA

Me shpalljen e ekipit negociator antikushtetues nuk përfundon gjithçka. Dialogu është aty, presidenti po ashtu – tashmë i lirë dhe, natyrisht, i vullnetshëm t’i çojë përpara planet e tij për arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Presidenti i zgjedhur edhe me votat e LDK’së, që tash përpiqet ta lajë veten dhe të flasë për parime, ndërkohë që vendit ia ka bërë “dhuratën” më të keqe të mundshme.

* * *

Jo vetëm Ramush Haradinaj ishte i interesuar që me dialogun të merret Hashim Thaçi. Me refuzimin për t’u bërë pjesë e një ekipi negociator gjithëpërfshirës, i cili do të votohej nga dy të tretat e deputetëve të Kuvendit, për një gjë të tillë ishte e interesuar edhe opozita. Pavarësisht se publikisht fliste dhe vepronte ndryshe.

Dialogu me Serbinë është shumë më i rëndësishëm sesa të konsiderohet çështje minore, me të cilën duhet marrë dikush. Andaj përgjegjësinë pëveç partive në pushtet e ka edhe opozita. Beteja për përfitime politike ka bërë që gjithçka të bllokohet, pa alternativë, pa zgjidhje.

Pyetja që duhet shtruar tash është: a munden dhe a duhet të vazhdojnë tutje së funksionuari institucionet e vendit, kur Gjykata Kushtetuese konstaton se Kuvendi ka votuar një ligj antikushtetues, kur kryeministri iu është shmangur me qëllim përgjegjësive kushtetuese, kur presidenti tejkalon kompetencat e tij në përfaqësimin e vendit jashtë. A duhet të vazhdojë së funksionuari një qeveri e cila mbahet mezi në këmbë dhe nuk është në gjendje t’i kryejë si duhet as detyrat e shtëpisë, lëre më të marrë përsipër arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme ndërkombëtare.

Përgjigjen në radhë të parë duhet ta jep opozita, jo me deklarata e retorikë boshe, por me veprime konkrete që çojnë në rrëzimin e koalicionit qeveritar. Një qeverie e cila, në vend se të merret “me punë të mëdha” u shndërrua në ent punësimi për familjarë e militantë, duke dështuar të përmbush premtimet kryesore, siç ishin liberalizimi i vizave, zhvillimi ekonomik dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të paktën sa i përket dialogut do të ishte krejt tjetër situatë po që se Ramush Haradinaj do të merrej vetë me të. Zgjodhi të shmanget dhe kjo po i kthehet bumerang.