Fundamenti

Shaip Ahmeti ishte mësues, poet e skulptor autodidakt i një kohe

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Shaip Ahmeti nuk jeton më. Vdekja e tij është e dhimbshme. E mori vdekja kobzezë para kohe. Ishte njeri urtak fjalë pak dhe shumë punëtor në jetë. Ai në jetë ishte mësues, poet, skulptor, por e atdhetar. Mbi të gjitha, ai ishte një intelektual i formuar dhe me prirje të veçanta artistike.

Shaip Ahmeti është i lindur në fshatin Sefer, më 1946, në kurrizmal të Malësisë së Karadakut. Siç dihet, nga ky vend lindën shumë intelektualë, atdhetarë e krijues të shquar të artit. I kësaj ane është Idriz Seferit, Kreshnikut të Karadakut. Shaipi, mësimet e para i kreu në vendlindje, Sefer, ndërsa shkollën e mesme e mbaroi në Preshevë. Dhe jo vetëm kaq.

Ishte një fanar i dritës e jetës. Ishte një gurthemel i shkollës kombëtare shqipe. Me kohë ka regjistruar SHLP “Skënderbeu” në Gjilan. Dhe, brenda pak kohe, ai kreu studimet me sukses të merituar. Si i mbaroi studimet, Shaip Ahmeti kthehet në vendlindje për të punuar me ditar në dorë. E deshi punën dhe jetën e mësuesit.

Duke parë se ky vend malor ka nevojë për shkollimin e gjeneratave të reja, ai, me plot vullnet, filloi të punojë si mësues në fshatrat: Caravajkë, Sefer, Zhunicë e fshatra tjera të kësaj ane. Krahas punës me ditar, ai i deshi edhe dy fusha të dije: ishte krijues dhe skulptor autodidakt. Ai pas vetes la dy përmbledhje me poezi: “Albumi i dhembjes” (1987) dhe “Gjeniu i urtisë” (1998). Shaip Ahmeti, në veprat e tij poetike i “këndoi” Karadakut dhe banorëve të kësaj ane. Ai në vargjet e tij paraqiti “pjesë “ të historisë së këtij trolli stërgjyshor.

Por, ja vdekja e mori hershëm, mu atë herë kur deshi ta botojë edhe ndonjë vepër poetike që kishte lënë shumë punime në dorëshkrime të pabotuara. Por, ja vdekja ia mori ëndrrat e jetës. Shaip Ahmeti e ka poseduar edhe një krijimtari shumë të rëndësishme artistike. Ai në jetë ishte një skulptor i madh autodidakt. Duke jetuar në malësi, skulptori e mësuesi Shaip, edhe në drunj ka nxjerr ndonjë pjesë të jetës sonë. Këtë punë arti, ai e ka “krijuar” natyrshëm prej mjeshtri të lindur arti.

Pas orëve mësimore e hartimit të vargjeve poetike, ai gjente kohë të merrej edhe me gdhendjen e drurit. Dhe, ata drunj të vjetër e me shumë zgavra e thepa, që pak-kush i adhuronte për punë tjera, Shaipi i mirrte dhe i përpunonte disa “forma” arti duke i bërë vepra të pavdekshme. Ky ishte arti i tij në kohët e lira të jetës. Këto punë i bënte duke u kthyer rrugës nga orët mësimore, ku gjente drunj pani, arre, qershie etj., që, duke i përpunuar, i bënte “art” të shijes së fushës skulpturës të adhuruar nga shumë artdashës.

UBT

Të afërmit e tij shtojnë se, “mësuesi” Shaip, gjer sa ishte gjallë, ai vazhdimisht ka punuar skulptura më të ndryshme. Gjente kohë për ta ushtruar këtë “zanat” pa asnjë ditë shkollë të kësaj fushe të dijes. Habiteshin njerëzit kah i bënte “gjëra” të mrekullueshme të artit.

Ai me ato pak mjete pune: daltë, sharrë, zdrug, brisk e qekan, e “gjente” vetën në ato skulptura, në të cilat e “paraqiste” historinë e jetuar të popullit shqiptar. Pse jo?

Në skulpturat e tij shihet qartë arti shpirtëror autokton, i cili është kultivuar nga artdashësit punëtorë. Në familjen e Shaip Ahmeti, tash i ndjerë, i gjejmë sot me qindra skulptura të punuara nga druri. Por, disa po i veçojmë si janë “Djepi i fëmijëve”, “Varri i hastretit”, “Kobra” (llojin e gjarprit), “Froni i Skënderbeut”, “Shqiptari me plis të bardhë”, “Patkoi i kalit”, por që në mes i ka këto fjalë “Paja e mësuesërisë”, “Njeriu i gozhduar në dru” e shumë skulptura tjera. Pra, këto janë skulpturat e tij të pa gjurmuar gjer më tani.

Por, autorit të këtyre radhëve, këto skulptura të fotografuara ia ka dhënë afro dhjetë sosh për të parë punën e tij si skulptor autodidakt. Do të ishte në interes, që kjo krijimtari e artit skulpturor të përmblidhet në ndonjë vepër, me qëllim që ajo të mos harrohet. Bile, miku i tij, Sadri Nuredini, nga Depca, me banim në Gjilan, sot rrëfen se, “ sa ishte gjallë Shaipi, një skulpturë ia pati punuar presidentin dr. Ibrahim Rugovës. Dhe, nuk ka shok, mik apo dashamir që nuk i ka dhuruar ndonjë skulpturë Shaip Ahmeti. Me qindra skulptura gjenden tek të afërmit e tij.

Shaip Ahmeti e deshi artin skulptural dhe pati prirje e ide të pasura në këtë fushë arti. Në një rast, sa ishte gjallë, autorit të këtyre radhëve i pati shtuar: “Skulpturën nuk dijë ta ndaj nga poezia. Kjo më pëlqen. Unë, duke bërë kësofarë arti, jetoj dhe e ndjej vetën të lirë në shpirt e në jetë. Dhe, kohën e lire e kaloj duke punuar, por edhe kam krijuar poezi. Poezia e skulptura m’i kanë hequr dhembjet e trupit. Unë, jetën e kam “përshkruar” në skulptura e vargje poetike. Këto bëhen me vullnet të madh duke qëndruar me orë të tëra para drurit duke gdhendur, për ta nxjerrë të bukurën, ajo që më flë në shpirt. Kur e “krijoja” veprën skulpturore, atëherë i gëzohesha punës dhe pushoja. Skulptura është art që jeton dhe ka “jetë” të gjatë. Ajo, kur e punoj, jo vetëm që më tërheq, por edhe “formësohet” me ato trajta, vijat, këndet dhe në fund, vepra adhurohet nga të gjithë”. Por, ja vdekja. Ajo e mori para kohe, tash e 13-vjet më parë. E mori mësuesin, poetin dhe skulptorin Shaip në verën e viti 2004. Por, vepra e tij sot jeton dhe ka pranim te të merituar te të gjithë artdashësit e kësaj fushe arti.

Vepra e Shaip Ahmetit është një “histori” në vete e një kohe. Dhe, mësuesi i popullit, poeti, skulptori dhe atdhetari Shaip, këto “ngjarje” nuk mundi pa i artikuluar e pa i thënë e rrëfyer në artin e tij letrar e skulpturor./tefik selimi/rajonipress/