Fundamenti

Sfidat e vullnetarëve

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Alban Selimi – Lajmi i shpërndarë në rrjetet sociale se një gruaje që po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i duhej urgjent gjak i grupit B, mblodhi në QKTGJ disa dhurues vullnetarë të gjakut. Gruaja ishte në rrezik për jetën, pas një lindjeje në Klinikën e Gjinekologjisë.

Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut nuk kishte asnjë pikë gjaku të atij grupi. Dhe, njerëz bamirës, me të parë lajmin, iu ofruan vullnetarisht Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, për të dhënë diçka nga vetja, për të shpëtuar jetën e një nëne.

Por, sa anakronike aq ishte e dhimbshme qasja e institucionit ndaj dhuruesve vullnetarë të gjakut.

Që në hyrje të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku gjendet QKTGJ, ndonëse vullnetarët ishin të pajisur me kartela të dhuruesve vullnetarë të gjakut, ishin detyruar të paguajnë një euro për të hyrë me vetura në oborrin e spitalit.

Ata nuk futeshin në oborrin e spitalit për të bërë shopin, as për të vizituar ndonjë pacient që kishte operuar zorrën qorre. E as në rastin më të keq, nuk kishin mësyrë Onkologjinë. Thjesht, ishin vullnetarë, të gatshëm për të dhënë gjakun e tyre, për një paciente që luftonte për jetën e saj. Dhe, vullnetarët paguan për të dhënë gjak.

Nuk ishte kjo sfida e vetme që do ta përjetojnë dhuruesit. Ndonëse nuk kishin ide se kush ishte gruaja që po i ndihmonin, ndjesia e tyre lidhej kryekëput me shpëtimin e saj. Për ta s’kishte asgjë tjetër rëndësi.

Por, brenda QKTGJ-së, varësisht gatishmërisë që tregohej në sektorin e marketingut në raport me familjarin e të sëmurës, që i gjendeshin duke i siguruar adresa dhe numra telefonash të personave që kishin grupin e gjakut B, shkëputej zinxhiri i sinqeritetit, kur vullnetarët futeshin në sallën ku duhej dhuruar gjakun.

Uji Dea

Në listat e QKTGJ-së, dhuruesit vullnetarë kategorizoheshin si dhurues familjarë të gruas, ndonëse nuk kishin asnjë lidhje familjare me të dhe as që e njihnin. Thjesht, kishin dëgjuar se një gruaje i duhej gjak, dhe kishin ‘zbarkuar’ në QKTGJ për të dhënë atë që kishin për jetën e një nëne.
Reagimi i vullnetarëve ishte se ata nuk do të duhej cilësuar si dhurues familjarë por si dhurues vullnetarë të gjakut, pasi vullnetshëm kishin ardhur për të ndihmuar një grua.

Por, QKTGJ-ja nuk do të futej kurrsesi ‘borxh’ tek vullnetarët, të cilëve, sipas rregullave të këtij institucioni, në raste kur u nevojitet gjak, duhet siguruar atë, jo vetëm për vete, por edhe për familjarët e tyre të ngushtë.

Përgjigjja në QKTGJ ishte e prerë: “Mund të mos jepni gjak…”. E këtë rast çka do të ndodhte me gruan?!

Vullnetarëve me këtë përgjigje, pos ndjenjave, u prekej sedra njerëzore. Institucioni i voli kur u futën brenda. Dhe nuk është ‘ngushtë’ për gjakun e tyre.

Dialogu u bë me ‘spec’ mes stafit mjekësor që i tregonte rregullat e OBSH-së, dhe vullnetarëve me sedër të thyer e që kishin një qëllim – shpëtimin e gruas.

Sido që i cilësuan në QKTGJ, ata nuk u zmbrapsën. Mbushën qeset me gjak, më shumë se ç’ishin pritjet dhe nevojat për gruan. Dhuruesit e grupit B të gjakut, nuk ishin vetëm vullnetarët e ditës. Ata ishin heronjtë e ditës. Një bebeje të sapolindur, i mundësuan të shijojë ngrohtësinë e nënës.

(Autori është dhurues vullnetar i gjakut)