Hidromorava

Serwer: Projekti i “Blicit” konsiston në Planin Ahtisaari

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Prishtinë – Analisti amerikan, Daniel Serwer, ka publikuar të dielën mbrëma një artikull në rrjetin peacefare.net, ku ka vlerësuar se projektmarrëveshja e publikuar në “Blic” konsiston në Planin Ahtisaari.

“Blic Online” gjatë natës së kaluar publikoi të ashtuquajturën projektmarrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, që supozohet se është pranuar nga Bashkimi Evropian dhe Prishtina. Sikurse të tjerëve, edhe mua më duket se konsiston me Planin e Ahtisaarit për shumë detaje dhe e pason frymën e Planit të Ahtisaarit që çoi në përfundimin e fushatës serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë me qëllime ekonomike, kulturore dhe sociale (përfshirë edhe sportin). Serbia nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OSBE. Kjo do t`i mundësonte një rrugë të shkurtër Kosovës për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Serwer.

Serwer ka shkruar se është e vështirë të komentosh për një tekst, i cili është përgatitur në gjuhën angleze, i përkthyer në serbisht nga “Blici” dhe i ripërkthyer në anglisht për të nga një njohës i gjuhës serbe, transmeton “Koha Ditore”.

”A mos është publikuar për të testuar reagimin e serbëve dhe kosovarëve? A mos përfaqëson diçka që Prishtina me të vërtetë do ta pranonte?”, ka pyetur Serwer dhe është përgjigjur: “Nuk e di. E as që do ta di, sepse as diplomatët nuk dëshirojnë ta komentojnë në publik statusin e këtij teksti”.

”Ajo që tregon ky tekst është se edhe njëra edhe tjetra anë përballen me çështje të rëndësishme: Si mund të marrë pjesë popullata serbe në veri në institucionet e Kosovës dhe ende të përfitojë nga provizionet e Planit të Ahtisaarit për vetëqeverisje? Si mund të përmbushen interesat e Kosovës në sigurimin e një kornize të vetme gjyqësore dhe të sigurisë duke i lejuar liri të gjerë qeverisjes vendore në aspektet e tjera të parashikuara nga Ahtisaari?

Djalli këtu nuk fshihet në detaje. Është në kontekstin e gjerë. Përderisa ky tekst ka qëllim që të ketë status neutral, në parim i lejon Kosovës që të anëtarësohet në shumë organizma ndërkombëtarë, disa prej të cilëve janë të hapur për anëtarësim vetëm për shtetet sovrane. Ky është, siç e dimë ne, rasti i organizatës 57-anëtarësh të OSBE-së.

Këtu është problemi. Teksti e obligon Serbinë që të mos e bllokojë (ose t`i motivojë shtetet e tjera ta bllokojnë) anëtarësimin e Kosovës, por të tjerat natyrisht do të jenë të lira të vazhdojnë ta bëjnë atë. BE-ja ka pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilat mund ta bllokojnë anëtarësimin e saj. Kam shpresë se do të ketë një mirëkuptim se asnjëra nga shtetet e BE-së nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës.

Mobi Casa

Kjo përsëri nuk e zgjidh problemin, sepse Rusia mund të jetë pengesë kudo që është anëtare, përfshirë edhe OSBE-në. Kjo për mua tregon se sa është e vështirë zgjidhja e pjesshme që pretendon të jetë statusi neutral”, ka thënë Serwer.

”Anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara do t`u jepte fund të gjitha diskutimeve për anëtarësim në organizata të tjera. Qasja hap pas hapi është plot me vështirësi dhe në kundërshtim me frymën e planit origjinal të Ahtisaarit, i cili parashikonte njohjen universale të Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur.

Fakti i thjeshtë, që është i ditur në rrugët e Beogradit dhe të Prishtinës, është se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë dhe kurrë nuk do të jetë.

Duke shtyrë të pashmangshmen do të ishte më e mira që mund të bëhej tani, por kjo do të thoshte vazhdim i një lufte të vështirë për një shtet që ka nevojë të fokusohet në çështje të tjera: punësimi dhe zhvillimi ekonomik, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, trajtimi adekuat i qytetarëve serbë dhe minoriteteve të tjera.

Po ashtu do të ishte shumë më e preferuar dhe më pak e dhimbshme në rrugën e gjatë për t`u dhënë fund pretendimeve të thata të Serbisë mbi sovranitetin.

Mund të jenë pesë shtete të cilat mund ta bllokojnë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por aty janë 22 vende anëtare të BE-së që mund ta bllokojnë anëtarësimin eventual të Serbisë në BE. Duke shtyrë të pashmangshmen, e bën jetën më të vështirë jo vetëm për Prishtinën por edhe për Beogradin”, përfundon artikullin analisti Daniel Serwer.