Fundamenti

Serbia bllokon marrëveshjet

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Çështja e Telekomit dhe Energjetikës mbeten tema të bllokuara tash sa kohë, pasi që pala serbe vazhdon të mos lëshojë pe nga kërkesat e saj, për t’iu licencuar një operator mobil serb në Kosovë, si dhe regjistrimin e një kompanie serbe, e cila do ta bënte distribuimin e energjisë elektrike në veri të Kosovës.

Para se të shkojë në raundin e fundit të bisedimeve, pala kosovare pati deklaruar se do të arrijë marrëveshje, por që përsëri dështoi. Burime të besueshme të gazetës në Bruksel bëjnë të ditur se pala serbe në asnjë moment nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj.

“Një telefoni mobile që do ishte e treta në Kosovë, si dhe një kompani serbe që do merren veçmas me distribuimin e energjisë në veri të Kosovës, janë dy kushtet e palës serbe, e që momentin që do të i plotësoheshin këto, do të arrihej marrëveshja. Por, kemi palën kosovare nga ana tjetër, që vazhdon të mos i pranojë kërkesat e tilla të Serbisë. Ndërkohë, kemi Brukselin, i cili akoma po pret që palët vetë të gjejnë zgjidhje dhe nuk po ndërhyn”, tha ky zyrtar evropian.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me zyrën e baroneshës Catherine Ashton, por as ata nuk kanë dhënë detaje përse akoma nuk po ka marrëveshje për Telekom dhe Energji. Maja Kocijancic, zëdhënësja e baroneshës Ashton, tha shkurt se marrëveshja është afër. “Punët e grupeve punuese janë në vazhdimësi dhe jemi afër për ta arritur marrëveshjen mbi Telekomin dhe Energjinë”,ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Nga ana tjetër, Edita Tahiri, zëvendëskryeministre e cila udhëheq grupin teknik në Bruksel, pranon se arsyeja pse nuk ka ende marrëveshje qëndron tek Serbia. Sipas saj, dallimet mes palëve janë të ngushta por të thella.

Sa i përket Telekomit, ajo tha se pala serbe ka nisur të rishfaqë kërkesa të reja, derisa në muajin maj ata kanë pasur qasje tjetër.

RCCOLA

“Në muajin maj, pala serbe pati pranuar që Kosova të ketë kodin unik telefonik, që Kosova të ketë një kod shtetëror telefonik dhe të gjithë operatorët ta përdorin atë. Por, tani pala serbe prapë ka ndryshuar dhe e ka bërë jo të qartë këtë pjesë të marrëveshjes sa i përket kodit unik”, ka thënë ajo. Sipas saj, kjo pikë e ka bllokuar marrëveshjen e telekomit.

Sa i përket kërkesës tjetër për t’iu licencuar një telefoni mobile në Kosovë, pala serbe sipas Tahirit, e ka kuptuar që një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm përmes tenderimit ndërkombëtar, edhe pse mbetet temë akoma e hapur.

Për çështjen e energjisë, Tahiri tregon se pala serbe ka kërkuar t’i ofrohet mundësia që një kompani serbe të regjistrohet në Kosovë dhe i njëjti të ketë kompetenca të distribucionit të energjisë në veri.

“Ne e kemi refuzuar, sepse për distribucion kompetentë në Kosovë është vetëm KEDS-i, dhe me ligjet e Kosovës nuk ka mundësi të ipet edhe një licencë tjetër për këtë”, tha Tahiri.

Ajo tregon se pala kosovare i ka propozuar Serbisë që një kompani komerciale serbe do të mund të regjistrohet në Kosovë me veprim në katër komunat në veri, e cila do të hynte në marrëveshje me KEDS-in, e cila do t’ia mundësonte që të bëjë faturimin, leximin e njehsorëve dhe inkasimin e mjeteve të konsumatorëve nga ato katër komuna dhe ato mjete të dorëzohen në KEDS, ku pastaj KEDS do të kompensonte kompaninë komerciale për shërbimet komerciale.

Si përfundim, pala serbe e ka pranuar si ide, por përsëri nuk ka hequr dorë nga kërkesa për distribucion, shton Tahiri. Tani dy këto tema mbesin për t’u diskutuar ditët në vazhdim, por saktësisht kur do mbahet takimi varet nga Brukseli.