Mobi Casa

Saqip Zymberi dhe 44 vjet veprimtari atdhetare, rrugëtim i një patrioti të heshtur dhe të pathyeshëm

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Ka njerëz që nuk kërkojnë as mirënjohje, as përkrahje, as lavdi. Ata bëjnë gjithçka për të tjerët, ndërsa vetë mbeten në hije. I tillë është Saqip Zymberi, patriot i kulluar, i burgosur politik i regjur, veprimtar i palodhur dhe njeri me shpirt të madh human, i cili për katër dekada e gjysmë ia kushtoi jetën çështjes kombëtare shqiptare.

Saqip Zymberi mbetet shembull i rrallë i patriotizmit të heshtur, i sakrificës pa zhurmë dhe i besnikërisë së palëkundur ndaj idealit kombëtar, një emër që i përket historisë së qëndresës shqiptare.

Rrënjët dhe formimi i hershëm

Saqip Zymberi lindi më 2 tetor 1950, në fshatin Breznicë të Bujanocit, nga prindërit Ramadani dhe Lutfija. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në Bujanoc. Qysh herët, ai u përball me realitetin e hidhur të varfërisë dhe padrejtësive sistematike që u bëheshin shqiptarëve nën pushtimin serb.

Në mars të vitit 1977, i shtyrë nga kushtet e rënda ekonomike dhe diskriminimi i vazhdueshëm, Saqipi mori rrugën e vështirë të kurbetit, duke u vendosur fillimisht në Cyrih të Zvicrës. Pikërisht aty nis edhe kapitulli i veprimtarisë së tij të organizuar patriotike.

Zgjimi kombëtar në mërgim

Në mërgim, kontakti me libra dhe gazeta në gjuhën shqipe që vinin nga Tirana, ia hapi sytë edhe më shumë Saqipit për realitetin e dhimbshëm të Kosovës: shfrytëzimin e pasurive të saj nga Serbia dhe mohimin brutal të të drejtave elementare kombëtare të shqiptarëve.

Një rastësi që do të shndërrohej në kthesë historike ndodhi gjatë një udhëtimi me tren drejt St. Gallenit, kur Saqipi u takua për herë të parë me Kadri Zekën, heroin e ardhshëm të Kosovës. Pas një bisede të thellë për jetën e mërgimtarëve dhe çështjen kombëtare, Kadri Zeka i dha atij pesë numra të gazetës ilegale “Liria”, për t’i lexuar dhe shpërndarë. Këto gazeta, të dërguara më pas në Kosovë bashkë me bashkëveprimtarin Faik Jonuzi, u shpërndanë dorë më dorë në rrethet patriotike.

Pranvera e vitit 1981 dhe demonstratat historike

Nga pranvera e madhe e vitit 1981, Saqip Zymberi bëhet pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai merr pjesë aktive në të gjitha demonstratat dhe tubimet në mbështetje të kërkesës gjithëpopullore për Republikën e Kosovës.

Në demonstratën e 11 prillit 1981 në Bern, ai u takua sërish me Kadri Zekën, të cilin deri atëherë e njihte vetëm me pseudonimin “Zeqa”. Po atë mbrëmje, në sheshin Limatplatz në Cyrih, folën Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla.

“Edhe pse më thanë kush ishte Zeqa, kurrë nuk e kam zbuluar. E ruanim si sytë e ballit, sepse e dinim sa shumë i duhej çështjes kombëtare,” kujton sot Saqipi.

Banesa e tij në Cyrih u shndërrua në një bazë të rëndësishme të veprimtarisë ilegale, ku hynin e dilnin figura të shquara të lëvizjes, si: Kadri Zeka, Ibrahim Kelmendi, Hasan Kadrija, Faik Jonuzi, Rashit Rashiti e shumë të tjerë.

Akte guximi dhe përballje me represionin

Një nga momentet më të guximshme të asaj kohe ndodhi në Afoltern, gjatë një koncerti të organizuar nga konsullata jugosllave. Publiku brohoriste njëzëri “Kosova Republikë”, ndërsa dëshmori Zijah Shemsiu hoqi flamurin jugosllav nga skena dhe ia dorëzoi Saqipit, i cili e dogji publikisht. Pas ndërhyrjes së policisë, shumë veprimtarë u dhunuan dhe u arrestuan.

Organizimi politik dhe burgosja

Saqip Zymberi ishte pjesë aktive e disa strukturave ilegale patriotike:

KKVITI

Anëtar i grupit “Albanikos” (1982),

Anëtar i LRSSHJ-së (1982),

Anëtar i OMLK-së (1985).

Për këtë veprimtari, më 8 dhjetor 1985, ai arrestohet dhe dënohet me katër vjet burg. Edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore, ai e përballoi dënimin pa u thyer asnjëherë. Refuzimi i tij për të pranuar gjak nga shokët e burgut mbetet një akt i rrallë altruizmi dhe sakrifice morale.

Azili politik dhe vazhdimi i misionit

Pas lirimit dhe përndjekjeve të vazhdueshme nga sigurimi jugosllav, Saqip Zymberi detyrohet të kërkojë azil politik në Zvicër. Aty ai vazhdon pa u ndalur angazhimin kombëtar: si nënkryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, pjesëmarrës në të gjitha manifestimet kombëtare dhe kontribuues i rëndësishëm në fondet “Vendlindja Thërret” dhe “Zëri Atdheut”.

Një jetë në shërbim të kombit

Edhe sot, në moshën 75-vjeçare, Saqip Zymberi mbetet aktiv dhe i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare. Përgjatë këtij rrugëtimi 44-vjeçar, pranë tij ka qenë gjithmonë bashkëshortja Lida, një grua e fortë dhe e pathyeshme, që përballoi ndjekjet, vështirësitë ekonomike dhe presionet e UDB-së, duke e mbështetur pa kushte kauzën e drejtë kombëtare.

Saqip Zymberi mbetet shembull i rrallë i patriotizmit të heshtur, i sakrificës pa zhurmë dhe i besnikërisë së palëkundur ndaj idealit kombëtar, një emër që i përket historisë së qëndresës shqiptare.

Saqip Zymberi, i harruari i drejtësisë: padrejtësia ndaj një ish të burgosuri politik që i dha gjithçka Kosovës

Prej disa vitesh, Saqip Zymberi, veprimtar i orëve të para për Pavarësinë e Kosovës dhe ish i burgosur politik nga fshati Breznicë, endet pa rezultat nëpër institucione për të realizuar të drejtën ligjore të kompensimit për vitet e burgut. Ndryshe nga bashkëvuajtësit e tij, të cilët tashmë e kanë përfituar këtë të drejtë, Zymberi vazhdon të mbetet i përjashtuar.

Ismet Rashiti mik dhe gazetar që ka përcjellur veprimtarin e Saqip Zymberit ka shkruar disa herë për këtë padrejtësi që i është bërë Saqipit.

Arsyetimi institucional është mungesa e shtetësisë së Kosovës, një pretekst i pakuptueshëm po të merret parasysh fakti se bashkëshortja e tij është shtetase e Kosovës dhe se pesë fëmijët e tij kanë po ashtu shtetësi kosovare. Për më tepër, shteti i Kosovës do të mund ta zgjidhte këtë çështje lehtësisht, përmes një procedure të përshpejtuar të shtetësisë, madje edhe me dekret presidencial, duke nderuar një kontribuues të dëshmuar të çështjes kombëtare.

Edhe më shqetësuese është heshtja dhe mungesa e angazhimit nga ish-bashkëveprimtarët dhe shokët e burgut, disa prej të cilëve kanë qenë pjesë e komisioneve përkatëse. Përkundër sakrificës së tij, Saqip Zymberi mbetet ndër të paktët të burgosur politikë që nuk është kompensuar.

Ndërkohë, raste të tjera kanë përfituar kompensim edhe përmes grave me shtetësi kosovare, madje ka pasur edhe përfitime përmes rrugëve joformale. Zymberi, ndonëse ka ardhur disa herë në Kosovë, ka shpenzuar mjete dhe është mashtruar me premtime, por pa rezultat.

Kjo nuk është thjesht një padrejtësi administrative, por një turp institucional, që rëndon mbi ndërgjegjen e shtetit dhe shoqërisë që ai e ka shërbyer me sakrificë./rajonipress/