Sa kohë do të na duhet?
Nga Ardian Gjini – Nuk ka dyshim se zgjedhjet e 3 nëntorit paraqesin kthesë pozitive së paku sa i përket rregullsisë në qendra të votimit. Pavarësisht rezultateve të partive tona, pavarësisht se a jemi të kënaqur me rezultat apo jo, kushdo që e do vendin dhe beson në demokraci, duhet të ndjejë njëfarë kënaqësie me këtë fakt. Këto zgjedhje ishin më të rregullta dhe më demokratike se ato të vitit 2007, 2009 e posaçërisht se ato të vitit 2010.
Sidoqoftë, të gjithë ne po e shohim se konsolidimi po merr kohë. Bindja ime e plotë është se koha e cila i duhet Kosovës për të arritur në ditën kur nuk do të ketë fare frikë nga parregullsia në zgjedhje, varet nga tre faktorë të ndërlidhur. Ata janë elita politike, elita intelektuale dhe shoqëria civile si dhe ekonomia.
Elita politike i ka shumë gjëra në dorë, për të mos thënë shumicën. Nëse e kuptojmë si truizëm faktin se politika është “oportunizëm by default” në gjithë botën, dhe nëse sado pak i zëmë besë ligjit të Murphyt se nëse gjërave iu lihet rrugë që të shkojnë keq, ato mu atë rrugë e zgjedhin (if things CAN go wrong, they WILL go wrong) atëherë oportunizmi i natyrshëm dhe mundësitë e pakufizuara për abuzim janë bashkëdyzim mbytës në cilindo aspekt të konsolidimit të demokracisë. Nëse në ekuacion e fusim edhe varfërinë e lartë dhe papunësinë,që krijojnë terren enorm për klientelizëm, shantazhim, blerje të votave e korrupsion, atëherë rruga jonë drejt qëllimit duket edhe më e largët. Në këto rrethana duhet shpresuar se shoqëria jonë do të gjejë heronj të demokracisë, sikur që ka gjetur heronj në luftë, pse jo edhe nga mesi i tyre. Në shumë raste, në demokracitë e konsoliduara heronj të demokracisë kanë qenë mu heronjtë e luftës, George Washington dhe Charles De Gaul, sa për t’i përmendur dy prej tyre.
Në vitin 2000, shumëkujt në Kosovë i është dukur e paqartë pse shoqëria civile e avancuar dhe vibrante është element qenësor për një demokraci të qëndrueshme liberale. Nuk besoj se dikush ka dilema tani. Përpos elementeve që sjell shoqëria civile e që janë tanimë evidente si për shembull rritja e transparencës në shoqëri, korrigjimi i politikave qeveritare dhe rritja e përgjegjësisë së politikës kundrejt qytetarit, shoqëria civile është ajo që i bën edhe dy gjëra tjera. Së pari e mban gjallë dhe në nivel të lartë debatin intelektual për të gjitha çështjet dhe së dyti shërben si inkubator për krijimin e kuadrit politik. Tek e para, për shkak të varfërisë, kilentelizmit, shoqërisë politike prekariote, të së kaluarës sonë etj., shoqëria civile në të shumtën e rasteve, duke mos pasur zgjidhje tjetër, krijon varësi nga fondet e huaja. Këto fonde në të shumtën e rasteve janë pozitive por e kanë një efekt anësor, nuk lejojnë autenticitet të debatit. Ai ndikohet nga agjendat e fondacioneve tjera, për ekonominë, për ambientin, për aleancat e deri te mënyra e zgjedhjes së presidentit. Mosautenticiteti në debatin intelektual shkakton konfuzion.
Për rastet evidente të fondeve të huaja që kanë efekt negativ e që i dinë të gjithë nuk do të flas këtë herë. Dhe tek e dyta, për shkak të rrogave të vogla në sektorin publik dhe për shkak të perceptimit (të bazuar) për shoqërinë politike të korruptuar, shoqëria civile nuk po arrin të jetë inkubator për politikën. Me përjashtime, ka mjaft ekzemplarë të shoqërisë civile që janë shndërruar në politikanë jo për shkak të heroizmit demokratik por pikërisht për shkak të mundësive për përfitim nga politika. Njerëzit që nuk duan të vjedhin nuk e lënë rrogën e madhe për rrogë të vogël, aq më tepër kur rrezikojnë edhe të shahen. Edhe shoqëria civile duhet të prodhojë heronj të cilët duan ta ndreqin politikën. Pa politikë nuk bën, fatkeqësisht.
Dhe në fund ekonomia. Një debat intelektual në nivel botëror është zhvilluar në vitet ’70, ’80 e posaçërisht gjatë viteve ’90 të shekullit që shkoi. Dilemat ende ekzistojnë. Ende debatohet se a sjell mirëqenia konsolidim të demokracisë apo demokracia mirëqenie! Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përpos t’i bëjmë të dyja njëkohësisht. Kjo është punë e vështirë dhe kërkon shumë përkushtim, nga shoqëria politike, nga shoqëria civile dhe nga ajo që Lintz e quan shoqëria ekonomike. Njëra pa tjetrën nuk bëjnë fare. Shpresoj që ky debat intelektual të rritet te ne. Ta shkurtojmë kohën drejt qëllimit.
(Autori është nënkryetar i AAK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)


