Fundamenti

Rrustem Behluli, burri pa varr që u bë ndërgjegje kombëtare e Uglarit

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ka emra që historia i ka shkruar me bojë, e ka edhe të tillë që i ka larë me gjak. Rrustem Behluli i fshatit Uglar i përket kësaj të dytës. Një burrë që nuk kërkoi kurrë lavdi, por që la pas një peshë historie që edhe sot e trazon ndërgjegjen e kësaj ane. Kryengritës, prijës dhe mbrojtës i tokës shqiptare, Rrusta ishte njeriu që e dinte se liria nuk dhurohet, ajo paguhet. Heroizmi i Rrustem Behlulit nuk varet nga vendime komunale, as nga qeverisje kalimtare. Krenaria e tij është më e fortë se çdo harresë institucionale, më e qëndrueshme se çdo pushtet që përkohësisht e anashkalon një hero të rënë nga dora e çetnikëve serbë. Rrustem Behluli është ndër ata burra që nuk i prodhoi politika, por i lindi nevoja për mbijetesë dhe liri. Dhe për sa kohë Gjilani do të ketë kujtesë, emri i tij do të qëndrojë i gdhendur në ndërgjegjen kombëtare, edhe nëse mungon ende në pllakën zyrtare të nderimit.

Në kujtesën historike të fshatit Uglar, emri i Rrustem Behlulit qëndron si simbol i rezistencës, sakrificës dhe vetëdijes kombëtare shqiptare. Kryengritës, prijës lokal dhe mbrojtës i trojeve etnike, Rrustë Behluli ishte një nga figurat që nuk u përkulën përballë dhunës partizano-çetnike gjatë vitit 1944.

Rrustem Behluli, hero që nuk e fshiu dot as harresa, as padrejtësia

Në vitet e fundit, Komuna e Gjilanit ka ndarë mirënjohje e dekorime për figura të dyshimta historike, për emra pa rrënjë në këtë trevë dhe pa kontribut real për Gjilanin. Mjaftoi ndikimi i rretheve të caktuara, mjaftoi një vendim i shpejtë në zyrë, dhe “heroizmi” u prodhua brenda një ore. Kjo praktikë e shëmtuar, e përsëritur dhe e stërkequr, ka cenuar rëndë ndjenjën e drejtësisë historike.

Në anën tjetër, është anashkaluar me heshtje të qëllimshme një nga figurat më të ndritshme kombëtare dhe historike të kësaj treve: Rrustem Behluli, bir i Gjilanit, me zemër, gjak dhe prejardhje të pamohueshme gjilanase.

Rrustem Behlulin mund ta ndalin vetëm përkohësisht me heshtje institucionale, por kurrë me harresë. Sepse figura e tij jeton dhe do të jetojë brez pas brezi, në çdo mendje dhe në çdo rrëfim kur të flitet për luftërat e Gjilanit, luftëra që ende presin të shkruhen drejt, të këndohen me krenari dhe të përjetohen me nder.

Ai nuk sakrifikoi vetëm veten. Sakrifikoi familjen, jetën dhe të ardhmen personale, për t’i dhënë Kosovës dhe këtyre brezave një shans për liri. Rrustem Behluli nuk luftoi për dekorata, nuk kërkoi lavdi, nuk bëri pazare me historinë. Ai doli përballë çetnikëve serbë me dinjitet, duke mbrojtur çdo familje shqiptare të Uglarit dhe rrethinës, duke u bërë mburojë njerëzore e popullit të tij në një nga kohët më të errëta.

Ai kurrë nuk e mendoi se do të vinte dita kur pushtete të mykëta, të mbushura me ligësi paragjykuese dhe frikë nga e vërteta, do ta anatemojnë një hero lufte. Por historia nuk i përket zyrave. Historia është kujdestare e së vërtetës, dhe ajo i mbron ata që dhanë gjithçka pa kërkuar asgjë.

Heroizmi i Rrustem Behlulit nuk varet nga vendime komunale, as nga qeverisje kalimtare. Krenaria e tij është më e fortë se çdo harresë institucionale, më e qëndrueshme se çdo pushtet që përkohësisht e anashkalon një hero të rënë nga dora e çetnikëve serbë.

Rrustem Behluli është ndër ata burra që nuk i prodhoi politika, por i lindi nevoja për mbijetesë dhe liri. Dhe për sa kohë Gjilani do të ketë kujtesë, emri i tij do të qëndrojë i gdhendur në ndërgjegjen kombëtare, edhe nëse mungon ende në pllakën zyrtare të nderimit.

Uglarasit e rikthejnë në histori figurën e Rrustem Behlulit, kryengritësit që luftoi për Shqipërinë etnike

Në kujtesën historike të fshatit Uglar, emri i Rrustem Behlulit qëndron si simbol i rezistencës, sakrificës dhe vetëdijes kombëtare shqiptare. Kryengritës, prijës lokal dhe mbrojtës i trojeve etnike, Rrustë Behluli ishte një nga figurat që nuk u përkulën përballë dhunës partizano-çetnike gjatë vitit 1944.

Koha kur fjala “Shqipëri” thuhej me pushkë në dorë

Viti 1944 ishte dimër i acartë për Anamoravën, por akoma më i ftohtë ishte fati që po u përgatitej shqiptarëve. Partizanët e mbushur me çetnikë po riktheheshin si “çlirimtarë”, por në fakt po sillnin hakmarrje, terror dhe ripushtim. Në atë kohë, Rrustem Behluli nuk ishte thjesht kryetar katundi, ai ishte busull morale e fshatit.

Në kohën e Italisë, që populli e quante “koha e Shqipërisë”, Rrusta kishte qenë zëri që i bashkonte njerëzit. Kur erdhi momenti vendimtar, ai nuk u fsheh pas shtëpisë, as pas familjes. Ai doli përpara.

Kryengritja e Rekës së Raincës, kushtrimi që ndezi rezistencën

Dëshmitarët tregojnë se në ditën e Bajramit, gjatë faljes së namazit, Rrusta hyri në xhami me bombë në dorë. Nuk ishte çmenduri, ishte alarm.

“O digjemi sot, ose shkojmë në Rekë të Raincës për të mbrojtur kufirin e Shqipërisë etnike”, u kishte thënë fshatarëve.

Kjo fjali u bë kushtrim. Më 19 shtator 1944, në Rekë të Raincës, vullnetarët shqiptarë u përballën me Aradhën XVI Maqedonase. Mbi 100 partizanë-çetnikë u vranë dhe 206 të tjerë u zunë rob. Ishte një nga përballjet më të ashpra të rezistencës shqiptare në këtë rajon.

Por kjo fitore kishte çmimin e vet.

“Do bëhem kurban i popullit”

Serbët u tërhoqën për një ditë. Vetëm për t’u kthyer me hakmarrje. Të gjithë e dinin se Rrustem Behluli ishte në listën e tyre. E lutën të largohej. Të ikte. Të shpëtonte veten. Ai nuk pranoi.

“Do bëhem kurban i popullit. Nuk e lë katundin me gra në duart e serbëve”, kishte thënë, sipas dëshmisë së Isa Mehmetit.

Ajo natë ishte e gjatë. Rrusta nuk fjeti. Qëndroi zgjuar me shpinë nga oxhaku, sikur të donte ta shihte përballë fatin. E dinte çfarë po vinte.

Arrestimi dhe rruga drejt vdekjes

Në mëngjes erdhën pesë çetnikë nga Pasjani. Plaçkitën dyqanin. Ngarkuan pesë kuaj me thasë. Pastaj e morën Rrustën të lidhur. Nuk foli. Nuk u lut. U nis drejt Pasjanit, drejt fundit.

E çuan në një lug mali, mes Uglarit, Velekincës dhe Pasjanit. Aty ishte një lis. Dy dardha pranë tij. Aty u lidh Rrustem Behluli. Aty u ther mizorisht.

Barinjtë e fshatrave përreth dëgjuan britmën e një burri që po bëhej kurban. Ishte një britmë që nuk ishte vetëm e tij – ishte britmë e tokës, e historisë, e kombit.

Trupi pa varr, dhimbja pa fund

Serbët nuk ia lanë as varrin. Asnjë gur. Asnjë shenjë. Vetëm lisi mbeti dëshmitar.

“Sa herë kalonim andej, babai ndalej te lisi, merrte frymë thellë dhe më thoshte: aty është baba Rrustë”, rrëfen nipi i tij, Ismet Rrahmon Behluli.

Uji Dea

Rrusta ishte shtatshkurtër, por me gjoks të gjerë dhe forcë të jashtëzakonshme. “Liset i bartte nga mali me gjithë degë”, kujtojnë familjarët. Ironia e historisë është se në fund, ishte vetë lisi që u bë varri i tij.

Heshtja e imponuar dhe historia e ndaluar

Pas Luftës së Dytë Botërore, emri i Rrustem Behlulit u ndalua. Ai u anatemua sepse kishte luftuar për Shqipërinë etnike. Historiani Fitim Rifati thotë se figura të tilla u fshinë qëllimisht nga historiografia zyrtare komuniste.

“Për dekada ishte e ndaluar të flitej për njerëz që përfaqësonin interesin kombëtar shqiptar”, thekson Rifati.

Vetëm pas viteve ’90 dhe pas luftës së fundit në Kosovë, historianët e Anamoravës nisën ta rikthejnë të vërtetën e heshtur.

Uglarasit nuk e lënë historinë pa emër

Sot, fshati Uglar kërkon drejtësi historike. Kryetari i këshillit të fshatit, Ramiz Isufi, ka propozuar që një rrugë të mbajë emrin e Rrustem Behlulit. Jo si dekor, por si betim se kjo histori nuk do të zhduket më.

Rrustem Behluli nuk ka varr, por ka kujtesë.

Nuk ka monument, por ka ndërgjegje.

Ai nuk është vetëm pjesë e historisë së Uglari¬t, ai është plagë e hapur e kombit shqiptar.

Figura e Rrustem Behlulit në këndvështrimin shkencor

Sipas historianit Fitim Rifati, Rrustem Behluli i përkiste plejadës së forcave vullnetare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të orientuara drejt mbrojtjes së trojeve etnike shqiptare dhe bashkimit të tyre me Shqipërinë.

Autoriteti i tij në Anamoravë nuk ishte vetëm ushtarak apo organizativ, por thellësisht moral dhe kombëtar, duke reflektuar drejtpërdrejt në:

ngritjen e vetëdijes kombëtare, mbrojtjen e territorit shqiptar, rezistencën ndaj ripushtimit serbo-jugosllav në vitin 1944.

Në historiografinë e periudhës komuniste, figura të tilla u ndaluan me vetëdije politike, pasi përfaqësonin idealin e lirisë dhe bashkimit kombëtar. Vetëm pas viteve ’90 dhe pas luftës së fundit në Kosovë, është hapur rruga për rivlerësimin e tyre shkencor dhe institucional.

Akti i qëndresës, kur fjala u bë sakrificë

Në dimrin e vitit 1944, kur aradhat partizano-çetnike po riktheheshin në Karadak dhe Anamoravë, Rrustem Behluli, kryetar katundi në kohën e njohur si “Koha e Shqipërisë”, doli hapur në mbrojtje të fshatit dhe kufirit kombëtar.

Dëshmitarët kujtojnë se gjatë faljes së namazit të Bajramit, ai hyri në xhami me bombë në dorë dhe u tha fshatarëve:

“O digjemi sot, o shkojmë në Rekë të Raincës për të mbrojtur kufirin e Shqipërisë etnike.”

Ky kushtrim çoi në mobilizimin e vullnetarëve shqiptarë dhe në betejën e Rekës së Raincës, më 19 shtator 1944, ku u shënuan humbje të mëdha për forcat partizano-çetnike.

Flijimi pa varr, por jo pa histori

Hakmarrja ishte e pashmangshme. Rrustem Behluli u arrestua nga çetnikët e Pasjanit, u dërgua i lidhur dhe u ther mizorisht në një lug mali, i lidhur për një lis, në trekëndëshin Uglar–Velekincë–Pasjan.

Atij nuk iu lejua as varri.

Por kujtesa nuk u vra.

Dy djemtë dhe katër vajzat e tij, si dhe brezat pasues, e ruajtën emrin e Rrustem Behlulit si simbol të sakrificës për tokën, nderin dhe kombin.

Pse ky dekorim është i domosdoshëm sot nga Vjosa Osmani

Nderimi i Rrustem Behlulit: është akt shtetëror i korrigjimit historik, përfaqëson dinjitetin e Republikës së Kosovës ndaj sakrificës kombëtare, u jep zë figurave që u flijuan pa kërkuar asgjë, forcon kulturën e kujtesës dhe identitetin kombëtar.

Dekorimi i tij nuk është vetëm nder për një familje apo një fshat, është nder për shtetin që di të njohë bijtë e vet.

Rrustem Behluli nuk ka varr, por ka trashëgimi. Nuk ka monument, por ka kujtesë. Dhe për Uglarin, Gjilanin e Kosovën, ai nuk është thjesht një emër i së kaluarës, është ndërgjegje kombëtare që ende flet./rajonipress/

Foto: Ismet Behluli