Uji Dea

Rrugë e vështirë e dijes dhe e krenarisë

/ 12 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Bahtijar Kryeziu e Xhavit Kryeziu – Shtatë dekada pune të suksesshme të Shkollës fillore “Metush Krasniqi” të Roganës. Me rastin e Ditës së shkollës më 21 maj 2015.

Shkolla e Roganës është njëra ndër vatrat më të hershme edukative-arsimore në komunën e Dardanës. E filloi punën që në vitin 1912 në gjuhën serbe dhe kishte vetëm një dhomë mësimi. Mësimi zhvillohej me vështirësi, si për shkak të mosnjohjes së gjuhës së huaj nga nxënësit shqiptarë, ashtu edhe për shkak të mosvijimit të rregullt të mësuesve serbë. Krahas zhvillimit të mësimit në shkollë në gjuhën serbe, në fshat zhvillohej edhe mësimi i fesë. Atë e udhëhiqnin hoxhallarët e fshatit, si: Ruzhdi Mahmuti, Sali e Shefki Kallaba e të tjerë. Ndërkaq, mësimi në gjuhën shqipe në shkollë filloi zhvillohej që nga viti shkollor 1945/1946, kështu që ky vit (viti 2015) është vit jubilar: 70 vjetori i nismës së mësimit në gjuhën shqipe dhe 103-vjetori i fillimit të punës së shkollës në këtë fshat.

Mësues i pare i kësaj shkolle me mësim në gjuhën shqipe ishte Xhevat Alia nga Gjilani, një mësues i cili atëbotë dallohej me qëndrimin, punën dhe pedanterinë e tij prej pedagogu të vërtetë. Ishte i dashur për nxënës dhe i respektuar nga prindërit. Ai njëherazi ishte edhe drejtor shkolle.

Shkolla e Roganës, përveç mësimit që e zhvillonte në këtë fshat, kishte edhe paralelet e ndara fizike në fshatrat: Hodanoc, Muçivërc, Karaçevë, Kranidell dhe Dajkoc. Është për t’u theksuar se vetëm në shkollën e Roganës, që nga fillimi i mësimit në gjuhën shqipe, mësimi filloi përnjëherë për nxënësit e klasave I, II, III dhe IV, në të cilat klasë ishin përfshirë nxënës të moshës 7-15-vjeçare, varësisht nga përgatitjet që kishin bërë nëpër shkollat e tjera ose që i kishin fituar në familjet e tyre.

Në vitin shkollor 1950/1951 në këtë vatër hapen edhe paralelet e progjimnazit, ku mësimi zgjaste tre vjet. Ky ishte progjimnazi i dytë me mësim në gjuhën shqipe në këtë komunë, pas atij të Hogoshtit.

Në vitin 1957 shkolla merr emrin Shkolla fillore “1 Maji”, ndërsa me 15 tetor 1992, në ditët e pesëvjetorit të vdekjes së veteranit të arsimit, drejtorit të dikurshëm të kësaj shkolle, të burgosurit politik për disa herë e Heroit të kombit tonë, Metush Krasniqi, ajo riemërohet me emrin Shkolla fillore “Metush Krasniqi”, të cilin emër e mban me krenari edhe sot.

Si vatër mësimi e diturie kjo shkollë krenohet, si për numrin e madh të atyre që morën njohuritë e para këtu, ashtu edhe për arritjet e shumta të disave prej tyre. Nga kjo shkollë, deri më tani, kanë dalë mbi 15 doktorë dhe mbi 25 magjistra shkencash; më se 400 veta kanë mbaruar shkollimin sipëror – fakultetet dhe akademitë e ndryshme dhe mbi 260 të tjerë kanë diplomuar në shkollat e larta në vendin tonë apo edhe jashtë tij.

Në mesin e këtyre shkollarëve ka edhe me gradën e gjeneralit dhe të atillë që mbaruan akademi ushtarake të aviacionit e profilesh të tjera të rralla edhe për mjediset e tjera me më shumë traditë. Në këtë shkollë mësimet e para i morën edhe shumë ish-nxënës të saj, të cilët pastaj jeta i mësoi dhe i kaliti për t`u bërë ballë shumë sfidave që i solli koha, si për të gjithë shqiptarët e trojeve tona. Ata të cilët me tërë qenien e tyre u vunë në shërbim të popullit e të vendit, të atdheut e të lirisë, duke mos e kursyer as jetën e tyre, nuk janë të paktë. Me vite të tëra nëpër kazamatet serbe vuajtën: Metush Krasniqi e Sejdi Kryeziu, Qemajl M. Kallaba e Emin Krasniqi, Ramiz Arifi e Sherif Masurica, Bektesh Rrudhani e Zijadin Spahiu, Shefik Sopi, Xhavit Dërmaku, Isa J. Thaçi, Destan Thaçi, Gani Xh. Kryeziu, Hevzi V. Kryeziu, Zijah Rrudhani, Zeqirja Lenjani, Imer Rrudhani, Mujadin Keka e të tjerë.

Po nga radhët e ish-nxënësve të kësaj shkolle, në luftën e drejtë që e zhvilloi populli i Kosovës gjatë viteve 1998-1999, me ndihmën edhe të aleatëve perëndimorë, rrokën armët për të mbrojtur pragun e shtëpisë, nderin e familjes e të atdheut, edhe të rinjtë: Selver Bajram Kryeziu e Emin Ruzhdi Kryeziu, të cilët edhe janë në mesin e atyre 116 dëshmorëve të kombit të cilët u flijuan në betejën e Koshares, me të cilët krenohet familja e shkolla që pati e rriti djem të tillë. Po nga forcat kriminele serbe u likuiduan martirët, ish – nxënës të kësaj shkolle: Asllan Hazir Thaçi, Ismajlhaki Bexhet Morina, Musa Idriz Morina, Nevzad Balë Kryeziu, Ramadan Shaban Kastrati e të tjerët, të cilët për aktivitetet e tyre, kaherë kishin rënë në sytë e regjimit serb.

Mobi Casa

Edhe në fushën e kulturës ka përse të mburret shkolla e Roganës. Të kësaj vatre janë krijuesit, të njohur madje edhe për opinionin e gjerë, si: Adem Kastrati e Faik Kryeziu (piktorë); Nazmije Kastrati – Reka, Kadrush Sylejmani, Zeqir Fazliu, Mustafë Spahiu, Rifadije Basha, Rrustem Geci, Azem Geci (krijuesë letrarë); Izet Kallaba e Dilaver Kryeziu- në lëmin e muzikës e të tjerë. Në disiplina sportive po ashtu pati sportistë të dalluar, jo vetëm në nivel të shkollës së kësaj komune, por edhe në nivel të vendit: Lulzim Kallaba, Shehat Rrudhani, Lumnije Rrudhani, Binaze Hyseni (në atletikë); Njomëza e Qëndresa Kryeziu (kick-box); Granit Nuredini – në karate, i cili disa herë zuri vendin e parë, në kategorinë e tij, në nivel të Kosovës, ashtu si edhe Zijadin Kryeziu, i cili merr pjesë në shumë gara të maratonës të nivelit ndërkombëtar, duke zënë disa herë vendin e parë, si në “Vrapimi i paqes”, i mbajtur në Geteborg të Suedisë, në 10.000 m, në të cilin vrapim morën pjesë 130 garues të 14 shteteve, ku Zijadini zuri vendin e parë, për ç`arsye edhe disa herë u shpall sportisti më i mirë i Kosovës. Gjithsesi krenari e Roganës dhe e kësaj shkolle, edhe me atletë të rinj, mbetet klubi i atletikës “Rogana”, anëtarët e të cilit klub kanë për synim të arrijnë suksese edhe më të mëdha, si në nivel të vendit, evropian, ashtu edhe ne atë botëror.

Shkolla e Roganës ka dhënë ndihmesë të mirë në përparimin dhe emancipimin edhe të femrës shqiptare, e cila përmes shkollimit lë traditën shekullore, atë të mbylljes brenda katër mureve dhe i rreket kreativitetit e rrjedhave shoqërore në familje, në shkollë, e në vende të tjera të punës – në të gjitha mjediset tona shoqërore ku jetohet e punohet.
Për publikun e gjerë nuk është i panjohur emri i mësueses së parë nga kjo shkollë, Nazmije Kastrati, e cila në moshën 17- vjeçare e mori ditarin dhe mbajti mësimin në shkollën e Topanicës (viti 1946), rrugën e të cilës pastaj e vazhduan Ismete Kallaba, Hysnije Geci (e para nga kjo shkollë me fakultet të mbaruar) etj. Se çfarë ndryshimesh janë bërë në vetëdijen e njeriut tonë, i cili në vitet e para të hapjes së shkollës ngurronte t`i dërgonte në shkollë, madje jo vetëm femrat por edhe meshkujt, më së miri flet ky fakt, pa pasur shpresën se një ditë kjo shkollë do të ketë edhe drejtoreshë femër, për herë të parë në historikun e saj – Fahrije Kryeziun, profesoreshë e gjuhës dhe e letërsisë shqipe.

Që nga viti shkollor 1991/1992 e deri me pavarësinë e Kosovës, kur disa paralele të kësaj shkolle kërkuan të pavarësoheshin, nga shkolla janë ndarë dhe janë formuar katër shkolla të plota fillore: Shkolla “Avni Rrustemi” në Karaçevë të Epërme”, “ Asllan Thaçi” në Karaçevë të Poshtme, “Xhavit Ahmeti” në Hodanoc dhe ajo “17 Shkurti” në fshatin Muçivërc, megjithatë, shkolla amë e Roganës sërish mbetet njëra ndër shkollat me numrin më të madh të nxënësve në komunën e Dardanës, madje edhe me paralele të shkollës së mesme, të gjimnazit “Ismail Qemali” dhe paralele të shkollës së mesme teknike “Andrea Durrsaku” të Dardanës.

Shumë nxënës të kësaj shkolle, pas përfundimit të shkollimit, janë punësuar pikërisht në këtë shkollë, si mësues apo edhe si drejtorë të saj (Ramiz Krasniqi, Rifat Keka, Ibrahim Thaçi, Ruzhi Rrudhani, Nehat Rrudhani, Florim Sh. Kryeziu, Bajrm H. kallaba). Ndërkaq, një numër syresh i gjejmë, jo vetëm në cilësinë e mësimdhënësve, por edhe të udhëheqësve të institucioneve arsimore nëpër shumë shkolla fillore, të mesme, të larta e sipërore, madje jo vetëm në vendin tonë.

Në këtë mes po përmendim: Sadik Geci drejtor në shkollën e Desivojcës, Metush Krasniqi, Shaban Geci e Tefik Geci, në shkollën e Hogoshtit, Salih Abazi e Qemajl Veseli, në shkollën e Muhocit, Bajram Krasniqi në Koretin, Aqif Canaj, Qemajl Sh. Kallaba, Avni Krasniqi, Zijah Rrudhani e Sabri Morina në Gjimnazin e Dardanës, Sabri Ahmeti, Selman Geci e Musa Krasniqi në shkollën fillore “Selami Hallaqi” të Gjilanit, Bahtijar Kryeziu në SHLP “Skënderbeu” e pastaj zv. dekan i Fakultetit të Edukimit në Gjilan, Ruzhdi I. Kastrati në detyrën e dekanit të Fakultetit të Mësuesisë në Prishtinë, Minavere Rashiti në postin e prorektores të UP-së, Izet Kastrati në shkollën e Zaskokut e pastaj edhe në atë të Pleshinës së Ferizajit, ku ishte edhe drejtor i parë, Ejup Ahmeti në Shkollën fillore “Liria” të Shkupit, Fehmi Kastrati, drejtor i Shkollës së Mesme Teknike në Dardanë e të tjerë, pa përmendur edhe ata të cilët për disa vite kanë kryer ose kryejnë edhe shumë detyra e funksione të rëndësishme shoqërore. Do t’i mbesim borxh, po të mos përmendshim edhe dy ambasadorët tanë – bijë të Roganës: Shkëndije Geci aktualisht ambasadore në Slloveni dhe Shpend Kallaba, ambasador në Bullgari.

Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës, në këta shtatë dhjetëvjetësha nuk e ka ndërprerë asnjëherë punën, me gjithë vështirësitë e krajatat e shumta me të cilat u ballafaqua. Kjo është arritur falë këmbëngulësisë së kuadrit mësimor, prindërve dhe vet nxënësve të kësaj shkolle. Puna nuk është ndërprerë as në vitet më të vështira të regjimit serb (1990-1999), që mund të quhet edhe periudha e mbijetesës së shkollës shqipe në Kosovë. Gjatë këtyre viteve ndihmë të pakursyeshme ofruan, përveç subjekteve vendore e ndërkombëtare, edhe banorët e kësaj treve, të cilët ndihmuan në mirëmbajtjen e shkollës, në furnizimin e saj me mjete për ngrohje e mjete higjienike, me tekste e mjete të tjera mësimore, në bartjen falas të nxënësve e të punëtorëve në shkollë, në sigurimin e lokalit mësimor edhe në shtëpitë e tyre, sa here që e kërkoi nevoja, si dhe duke dhuruar edhe mjete financiare, për t’u siguruar edhe ato paga minimale mësimdhënësve, ndër të cilët dalloheshin: Enver Raif Kryeziu, Tasim Basha, Asllan Nuhi Kryeziu, Rexhep Qerim Kallaba, Musli Pajazit Kastrati, Zenun Bislim Kçiku, Florim Rexhep Kryeziu, vëllezërit Hamdi e Basri Kryeziu, Ramadan Asllan Morina, Naser Kastrati e të tjerë.

Shkolla e Roganës ka bibliotekën me një fond prej afro 10.000 librash, kryesisht lekturë shkollore e paraparë për nxënës të shkollës fillore, por e cila duhet pasuruar edhe më, ngase kërkesat e nxënësve, në mungesë të mjeteve financiare, nuk mund të plotësohen vetëm me dhuratat e botuesve, siç veprohet këto vitet e fundit, shembulli i mr. sc. Xhavit Kryeziut, prof. dr. Bahtijar Kryeziut e ndonjë tjetër. Shkolla duhet të ketë prestigjin e vet, të ketë fondet financiare dhe ndihmën më të madhe të shoqërisë sonë e jo të ketë gjithnjë pozitën e lypsarit. Në këtë shkollë, përveç paraleleve të nxënësve të shkollave të mesme, punon edhe paralelja e nxënësve me aftësi të veçanta, si paralele e rrallë, jo vetëm në këtë anë.

Për të gjitha sukseset e arritura në procesin edukativo-arsimor, në fushën e shkencës, të letërsisë, në sakrifikimin e jetës për liri e humanizëm, në lëmin e artit figurativ e muzikor, në fushën e biznesit, në disiplinat e ndryshme sportive e në shumë fusha të tjera, lidhen me punën dhe veprimtarinë e kësaj shkolle. Lidhen me emrin e shkollës fillore “Metush Krasniqi”, së cilës neve na mbetet t`i urojmë punë të mbarë e suksese të reja edhe për shumë e shumë mote!/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.