Fundamenti

Rreth projektit të Enciklopedisë së Kosovës dhe Fjalorit Enciklopedik të Kosovës

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës që në vitin 2011 ka miratuar në strukturat e saj projektin afatgjatë “Enciklopedia e Kosovës”. Sipas konceptit të parashtruar me atë rast, projekti do të sendërtohej në dy faza: në fazën e parë do të realizohej projekti afatmesëm i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, ndërsa në fazën e dytë projekti afatgjatë i Enciklopedia e Kosovës, si vepra më madhore dhe më e plotë në fushën enciklopedike te ne.

Ndarja e punës në këto dy faza u shfaq e domosdoshme për tri arsye: e para, një fjalor enciklopedik i Kosovës paraqitej si nevojë më emergjente, në mungesë të një botimi të këtillë me të dhëna burimore për Kosovën; e dyta, duke realizuar një projekt më të vogël (siç është fjalori enciklopedik në krahasim me enciklopedinë) bëhet e mundur që në proces e sipër të krijoheshin edhe strukturat institucionale dhe profesionale, të domosdoshme për një punë afatgjate enciklopedike; dhe, e treta, duke realizuar projektin e fjalorit enciklopedik, krijohet baza e të dhënave për punën e mëtejshme enciklopedike.

Së këndejmi, punën e deritashme të ASHAK rreth Fjalorit Enciklopedik të Kosovës duhet parë si fazë e parë të një projekti afatgjatë, i cili sapo ka filluar dhe do të vazhdojë për aq kohë, sa do të kenë nevojë përdoruesit e botimeve enciklopedike për Kosovën.

Fjalori Enciklopedik i Kosovës

Puna rreth Fjalorit Enciklopedik të Kosovës ka filluar me miratimin e projektit nga strukturat e Akademisë dhe me hartimin e platformës. Sipas kësaj platforme, ngritja e strukturave organizative u bë sipas projektit afatgjatë të Enciklopedisë së Kosovës, ndërsa Fjalori u konsiderua punë pararendëse, ose vetëm fazë e parë e projektit.

Së këndejmi, strukturat e ngritura pranë Akademisë janë struktura të Enciklopedisë së Kosovës, të cilat aktualisht janë të angazhuara në një projekt fillestar, më emergjent dhe më të përshtatshëm për t’u realizuar në këtë fazë. Strukturat organizative të Enciklopedisë së Kosovë janë: Bordi i Enciklopedisë, Këshilli i Enciklopedisë, Redaksia Qendrore e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës dhe redaksitë e fushave të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës. Veçmas u desh një punë e gjatë organizative për ngritjen e redaksive të fushave.

Të tilla janë 24, me nga një redaktor dhe dy anëtar redaksie. Numri i përgjithshëm i bashkëpunëtorëve të përfshirë në këtë projekt është si vijon: 7 anëtarë të Bordit, 7 anëtarë të Këshillit, shtatë anëtarë të Redaksisë Qendrore dhe 72 redaktorë dhe anëtarë të redaksive të fushave. Bashkëpunëtorët e angazhuar në këtë projekt janë kryesisht anëtarë të Akademisë, ose profesorë dhe punëtorë të njohur shkencorë të UP-së dhe të instituteve tona shkencore.

Fjalësi i zërave

Faza e parë konkrete në realizimin e projektit të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës ishte hartimi fjalësit të zërave. Mungesa e bazës së të dhënave, sikundër edhe e një përvoje të punës enciklopedike kërkoi që, paralelisht me hartimin e kritereve, të bëhej edhe një punë përgatitore profesionale, konsultime, trajnime, diskutime, përfshirë edhe tryeza shkencore. Tani mund të thuhet se kjo fazë e punës ka përfunduar, pra është hartuar fjalësi i plotë i zërave të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës.

Secila nga 24 fushat ka punuar nga disa versione të fjalësve të fushës përkatëse, ndërsa versione të përfunduara, të përmbledhura, janë punuar tre: versioni i parë me 6.945, versioni i dytë 5.992 zëra dhe versioni i tretë 6040 zëra. Tani gjendemi në fazën përmbyllëse të hartimit të versionit përfundimtar të fjalësit, i cili në të vërtetë do të qëndrojë i hapur për ndryshime dhe plotësime deri në dorëzimin e veprës në shtyp.

Meqë fjalësi konsiderohet baza e përfshirjes së lëndës në Fjalor, e kemi parë të nevojshme që versioni i fundit i këtij fjalësi të nxirret në diskutim publik, përmes një botimi pilot, në kopje të kufizuara, i cili do t’u vihet në dispozicion të gjitha institucioneve tona, medieve dhe të interesuarve të tjerë, në mënyrë që të sigurohet një përfshirje sa më e plotë e njësive përmbajtësore në këtë Fjalor.

Mobi Casa

Ashtu sikundër është thënë edhe në platformën për hartimin e Enciklopedisë së Kosovës, të drejtën ekskluzive të posedimit, të shfrytëzimit dhe të publikimit të të dhënave të krijuara përmes këtij projekti e ka vetëm Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Botimin e fjalësit të kompletuar të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës do të bëhet në muajt e parë të vitit vijues.

Hartimi i teksteve

Me miratimin e fjalësit të zërave nga Redaksia Qendrore, redaksitë e fushave njëkohësisht kanë marrë për detyrë të bëjnë propozimet e tyre për madhësinë e secilit zë, si dhe emrat e bashkëpunëtorëve të fushës, të cilët do të jenë autorë të teksteve. Këto propozime mbetet të bëhet gjatë muajve të parë të vitit 2014. Situatë ideale do të ishte sikur secili autor të mos përfshihej me më shumë se dhjetë zëra, mirëpo kjo do të jetë e vështirë të realizohet, sepse, në një rrethanë të tillë, numri i autorëve të përfshirë në procesin e hartimit të teksteve do të arrinte mbi 600. Për disa fusha, siç janë informimi, letërsia etj. gjetja e 30 ose 35 autorëve që mund të shkruajnë tekste nuk paraqet ndonjë problem, por ka shumë fusha të tjera, ku ushtrimi i zejes së shkrimit, veçanërisht te ne, është jashtëzakonisht deficitar. Prandaj do të jetë e nevojshme që për disa fusha numri zërave për autorë do të jetë më i madh, krahasuar me disa fusha të tjera.

Nëse arrihet të mbahet kjo dinamikë e punës, është paraparë që puna kryesore rreth hartimit të teksteve të zërave të vazhdojë gjatë viteve 2014 dhe 2015, kohë kjo që do të jetë e mjaftueshme edhe për procedurat e redaktimit të teksteve. Secili tekst do t’i kalojë së paku tri shkallë të redaktimit.
Botimi pilot i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës mund të pritet të bëhet në vitin 2016.

Qendra Leksikografike-Enciklopedike

Paralelisht me punën për hartimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, janë bërë edhe hapat e parë të përgatitjes për hartimin e Enciklopedisë së Kosovës. Për këtë qëllim, pranë ASHAK tashmë ka filluar funksionalizimi i Qendrës Leksikografike-Enciklopedike, e cila në fazën e ardhshme do t’i marrë përsipër të gjitha punët profesionale dhe organizative të Enciklopedisë së Kosovës. Kjo strukturë institucionale, ndërkohë, duhet të pajiset me mjete teknike dhe me kuadër të nevojshëm profesional, i cili në kuadër të Akademisë do të bëjë punë të pavarur profesionale dhe shkencore.

Mbështetja financiare

Duhet theksuar se për punën e deritashme në këtë projekt të rëndësishëm për Kosovën, Akademia e Shkencave dhe e Arteve ka gjetur mbështetje të plotë të strukturave institucionale, shtetërore, në mënyrë të veçantë të atyre buxhetore. Kërkesat e Akademisë, krahasuar me çmimin e projekteve të këtilla në vende të tjera, kanë qenë gjithmonë të arsyeshme, për të mos thënë modeste, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të vendit tonë dhe prioriteteve të shumta që ka shteti ynë. Sido që të jetë, mbështetja e deritashme buxhetore për këtë projekt ka qenë e vazhdueshme, pa hasur në vështirësi dhe pengesa. Për këtë mbështetje, ne i jemi mirënjohës Qeverisë së Kosovës dhe strukturave të tjera institucionale, të cilat kanë pasur mirëkuptim dhe kanë ofruar mjete financiare të vazhdueshme, duke na krijuar kushte optimale për hartimin e një vepre të këtillë, kaq të rëndësishme për shtetin e Kosovës./KultPlus.com/

Kryeredaktori i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës
Akademik Mehmet Kraja