Rrenat e Th-së

Nga Arben Idrizi – Falë rrenave të përfaqësuesve tonë politikë, ne jemi qytetarë që nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër Europën që e synojmë. Prandaj, do të vazhdojmë të zvarritemi nëpër baltën e vendit tonë të mjerë, si ca qenie pa kurrfarë dinjiteti.
Mund të jetë e thënë nga ndonjë autor i harruar ose jo, unë po i referohem filmit ‘V for vendetta’, duke parafrazuar: artistët e përdorin rrenën për ta thënë të vërtetën, politikanët për ta fshehur.
Në të vërtetë, megjithëse nuk do të merremi me këtë tani, ka një thesar të tërë të literaturës për rrenën në politikë, duke u nisur nga Agustini, e pastaj duke kaluar te Kanti, Swifti, Hannah Arendt, Eco, etj.
Të kuptohemi atëherë, e përdorim termin ‘rrenë’ pa i dhënë ndonjë konotacion të fyerjes.
Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili tanimë përfaqëson Qeverinë në cilësinë e kryeministrit, kishte premtuar liberalizmin e vizave, në rast se do t’i besohej qeverisja e vendit. Parashikimi kapte datat që tashmë i kemi kapërcyer. Ai kishte premtuar, më 2010, se plot 15 (pesëmbëdhjetë) muaj pas formimit të Qeverisë, do të vinte liberalizimi i vizave.
Liberalizimi i vizave nuk u arrit. Për më tepër, së fundmi kemi lajme tepër dekurajuese për të gjithë qytetarët që e kanë pritur me padurim një gjë të tillë.
Këtë na e thotë konkretisht raportit i Komisionit Europian, që përmban vlerësimet për punën e institucioneve kosovare në përmbushjen e këtyre obligimeve. Një nga fushat më problematike që thekson raporti, e që është theksuar vazhdimisht dhe po kështu e kemi ditur te gjithë ne prore, është krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Kosova, sipas raportit, nuk ka bërë përparimet e nevojshme në këtë drejtim. Duke qenë kështu, një liberalizim i mundshëm, pra lëvizja e lirë e kosovarëve, në të tilla rrethana do të përbënte rrezik për sigurinë e brendshme të BE-së. BE nuk mund t’ia lejojë vetes të jetë e rrezikuar. U takon autoriteteve kosovare t’i përvjelin mëngët dhe t’i plotësojnë kushtet e parapara, përndryshe, do të vazhdojnë refuzimet.
Siç e shohim, gjendja, e përshkruar në këtë mënyrë, është krejt e qartë. Ne duhej të bënim detyrat tona. Ne s’i kemi bërë detyrat tona. Sado e dhimbshme dhe e çuditshme të tingëllojë, lëvizja jonë e lirë është rrezik për të tjerët. Jo pse ne duam të jetë e tillë, por sepse fatkeqësisht dhe falë rrenave dhe pafytyrësive të politikanëve tonë, sidomos PDK-së, është e tillë.
Atëherë, a duhet parashtruar pyetja pse PDK, përkatësisht Thaçi, gënjeu?
Siç e shihni, pyetja është e dyfishtë.
Po, pyetja edhe mund të parashtrohet.
Gënjeu, ngase është e lejuar, sidomos sipas logjikës së subjekteve tona politike dhe vetëdijes qytetare politike, të gënjehet. Të gënjehet dhe të mos mbahet përgjegjësi, bile t’i hidhet faji tjetrit. Thënë të vërtetën, secili që kishte dy palë mend e dinte se kjo rrenë ishte rrenë. Dhe e pranonte si rrenë. Shkonte të votonte për atë rrenë. Ose nuk shkonte fare të votonte, duke e pranuar atë rrenë si rrenë. Thaçi e dinte se kjo rrenë do të pranohej. Prandaj e bënte.
Kjo mund edhe të kalojë. Ajo që është më e rëndë dhe më e pafalshme është kur, pas raportit të fundit të KE-së, përpiqet që fajin t’ia hedhë BE-së.
“Ngecjet për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk janë teknike, janë kryekëput politike dhe se këto pengesa janë në Bruksel dhe ndërlidhen drejtpërdrejtë me mos-unitetin e vendeve të Bashkimit Evropian sa i përket statusit politik të Kosovës. Kjo vonesë e Brukselit është e padrejtë në raport me Kosovën”, ka thënë Kryeministri Thaçi në një intervistë për REL.
Do të doja ta besoja këtë. Sepse, meqë jemi te rrena, do të dukej sikur më pëlqen ta rrej veten. E vërteta, të cilën, përtej raportit të KE-së, e kemi thënë vazhdimisht, është se krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi, papunësia – të sjella në fuqi nga PDK, LDK dhe AAK – e kanë mjeruar Kosovën në pikën që duket sikur s’ka shpresë ringjalljeje edhe për dekada.
Kjo klasë politike është përgjegjëse e vetme dhe e vazhdueshme e refuzimit që na e bën Brukseli.
Do të ishte paksa jologjike dhe qesharake sikur të shpresonim se do ta luftojë vetveten. Ngase ky është kushti, pak a shumë, të ndëshkohen dhe eliminohen krimet, keqpërdorimet dhe vjedhjet e kësaj klase politike.
Ne vetëm mund ta rrejmë veten se do ta bëjnë këtë. Pasi që të na kenë rrejtur se do të bëjnë këtë.
Si pasojë e kësaj, tërë ata qytetarë të mjeruar, të cilët do të donin të kishin një vend pune, një jetë me standard normal, mirëqenie, siguri dhe të lëviznin të lirë, nuk i kanë asnjërën nga këto. Për më tepër, mundësia që ata të lëvizin konsiderohet si rrezik për të tjerët.
A po mund ta kapni tragjedinë?
PDK, LDK dhe AAK e kanë sjellë qytetarin në atë derexhe sa të konsiderohet si rrezik për të tjerët. Ne, qytetarët, jemi rrezik për të tjerët. Ndërkohë që ne jemi rrezik dhe vuajmë si qentë e rrugës, ata që e kanë sjellë dhe thelluar këtë mjerim i kanë të gjitha, pasaportat diplomatike për të lëvizur lirisht ngado që të duan, kanë paranë publike që mund ta përdorin për këto lëvizje, kanë vendet e punës, kanë veturat, kanë mëditjet, kanë gjithë ato mundësi që ua dhuron shkelja e ligjit dhe mosdhënia llogari.
Prandaj, Thaçi rren hapur: “I kemi zbatuar në afatin rekord standardet dhe kriteret e nevojshme dhe do të punojmë edhe në rekomandimet e reja që kemi, por nuk ka qenë e arsyeshme dhe nuk është e justifikueshme që për Kosovën të ketë standarde të dyfishta në raport me vendet tjera që e kanë kaluar këtë proces apo që për vende të caktuara të ketë standarde të dyfishta”.
Me pak fjalë, ka ndodhur pikërisht ajo që u mundua ta mohojë ministrja Çitaku, e cila, pa pasur aspak shije për ironizim, u deklarua se nuk e ka ndërmend të qesë fall. Fall qitet pikërisht kur thuhet se nuk qitet fall. Fall qitet edhe kur hiqet përgjegjësia nga vetja për diçka për të cilën je përgjegjës. Fall qitet kur nuk i kryen punët për të cilat je zotuar dhe deleguar. Fall qitet kur e di se po rren dhe thua se nuk po rren.
Për t’i rënë shkurt, falë rrenave të përfaqësuesve tonë politikë, ne jemi qytetarë që nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër Europën që e synojmë. Prandaj, do të vazhdojmë të zvarritemi nëpër baltën e vendit tonë të mjerë, si ca qenie pa kurrfarë dinjiteti.