Albin Kurti – (krye)ministria e të vërtetës
Nga Besa Ismaili – Kryeministri pasi u bë rezil masivisht, iu paska drejtuar qytetarëve me një video. E pritshme mohimi i të vërtetës dhe realitetit. Por ajo që është e frikshme në atë video, por tipike për një pushtetar autoritar si z.Kurti, është thirrja e tij qytetarëve që të besojnë vetëm versionin zyrtar të pushtetit për pushtetin.
Kryeministri Kurti qytetarëve u kërkon të pranojnë, pa asnjë dyshim, versionin zyrtar të ngjarjeve, pavarësisht nëse ky version bie ndesh me realitetin apo përvojat personale.
Ai u kërkon atyre të mos u besojnë medieve, shoqërisë civile, opozitës jo se jo, por as raporteve të pavarura ndërkombëtare dhe as syve tonë.
Ngjashëm si në novelën “1984” të George Orwell-it, ku partia e kontrollon çdo aspekt të së vërtetës përmes mekanizmave si “Ministria e të Vërtetës” për të detyruar qytetarët të pranojnë absurditete siç është slogani: “Lufta është Paqe, Liria është Skllavëri, Injoranca është Fuqi”, etj.
Monopolizimi i së vërtetës, narrativave dhe informacionit nga Albin Autoritari, është përpjekje e tij për të imponuar versionin e tij, për të shtuar hajninë, represionin dhe frikën në shoqërinë tonë.
Ai do që pushteti i tij të mbështetet pa kushte, pa mendim kritik, vetëm për të krijuar realitete të kontrolluara.
Meqë guximit qytetar, profesionizmit medial dhe opozitarizmit politik ende po i rrah damari në Kosovë, ai është i pakënaqur me këtë gjendje, prandaj po kërkon më shumë pushtet: vetëm për të shkelur më shumë qafën e qytetarit dhe kurrizin e shtetit.