Uji Dea

Rrëfimi i Ramës: Arratisja ime nga hoteli në Gjermani në ’84

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama gjatë një intervistë të dhënë pak ditë më parë për radion “France Inter” me intelektualin e famshëm, ish- Ministrin e Kulturës së Francës, Frederic Mitterrand ka rrëfyer për herë të parë “arratisjen” e tij në vitin 1984 nga një hotel në Gjermani për të parë muzeun e Bremenit.

Ju ishit student i Arteve të Bukura, merreshit dhe me sport. Nga ana tjetër në këtë sistem krejt paranojak në Tiranën e viteve ‘80 drejtuesit nuk ishin dhe aq larg sepse njiheshin njerëz që i njihnin. Si funksiononte?

Sporti ishte një mënyrë që të mund të dilnim jashtë vendit, sepse vetëm nëpërmjet sportit dhe vetëm nëse ishim pjesë e një ekipi kombëtar mund të dilnim jashtë. U mora me sport sepse doja absolutisht të shihja një muze arti dhe kur dola për herë të parë jashtë vendit, në Gjermani, më kujtohet një arratisje e pabesueshme nga hoteli, për të parë muzeun e Bremenit, ku pashë për herë të parë një Picasso origjinal.

Sa vjeç ishit?

Ishte viti 1984. Isha 20 vjeç.
Diktatori Hoxha ishte ende gjallë. Ai vdiq në vitin 1985.
Drejtuesit ishin shumë larg. Por është interesante për studiuesit e komunikimit. Enver Hoxha shfaqej në television vetëm dy-tre herë në vit. Ishte i pranishëm kudo në afishe, fotografi në librat e historisë…

Edhe në ndërgjegjen e njerëzve.
… në gazeta. Emri i tij përmendej çdo ditë, kudo, por imazhi i tij i vërtetë shfaqej në televizion vetëm dy-tre herë në vit. Kjo e bënte pothuajse mitik. Si në librin e Orwell “1984”?
Ishte i pranishëm nëpërmjet mungesës së tij.

Shqipëria është vend shumë i bukur, mesdhetar. Në verë është dëshira për të shkuar në plazh. A kishte momente të ëmbla pavarësisht nga çfarë thamë më lart?
Mund të duket paradoksale, por ishtë një vend ku qeshej shumë. E qeshura ishte shumë e pranishme sepse anekdotat prodhoheshin çdo ditë dhe nëpërmjet të qeshurës gjenim një strehë nga mbyllja e madhe. Në atë kohë kishim plazhet besoj më të mrekullueshmet në botë, sepse ishin të virgjëra dhe të pazhvilluara. Fatkeqësisht humbëm shumë prej tyre dhe na duhet tashmë të mbrojmë çka mbetet. Është pikërisht ajo çka Orwell e thotë shumë mirë në librin e tij “1984”, fjalët e humbën kuptimin e tyre, u deformuan dhe shndërruan plotësisht: komunizmi u dha fjalëve një kuptim tjetër. Pikërisht, dhe pa këto fjalë komunizmi do të ishte i zbrazët.

Ju ishit kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe u rizgjodhët. Me sa duket njerëzit ishin të kënaqur nga ajo që ju bëtë, sepse ju vërtetë e transformuat qytetin dhe i dhatë nur, sepse qyteti u bë i bukur.
Tre vitet e para ishin tre vitet e rilindjes së shpresës dhe njerëzit rifilluan të besonin se mund të kishte një jetë publike në Shqipëri, sepse njerëzit kishin bërë gjithçka për pronën e tyre, por pas 10 vjetësh ne e gjetëm veten të izoluar nga njëri-tjetri. Kjo sepse ne kishim tashmë shtëpi dhe prona më të mëdha, por nuk kishim më jetën dhe hapësirën publike. Ripërvetësimi i hapësirës i publike ishte ajo çka doja të bëja dhe që do më jepte gjithashtu mbështetjen dhe respektin e njerëzve.

Fundamenti

Mendoj se keni një program dhe projekte shumë të rëndësishme, duke qenë se vini pas vitesh të një lufte të rëndësishme politike dhe pas përvojës 10- vjeçare si kreu i qytetit të Tiranës.
Kemi paraqitur një program, i cili luajti një rol të rëndësishëm për ndryshimin e natyrës së përballjes politike, pa përplasje ndërmjet personaliteteve, pa urrejtje dhe refuzim të tjetrit, sepse nga komunizmi kemi trashëguar gjithashtu edhe këtë kulturë të refuzimit të tjetrit dhe kulturën e armikut të brendshëm. Për këtë arsye mendoj se opozitat kanë vuajtur për shkak të mungesës së respektit dhe mungesës së dëgjimit. Partitë politike kanë bërë lojën e së shkuarës. Ne paraqitëm një program të cilin e quajtëm “Për një Rilindje Shqiptare”, një program ku kërkojmë të përcjellim mesazhin e ndryshimit, duke filluar nga nevojat e një shteti, i cili nuk është një shtet i cili i merr të gjitha në ngarkim, por një shtet i cili respekton dhe u shërben qytetarëve.

Kam dëgjuar se për një periudhe të caktuar, njerëzit ju qortonin se ishit shumë skandinav? Në kuptimin e të pasurit një vizioni mbi demokracinë shumë të qetë që nuk përputhej me gjendjen e shoqërisë, e cila është shumë më konfliktuale.
Pikërisht, sepse kjo kulturë e luftës së përhershme, kultura e refuzimit të tjetrit është ende shumë e fortë në vendin tonë. Sot jemi përballë një sfide shumë të rëndësishme: të ndryshimit të modelit të zhvillimit, sepse modeli qe kemi pasur dhe që nuk do të kemi më, është një model i ngritur mbi spekulimin, ndërtimin kudo, të ardhurat e emigrantëve të vendosur kryesisht në Itali dhe Greqi, të cilët tani po kalojnë një periudhë shumë të vështirë dhe një merkantilizmi të çmendur. Duhet të kalojmë në një model të prodhimtarisë; të investimeve të cilat do të krijojnë vende pune, sepse Shqipëria është një vend me nivel shumë të lartë të papunësisë; një model të zhvillimit rural, i cili shtyn prodhimin e brendshëm agro-ushqimor; dhe një model të zhvillimit të turizmit pa shkatërruar vendin.

Shqipëria ka reputacionin, si dhe Republika motër e Kosovës, e një vendi të gërryer nga mafia. Cila është përgjigjja juaj ndaj kësaj?
Mendoj se nga njëra anë është një e vërtetë e trishtueshme sepse nuk vuajmë thjesht nga korrupsioni i elitave por nga një korrupsion endemik, pra që prek qytetarët në çdo hap dhe në çdo takim me institucionet dhe shtetin. Nga ana tjetër ekziston një stereotip mjaft cinik ndaj këtyre vendeve që nuk ka të bëjë me realitetin nëse e marrim në një kontekst më të gjere. Nuk besoj se Republika e Kosovës apo e Shqipërisë vuajnë nga korrupsioni në elita më shumë se Rumania, Bullgaria apo Hungaria. Problemi është korrupsioni endemik dhe kjo është pasojë e mungesës së një shteti modern, mungesës së shërbimeve dhe strukturave që i përgjigjen ligjit dhe nevojave të qytetarëve. Në këtë pikë nevojitet modernizim dhe ndryshim radikal. Shembulli i Bashkisë së Tiranës më ndihmon të them që mund t’ja dalim pa dyshim.

Folëm pak më parë për lidhjen mes Shqipërisë dhe Kosovën, sepse Kosova është gjithashtu një vend shqiptar. Përse në 1912 kur u vizatua harta e Shqipërisë nuk u përfshi dhe Kosova, sepse dhe ata janë shqiptarë. A ekziston pretendimi për të krijuar “Shqipërinë e madhe”?
Mendoj se jetojmë në një botë tjetër pas krijimit të Bashkimit Europian dhe pas proceseve që shkojnë drejt plotësimit të këtij unioni, jetojmë në kontekst tjetër. Mendoj se sot duhet rikrijuar ideja e bashkimit dhe e bashkëpunimit nën shpirtin europian sepse është mënyra më e mirë për të arritur objektivat e lidhura me këtë “Shqipëri të madhe” në thonjëza, që janë në fund të fundit të lidhur me mirëqenien e njerëzve.

Ku e keni mësuar frengjishten Edi Rama?
Kam mësuar të lexoj pa ditur asnjë fjalë nëpërmjet librave të ndaluar. Lexoja librat e artit po gjithashtu Kafka, Proust, shumë shkrimtarë të ndaluar të kohës së komunizmit. Por kam humbur shumë nga njohuritë e mia, e flisja më mirë kur jetoja këtu.

Diçka e fundit. A keni ende kohë për të pikturuar?
Po, pikturoj gjatë gjithë kohës, por në formën e vizatimeve mbi letrat e punës gjatë mbledhjeve. Kurrë nuk e kisha menduar se mund të ishte art por njerëzit më thonë që janë më të bukur se sa pikturat që bëja kur isha thjesht artist.

Ju jeni tashmë Kryeministër i Shqipërisë. Kam lexuar se keni thënë se ju merreni me politikë pasi politika është aksion dhe aksioni i shtyn kufijtë e vdekjes. Mendoni në të njëjtën mënyrë edhe tani?
Unë mendoj se ka një lidhje mes vdekjes dhe politikës dhe mendoj se ka një lidhje të përhershme mes një njeriu që merret me politikë dhe vdekjes. Sepse në fund, qoftë një frikë permanente, qoftë një vullnet për të tejkaluar vdekjen, kjo e shtyn politikanin drejt totalitarizmit dhe diktaturës.(BalkanWeb)