UBT

Rivlerësimi i historisë, një proces krejtësisht normal

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Historiani Marenglen Kasmi, që i përket një brezi relativisht të ri studiuesish, flet në një bisedë ekskluzive me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë, gjerësisht mbi debatin që në këto 20 vjetët e fundit thuajse ka përfshirë të gjitha nivelet intelektuale të vendit.

Rishkrimi i historisë së Shqipërisë u është besuar për ta rishkruar dy historianëve të huaj. Si historian i ri jeni të bindur se ne s’mund ta bëjmë dot vetë këtë punë?

Kasmi: Mendoj se përfshirja e dy historianëve të huaj në këtë proces është pozitive dhe do t’i shërbejë qëllimit. Por njëherazi, besoj se ky proces nuk mund të jetë një sfidë vetëm e një grupi të vogël studiuesish. Rishikimi i historisë duhet të organizohet mbi baza gjithëpërfshirëse. Ky duhet të jetë një proces bashkëpunimi më i gjerë historianësh, vendas e të huaj dhe jo punë e një personi të vetëm. Në këto grupe pune, duhet të përfshihen jo vetëm përfaqësues të gjithë brezave të historianëve, por po ashtu edhe historianë që ndajnë pikëpamje të ndryshme. Kështu, puna në grup bëhet më e larmishme dhe mundësia e arritjes së një përfundimi të pjekur historik është më e madhe.

Debatet e zjarrta lidhur me Luftën e Dytë Botërore, por dhe me figurat e saj janë debate jokonstruktive, aspak produktive dhe tepër armiqësore. Pse është ende i ndezur ky diskurs dhe lëndon gjithmonë sa herë mes nesh ka përvjetorë të saj?

Kasmi: Një nga arsyet kryesore të këtij revizionimi të tejskajshëm të historisë së luftës, është se natyra e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesit ngatërrohet, ose më saktë njehsohet me natyrën e lidershipit të kësaj lufte ose forcës politike që e drejtoi atë. Unë mendoj se këto dy fenomene duhen ndarë nga njëra-tjetra. Nëse flasim me shifra, nga viti 1941 deri në vitin 1944, numri i komunistëve në Lëvizjen Nacionalçlirimtare varionte nga 2400 deri në 3600 anëtarë partie, pra rreth 4-6% të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kështu që kjo nuk mund të ishte një luftë vetëm e komunistëve, por një luftë e gjithë popullit shqiptar kundër pushtuesit, siç ishte edhe lufta e shumë popujve të tjerë.

Sot historianë të ndryshëm ndahen në pjesën e pas nëntorit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, atëherë dhe kur ka nisur një tjetër luftë mes forcave politike në Shqipëri, pas marrëveshjes së Mukjes, një luftë civile. Ju çfarë mendimi keni për të?

Kasmi: Nëse vlerësojmë zhvillimet politiko-ushtarake të Shqipërisë në këtë periudhë, arrijmë në përfundimin se lufta e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një luftë antifashiste, e drejtuar kundër pushtuesve të huaj, por që në fazën e fundit të saj shfaqen hera-herës edhe elemente të një lufte civile, apo lufte për pushtet. Nisur nga përkufizimi i luftës civile, mund të thuhet se në një vend të pushtuar nuk mund të ketë luftë civile, e sidomos atëherë kur njëra palë pjesëmarrëse në konflikt, bashkëpunon dhe mbron interesat e pushtuesit.

Pas pushtimit gjerman, antagonizmi në rritje ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste u bë një nga faktorët kyçë për politikën gjermane në Shqipëri. Të dyja këto rryma politike kërkonin me çdo kusht të vinin në pushtet pas lufte. Premtimet e gjermanëve, që pushtimi ishte një pasojë e pastër e nevojave ushtarake, lidhur me garancinë e një Shqipërie të pavarur, zgjonte te nacionalistët shqiptarë shpresën për realizimin e një politike të brendshme dhe të jashtme relativisht të pavarur. Edhe besimi se gjermanët do të shkatërronin lëvizjen komuniste – çka ata për hir të së vërtetës thuajse e arritën në dimrin 1943-1944 – ishte një arsye jo e paktë e nacionalistëve shqiptarë për ta pranuar këtë realitet.

KKVITI

A ka qenë e sinqertë ndihma dhe mbështetja e krahut perëndimor të aleancës së madhe antifashiste ndaj Shqipërisë?

Kasmi: Qeveria britanike nuk arriti gjatë Luftës së Dytë Botërore të kristalizonte një koncept të qartë për politikën që duhej të ndiqej ndaj Shqipërisë. Një politikë ndaj Shqipërisë artikulohej në rastin më të mirë, vetëm në lidhje me konceptet politike të gjithë rajonit të Ballkanit ku, duhet theksuar se, qendra e rëndesës e politikës britanike qëndronte mbi Greqinë dhe Jugosllavinë, dhe Shqipëria kishte në të gjitha pikëpamjet një rol dytësor.

Edhe në Shqipëri, politika britanike nuk do të bënte asnjë përjashtim: do të mbështetej dhe ndihmohej cilido që i shkaktonte dëmtime Wehrmacht-it gjerman. Si rezultat i kësaj politike, prej prillit të vitit 1943 në Shqipëri vepronin misione ushtarake britanike.

Përfundimisht mund të theksohet se, Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që nuk do të kapej dhe çlirohej drejtpërdrejt nga aleatët, por as nuk do të përdorej si rrugë kalimi prej tyre.

A mund të jetë Enver Hoxha një fenomen i pashmangshëm i Luftës së Dytë Botërore?

Kasmi: Fenomeni Enver Hoxha lidhet ngushtë me Luftën e Dytë Botërore, sepse është një produkt i kësaj lufte. Përvoja historike tregoi se gjithë drejtuesit e shtetit që dolën nga kjo luftë dominuan për një kohë të gjatë jetën e popujve të tyre, pavarësisht ideologjisë që ata përkrahën.

Për fat të keq, Shqipëria do të përjetonte një nga format më agresive të shfaqjes së ideologjisë komuniste, duke e përshkallëzuar këtë ideologji, madje në një formë edhe më agresive sesa ajo u shfaq në vendlindjen e saj, në Bashkimin Sovjetik.

Enver Hoxha do të mbahet mend si njeriu që erdhi në pushtet si fitues i luftës dhe që për më se 40 vjet sundoi si diktator dhe e përdori pushtetin për të asgjësuar kundërshtarët e tij, shumica e të cilëve vinin njësoj si ai, nga radhët e luftës.