Nuhi Ismajli, zë i rëndësishëm i mendimit letrar dhe kulturor nga Gjilani
Gjilan – Nuhi Ismajli mbetet një nga figurat më të respektuara të jetës kulturore dhe letrare shqiptare në Kosovë, veçanërisht në qytetin e Gjilanit, ku ai veproi dhe kontribuoi për dekada me radhë. I njohur si studiues, kritik letrar, eseist dhe gjuhëtar, Ismajli la pas një trashëgimi të çmuar intelektuale që vazhdon të vlerësohet edhe sot.
Ai ishte një krijues i përkushtuar ndaj gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke trajtuar me seriozitet shkencor dhe ndjeshmëri estetike temat e traditës kulturore, identitetit dhe zhvillimeve letrare bashkëkohore. Shkrimet e tij janë botuar në shumë gazeta dhe revista të njohura shqiptare, ku spikatën për qartësinë e mendimit, argumentimin e fortë dhe guximin intelektual.
Përveç veprimtarisë krijuese dhe studimore, Nuhi Ismajli ka dhënë kontribut të rëndësishëm edhe në arsim, duke punuar si profesor dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin e brezave të rinj. Ai ishte i njohur për korrektësinë profesionale, përkushtimin ndaj dijes dhe dashurinë për librin.
Me botimin e veprave të tij studimore dhe eseistike, Nuhi Ismajli zë një vend të veçantë në mozaikun e kulturës shqiptare në Kosovë. Vepra dhe mendimi i tij mbeten një referencë e rëndësishme për studiuesit, krijuesit dhe lexuesit që kërkojnë thellësi, vlerë dhe autenticitet në fjalën e shkruar.
Nuhi Ismajli, njeriu i vogël me trup, por gjigant i dijes dhe fjalës shqipe
Nuhi Ismajli lindi më 1953 në fshatin Terziaj të komunës së Gjilanit, një trevë që do t’i ushqente që herët dashurinë për gjuhën, librin dhe kulturën shqiptare. Shkollën fillore e kreu në Zhegër, ndërsa arsimin e mesëm, normalen dhe gjimnazin në Gjilan. Studimet universitare i vijoi në Prishtinë, ku u diplomua në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, duke e shndërruar pasionin në profesion dhe mision jetësor.
Për dekada me radhë, Nuhi Ismajli punoi si profesor në Gjimnazin e Gjilanit, duke formuar breza nxënësish dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin dhe mendimin kritik shqiptar. Ai ishte studiues i përkushtuar i kulturës shqiptare, historian i letërsisë, kritik letrar, eseist, polemist dhe gjuhëtar, një krijues i palodhur dhe jashtëzakonisht produktiv.
Paraqitjen e parë publike me shkrime për çështje të arsimit e bëri në vitin 1983, për të vazhduar më pas me analiza dhe studime të shumta në fushën e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës. Shkrimet e tij u botuan në gazetat dhe revistat më të rëndësishme shqiptare: “Rilindja”, “Fjala”, “Shkëndija”, “Bujku”, “Koha Ditore”, “Zëri”, “Bota Sot”, “Epoka e Re”, “Kosova Sot”, “Iliria Post”, “Identiteti”, si dhe në “Shekulli” dhe “Koha Jonë” të Tiranës.
Në vitin 1998 mori pjesë në Sesionin Shkencor për Eqrem Çabejn, të organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Kontributi i tij shkencor dëshmohet edhe përmes gjashtë njësive bibliografike kushtuar veprës së Gjon Buzukut, të përfshira në botimin “Buzuku dhe gjuha e tij”.
Ndër veprat më të rëndësishme të Nuhi Ismajlit dallohen:
“Nga vlerat e traditës” (Rilindja, Prishtinë, 2000),
“Kureshtje letrare” (Ura, Gjilan, 2001),
“Aktualizime letrare” (SAS, Prishtinë, 2009),
“Vepra e Gjon Buzukut” (studim, 2010),
“Përsiatje letrare” (2012),
“Shqetësime socio-kulturore” (studim shkencor, 2014).
Për kontributin e tij të vyer në vlerësimin dhe pasurimin e letërsisë shqipe, Drejtoria Komunale e Gjilanit për Kulturë, Rini dhe Sport e shpërbleu Nuhi Ismajlin me çmimin për veprën më të mirë – një mirënjohje e merituar për një mendje të kthjellët dhe të angazhuar pa kompromis.
Krahas studimeve, ai botoi herë pas here edhe tregime dhe shkrime letrare në shtypin ditor, ndërsa pas vdekjes la në dorëshkrim edhe vepra të tjera të pabotuara, dëshmi e një krijimtarie që nuk reshti kurrë.
Nuhi Ismajli ishte njeri që e çmonte kohën. Nuk e shpërdoronte fjalën dhe as minutën. Kur fliste për letërsinë, dukej sikur ajo e ushqente shpirtërisht: Noli, Kadareja, Fishta, Asdreni, Migjeni, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci ishin pjesë e natyrshme e bisedave të tij të thella dhe kuptimplota. Çdo fjali e tij ishte e rrjedhshme, e menduar dhe e lidhur ngushtë me realitetin e sotëm.
Ai ishte njeri me guxim intelektual, që e luftonte të keqen, padrejtësinë dhe mediokritetin. Zëri i tij kritik dhe kryengritës shpesh të kujtonte figura si Hivzi Sylejmani apo Noli i Madh. I vogël me trup, por i madh në dije, ai mbeti shembull i studiuesit të ndershëm dhe intelektualit të angazhuar.
Nuhi Ismajli vdiq papritur më 30 nëntor 2015. La pas vetes bashkëshorten dhe dy fëmijë, si dhe një trashëgimi të çmuar kulturore e shpirtërore. Sot ai mungon në faqet e gazetave, në orët letrare dhe debatet kulturore, por kurrë nuk do të mungojë në kujtesën dhe shpirtin e atyre që e njohën, e lexuan dhe e respektuan – si mik, profesor dhe studiues i letërsisë shqipe./rajonipress/


