United Hospital

Rexhepi Demiri ishte gazetar e krijues i dhimbjes shpirtërore

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Rexhep Demiri tash e dhjetë vjet na mungon. Na mungon njeriu i urtë e shumë punëtor. Ishte një njeri paksa i mbyllur në vete, i cili, këtë “kulturë” të njeriut punëtor e heshtak, ai e posedonte dhe e ndrynte në vete. Pse jo? Ishte një krijues i rrallë i letrave tona. Nuk botoi shumë, por ato që i shkroi, janë vlera të larta arti. Sa herë botonte ato vargje poetike, sikur ajo “pjesë” e artit e tregonte brendësinë e tij.

Ishte një shpirt i ndjeshëm prej njeriu me kulturë të rrallë. Përherë ishte i buzëqeshur dhe gojë ëmbël. Askush nuk tha fjalë jo të mira për Rexhepin, poet e gazetar zhegras. Ai fliste e shkruante vetëm për gjëra të mira jete. Të gjithë e lakmonin kulturën e tij të punës e të dijes. Dhe, sa herë e kemi takuar në rrugë e punë, ai e ndryente në vete atë rëndim e vuajtjes së tij shpirtërore. Nuk ka folur shumë fjalë, por edhe ato fjalë që i fliste, i fliste me vend dhe me rend. Sikur të ishte “plak” i odave. Tek ai shihej një njeri i ecur përpara. Urtak, mendjehollë, krijues dhe njeri shumë komunikues me të gjithë njerëzit. Goja i qitte, si thotë populli “shërbet” e fjalë prej intelektuali të rinj.

Rexhep Demiri, shkollën fillore e kreu në vendlindje, Zhegër, ndërsa atë të mesëm, drejtimi kulturologjik në Gjimnazin e Gjilanit. Rexhepin, autori i këtyre radhëve e pati nxënës në në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit. Ishte shembullor në mësime, por shembull edhe në sjellje. Klasa, ku ai mësoi, pati jo më shumë se 23 shkollarë. Ishte po në këtë klasë me Ahmet Isufi, tash personalitet i jetës politike. Rexhepi vinte nga Malësia e Karadakut, nga Zhegra e Agim Ramadanit, djaloshit më të mirë të kësaj ane të Kosovës. Ai udhëtoi çdo ditë nga Zhegra gjer në Gjilan dhe anasjelltas.

Nuk bënte mungesa, por dallohej nga shumë nxënës të tjerë për faktin se, pati një jetë të skajshme jete. Vinte e ulej jo në bangën e parë, por diku kah fundi i klasës. Si mësimdhënës i tij e shihja atë si një Lul jo në bangën e parë, por atyre kah fundi. E doja, për faktin se ishte i sinqertë dhe i dalluar në mësime. Rexha, si e quanin shokët, skuqej se i mungonin disa “sende” jete. Ne e përkrahnim, për faktin se, tek ai shihnim një krijues të ardhshëm me talent.

Kur zhvillonim hartime shkollore, ai aty dukej një krijues me prirje të rralla arti. Në hartimet e tij vëreheshin ato mendime përplot figura fjalësh e figura mendimesh. Nuk bënte aq gabime. Ishte i matur dhe, hartimi i tij dallohej nga të tjerët. Kjo ishte ajo veçantia e tij prej shkollari të dalluar. Ndonëse me kushte të vështira jete, ai vazhdoi studimet në Degën për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe pranë Fakultetit Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Vdiq në dhjetor më 2004. Dhe, ja vdekja kobzezë ia mori para kohe ëndrrat këtij krijuesi. Ai e deshi librin dhe, sa ishte gjallë mendoi ta botonte një libër me poezi. E filloi punën si gazetar në gazetën “Rilindja”, më vonë punoi në gazetën kombëtare “Bota sot”.

UBT

Rexhep Demiri këtu tregoi aftësinë e tij prej publicisti të përkryer. Punoi dhe punën e deshi shumë. Më vonë Rexhepi punoi në gazetën “Pavarësia”, ku në këtë vend pune e gjeti vdekja kobzezë. Vdiq nga një sëmundje e rëndë. Vdiq duke krijuar për të mos vdekur.

Ai na la një krijimtari jo aq të gjerë, por një “tufë” poezish mjaft të “këndshme” për të rritur. Sa ishte gjallë, shkroi poezi, të cilat krijime e artikuluan vetveten. Poezia e këtij krijuesi është një ditar jete. Gjer sa të tjerët kanë shkruar me qindra poezi për një ditar jete, Rexhepi e lë një përmbledhje me titull “Udha e lotëve”, e cila vepër sheh dritën në tre vjetorin e vdekjes së tij. Pra, vepra e këtij krijuesi ndahet në pesë kaptina: Legjenda e kalasë, Gjurmëve të kohës, Udha e lotëve, Sëmundja e shekullit dhe kaptina e fundit Qyteti pas shiut. Libri ka 30 poezi.

Në përurimin e librit të tij, folën disa artdashës, si: Sali Bashota, redaktor, Fehmi Ajvazi, publicist, Musa Sabedini, gazetar, Lulzim Mjeku e të tjerë. Sali Bashota ka shtuar edhe këtë se, është shumë domethënëse të konstatohet se në këto poezi të pakta të Rexhep Demirit, shenja e parë e kuptimësisë së tyre projektohet pikërisht në udhën e lotëve. Aty, si ka shtuar redaktori S. Bashota, – detyrimisht, loti bëhet kryefigura e lartësuar deri në simbol, nga lëvizin ndjenjat e poetit edhe kur meditimi lirik e synon lirinë si ekzistencë, pastaj idealitetin e jetës, mallin për fëmijërinë dhe vendlindjen, kujtimin për prindërit dhe miqtë apo dashurinë e veçantë për djalin. Ja si shton poeti në poezinë “Udha e lotëve” që edhe titullohet vepra e tij me këtë emër: “Urata e nënëlokes ndërdije u rrëshqet/ Gjuhën biro mos e harro të zë namë pastaj/ Një drithmë ju përshkon shi bie pastaj/ Treni i zi vjen treni i zi shkon/ (fl 34,35). Apo në poeziën “Vazhdimmësi”, ai shton: “Një ditë kjo tokë/ Do të përbijë eshtrat e mi/ E unë edhe më tej do të jetoj/ Nëse lulevjollave/ Ka kush t’u marr erë” (f.14). Nga njëherë, poezia e këtij krijuesi ta përkujton Migjeni, poezinë e tij plot kumbim nga dhembjet shpirtërore.

Dhe, poeti Rexhep Demiri, tash i ndjerë, shton: “poezi/ lëngoj nga pagjumësia/ sytë më ënjten/ për politikë s’më ha palla/ macës së zezë që ma trupon rrugën/ s’i besoj” (f.16). Ja kjo ta përkujton vargun migjenian, sepse, duke vuajtur nga sëmudja që lëngonte, ai shton “…poezi/ nxirrmë nga kjo mllefosje/ më qetëso”.

Sepse, me lartë, ai shton se dhembja kërkon shërim e qetësi, andaj, merr, si thotë në vargje “Pilula për rehabilitim/ qetësim nervash/ një rimë dy vargje” (shih poezia me titull “Ndihmë” f. 16). Pra, në trevjetorin e vdekjes, autorit i botohet libri “Udha e lotëve” i cili libër poetik artikulon vargje që janë rreth jetës, rëndimit shpirtëror dhe mallin për vendlindjen, familjen, prindërit, fëmijët. Kjo vepër e Rexhep Demirit është botuar nga Shtëpia Botuese “Rozafa” Prishtinë./tefik selimi/rajonipress/