Mobi Casa

Rexhep Qosja mbush 77 vjeç

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Si një nga zërat më origjinalë në shkrimtari, në veprën e Qosjes kemi një univers brenda universit të madh të jetës. I plotpushtetshëm në atë që shkruan, duke bërë herë pas here meditime filozofike dhe filologjike, ai mund të konsiderohet një nga penat më të fuqishme dhe një nga mendjet më të ndritura shqiptare për shumë arsye, por më kryesoret janë: kuptimësia e thellë e realitetit të njeriut shqiptar si subjekt, interpretimi humanist i çdo lloj problematike dhe stili origjinal.

Rexhep Qosja është shkrimtar që i ka përdorur thuajse të gjitha gjinitë dhe llojet letrare, studiues i letërsisë dhe historisë së saj, estet, kritik letrar, politolog i shqetësuar për realitetin shqiptar e gjithëkombëtar në kuptimin filozofik që i jepte kësaj fjale Platoni. Kur lexon ne vijueshmëri vepr ën e tij që është botuar e plotë prej Institutit Albanologjik të Prishtinës, e vë re se nga format tradicionalisht të privilegjuara të letërsisë shqipe, ai ka kaluar në përpunimin e formave të reja si prirja kryesore e pasmodernizmit artistik, duke ndërtuar një mendim mjeshtëror në të gjitha llojet shkrimore me lexuesin, por edhe me njeriun shqiptar në përgjithësi.

Vepra e tij nuk është thjesht një ushtrim i fjalës, por një kërkim që udhëhiqet nga natyra e arsyetimit universal dhe nga bukuria e shprehjes artistike. E nisur nga fundi i viteve ’60 ajo llogarit sot më tepër se njëqind botime e ribotime që nga eseja kritike, studimi, romani, drama, tregimi satirik dhe vazhdon me trajtesat sociologjike, filozofike e politologjike, intervista e artikuj, të cilët përfshijnë fusha të ndryshme të shkrimtarisë, me një projekt të menduar mirë dhe me një unicitet, që rrallë mund ta kenë ndërmarrje të tilla intelektuale. Ajo vihet në lëvizje nga një mendim i gjallë, i saktë dhe heteroklit që ndërton botë. Me arkitekturë të veçantë dhe me përmbajtje që i ngjan një objekti të tejdukshëm, të cilin mund ta vështrosh nga të gjitha anët, aty shpaloset përballja e përjetshme e ndërgjegjeve të kombit. Me një vështrim komunikues, me vizion perspektiv e me vazhdimësi të qëndrueshme, ajo herë-herë shoqërohet nga një alegori që shkon drejt ironisë dhe sarkazmës. E veçantë ajo është si në tematikë, ashtu edhe në objektin e vet si tërësi, duke gëzuar statusin e një vepre madhore të kohë sonë.

Si një nga zërat më origjinalë në shkrimtari, në veprën e Qosjes kemi një univers brenda universit të madh të jetës. I plotpushtetshëm në atë që shkruan, duke bërë herë pas here meditime filozofike dhe filologjike, ai mund të konsiderohet një nga penat më të fuqishme dhe një nga mendjet më të ndritura shqiptare për shumë arsye, por më kryesoret janë: kuptimësia e thellë e realitetit të njeriut shqiptar si subjekt, interpretimi humanist i çdo lloj problematike dhe stili origjinal.

Duke përfaqësuar vetëdijen morale të shqiptarizmit që ka udhëtuar nëpër shekuj dhe ka mbërritur në kohët e reja i gjakosur, i copëtuar, por i patjetërsuar, vepra e tij përbën një etapë të rëndësishme të zhvillimit të letrave shqipe dhe të identitetit kombëtar, si pjesë e pandarë e identitetit shpirtëror të njerëzimit: «Njerëzit s’shtrojnë pyetje kur s’janë të nxitur prej dhembjes apo prej dashurisë […] ( Vdekja më vjen prej syve të tillë, f.27).

Shkrimtaria e tij nuk ekziston për vete, por është pasqyrë e vetëdijes së epokës. Ajo gdhendet në histori dhe autori ndriçon vetëdijen kolektive apo individuale, duke realizuar funksionin e saj të madh edhe pohues edhe kritik. Fuqia e rrëfimit në librat e tij është një mit në veprim për një qytetari ku të shkruarit është njëherësh liri dhe përgjegjësi në emër të së drejtës dhe të së vërtetës. Nëpër tekste gjejmë një mënyrë të paimitueshme ligjërimi dhe një peizazh estetik të veçantë. Më duket se dikush që gjendet në hasje për herë të parë me veprën e tij, provon një ndjesi të thellë, dhimbje dhe dashuri sublime njëherësh si dhe mahnitje para një realiteti të madh krijues.

Uji Dea

Çështja kombëtare shndërrohet thuajse në një mision të shenjtë në të gjithë veprën e tij ku dëgjohet muzika madhështore e atdheut dhe e lirive demokratike, e cila përzihet me nota elegjiake të mospërputhjes së ëndrrës madhështore të Bashkimit me realitetin e copëzuar e të shformuar kombëtar. Qosja përpiqet t’u japë themele të qëndrueshme vlerave dhe të zgjojë ndërgjegjen kombëtare, ashtu si rilindësit që krijuan Shqipërinë virtuale në kohën e mungesës, kur ajo ishte një pikë e vdekur, një truall thuajse i humbur në kufijtë e një perandorie pushtuese. Lexuesi i tij pajiset edhe me një vetëdije historike kombëtare, me një kuptimësi identitare që e kanë cilësi vetëm veprat me frymë universale.

Vepër e një eruditi të rrallë, e ushqyer me referenca të shumta, ajo dallohet për frymë të rralla kulturore, me një forcë magjike, sepse erudicioni bën pjesë në konceptin bashkëkohor për stilin. Shija e citimeve, kjo prirje disi melankolike që banon në veprën e tij, së bashku me emocionet letrare, e pasurojnë perceptimin tonë për letërsinë. Ai di t’i jepet mendimit abstrakt, por edhe kthesave reale dramatike kombëtare, duke nxitur kërshërinë dhe moskënaqësinë, por edhe dashurinë dhe mërinë. Eshtë, pra, një fjalë që e angazhon lexuesin në një ushtrim arsyetimi të pazakonshëm. Lidhja me botën dhe kuptimësia jonë qëndrojnë në përsiatjen që na imponon gjuha dhe kultura. Ato kushtëzojnë analizën e shoqërizuar të realitetit. Edhe vepra e Rexhep Qosjes, dëshmon mundësitë e mëdha të shprehjes së shqipes, duke dëshmuar kashtu misionin e tij si vizionar, i thellë dhe universal.

Vështirësia e shkrimeve të tilla përmbledhëse qëndron në faktin se një vepër e madhe nuk mund të futet në kufij të ngushtë termash, por qëllimi është i hapur: të zbulohet dhe të rizbulohet figura e një personaliteti të shquar, të vëzhgohet me çfarë çudish, mrekullish, brengash, plagësh është përballur ky shkrimtar, vërejtës i hollë i kohërave që kaluan në Shqipëri dhe në Kosovë, ky studiues i letrave, ky atdhetar dhe shqiptar naimjan, ky filozof i sjelljes dhe vetëdijes qytetare. Të tregohet si e bën të qartë ai ç’është identiteti kombëtar, duke e zbritur këtë koncept nga qiejt e arsyetimit abstrakt në trojet konkrete të realitetit historik.

Udhëtimi i tij krijues përfshin disa faza dhe krijon një horizont të kthjellët për të kuptuar gjenezën e një vepre në letrat shqipe dhe të një personaliteti të rrallë të kombit, motivet e mëdha që kanë çelur nga libri në libër dhe kanë krijuar si të thuash një univers, në të cilën librat e tij u ngjajnë planeteve të rinj, për të vërtetuar se të shkruarit është një aventurë e mendimit dhe një angazhim serioz jetësor.

Do të doja që këta rreshta të mbeteshin si ftesë për rinjohje të veprës së Rexhep Qosjes e për të vërtetuar se kjo vepër zë sot një vend të rëndësishëm. Eshtë vërtet e vështirë të paraqesësh një mendim të pasur ku shkëlqen një imagjinatë e jashtëzakonshme, me ngjyrime dhe mprehtësi, me perspektivën historike, me sfidat që hidhen para kohëve, në kërkimin e paepur drejt esencës tonë shpirtërore e morale.

(Dita)