ARKATANA

Rexhep Mala: Ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtar, e ju serbët, jeni kriminel, dhe po iu them se Kosova do të çlirohet dhe do të bashkohet me Shqipërinë…

/ 16 minuta lexim
Hidromorava

Nga Sabile Keçmezi-Basha – Ti kujtojmë atdhetarët tanë. (1951- do ta vrasin me 12 maj 1984) Rexhep (Mehmet) Mala u lind me 29 mars 1951, në fshatin Hogosht të Dardanës, nga babai Mehmet dhe nëna Fahrije, familje, kjo me kushte mesatare ekonomike por me një traditë shumë të gjatë atdhetare e patriotike. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren në tërësi Rexhep Mala i kreu në Hogosht, më pastaj meqë i ati Mehmeti shpërngulet në Gjilan, Rexhep Mala e vazhdoi gjimnazin në Gjilan, por për shkak të organizimit të demonstratave të 27 nëntorit 1968, po në këtë qytet, përjashtohet nga shkolla, dhe, dënohet për kundërvajtje me një muaj burg, ky edhe ishte dënimi i parë i Rexhep Malës.

Andaj qe i detyruar që shkollimin ta vazhdoi në Preshevë, dhe e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm. Studimet do t´i vazhdojë në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Më 1970, Rexhep Mala, Sami Dërmaku, Isa Kastrati, Fazli Abdullahu, Njazi Korça dhe Ferdeze Mujaj e kalojnë kufirin ilegalisht dhe dalin në Republikën Popullore të Shqipërisë. Rexhep Mala në Shqipëri qëndroi afro dy muaj dhe pastaj e kthyen në Kosovë duke e dorëzuar te organet e punëve të brendshme të shtetit jugosllavë. Pasi bie në duar të udbashëve, ndaj tij fillojnë hetimet, duke u munduar që të zbulojnë se ku ishte dhe me kënd kishte bisedua e gjëra të ngjashme. Pasi se nuk nxjerrin asgjë nga ato që kërkonin, Rexhepin e dërgojnë në Gjykatën komunale e cila i shqipton dënimin me dy muaj burg. Rexhep Mala, me kënaqësi të veçantë ushtroi detyrën si mësimdhënës në fshatin Marec të Prishtinës.

Rexhepi gjatë punës si mësues, kishte vërejtur se aktiviteti i organizatave e grupeve ilegale nuk ishin mirë të bashkërenditura, megjithëse strategjitë dhe programet e tyre përafërsisht ishin të njëjta. Ngase, të gjitha organizatat në programet e tyre kërkonin Kosovën e pavarur dhe të bashkuar me Shqipërinë. Nevojën e një organizimi me një platformë unike dhe me një qendër komanduese, ai e shihte si të ngutshme dhe urgjente. Rexhep Mala, këtë kërkesë e kishte parashtruar edhe para viti 1970, para se të bëhej student. Në vitin 1974, dënohet për herë të tretë, po ashtu për kalimin ilegal të kufirit Jugosllavi-Austri, kur kishte vendosur që të dali s bashku me mikun e tij Kadri Abdullahun, në shtetet perëndimore dhe të fitoi eksperiencën e shteteve demokratike.

Gjatë qëndrimit në Zvicër ata punësohen dhe me parat e fituara, ata blen mjete teknike për nevoja të veprimtarisë ilegale. Veç kësaj ata blen edhe pak armatim si: disa pistoleta dhe automatikë, të cilat më vonë i sollën në Kosovë në mënyrë ilegale. Rexhep Mala edhe pse ishte i ri në moshë shprehte hapur se koha kishte ardhur për një organizim më të mirë të ilegales. Në kohën, deri sa ishte mësues në fshatin e largët të Prishtinës, në Marec, me kolegët e tij të punës Hetem Arifin, Shefqet Hoxhën, Njazi Musmuratin etj, u angazhua për një organizim më të mirë dhe gjithëpërfshirës në lëvizje. Por, mësuesit ishin edhe të vëmendshëm që bisedat e tyre të kenë kujdes se ku i zhvillonin. Në Marec, kishin zgjedhur shtëpinë e plakut të urtë Hamzë Makollit, ku takoheshin me shoke dhe bënin planet e organizimit. Më 1970/71, regjistrohet në Fakultetin Ekonomik, dhe nga atëherë vuri kontakte me student të dalluar dhe atdhetar. Ra në kontakt dhe mbante lidhje me atdhetarin e njohur të asaj ana-Metush Krasniqin, Sejdi Kryeziun, Sadik Tafarshikun dhe me shumë të tjerë. Nga atdhetaret e lartpërmendur mësoi se në Prishtinë vepron organizata ilegale e Adem Demaçit, e cila ishte formua në Prishtinë, në shtator të vitit 1963. Aty marrin pjesë : Adem Demaçi, Fazli Grajqevci, Zeqir Gërvalla, Azem Beqiri. Komiteti Revolucionar i LRBSH-së më vonë do ti emëroj udhëheqësit e disa qyteteve dhe territoreve të Kosovës. Për kryetar të Komitetit të Prishtinës do të caktohet Kadri Kusari, për Gjilan - Rexhep Elmazi, për Mitrovicë- Zeqir Gërvalla, për Pejë- Ramadan Shala, kurse për territorin e Drenicës- Fazli Grajçevci. Organizata kishte programin e saj dhe Statutin. Rexhep Mala posa e kishte lexua Programin e kishte përkrahur në plotëni. Ndërsa, në statutin e kësaj organizate “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin të Shqiptarëve” thuhej: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtave për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shumicë prej shqiptarësh, që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë, d.m.th. qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht- çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nënën e vet- Shqipërinë”. Kjo i kishte pëlqyer Rexhepit jashtë mase. Edhe pse punonte dhe studionte, në veprimtarinë ilegale ishte i pa ndalur. U takonte me shok të shumtë, bisedonte me ta dhe merreshin vesh për veprimtari të reja. Ai në vitin 1973, rreth vetes kishte shokë të idealit si nga Kosova, po ashtu edha nga Maqedonia, po ashtu edhe nga Mali i ZI, nga Presheva e nga Bujanoci. Kryesisht me ta vepronte në grupe të vogla 2 e 5 veta. Grupet e vogla si të thuash ishin përditshmëri në ilegale, por tani kishte ardhur koha që të gjitha ato të mblidheshin, të bashkoheshin në një grup të përbashkët. Më 1973, në shtëpinë e Bahtir Hajrizit, vëlla i atdhetarit të njohur Mehmet Hajrizit, mbahet takimi i ilegales e cila rezulton me formimin e “Grupit Revolucionar të Kosovës”.

Dhe nga ky takimi doli një udhëheqje me kryetar Kadri Osmanin, nënkryetar Mehmet Hajrizin, përgjegjës për rinin dhe studentët ishte caktua Xhafer Shatri, përgjegjës për media ishte caktuar Binak Ulaj dhe, përgjegjës për financa ishte caktuar Feriz Seferi. Më 1974, në kuadër të kësaj organizate filloi të vepronte Komiteti i studentëve, të cilën në fillim e udhëhoqën: Xhafer Shatri, Rexhep Malaj, Kadri Zeka, Ilmi Ramadani, Gani Syla, Hydajte Hyseni dhe Jashar Alija. Por, pasi u konsolidua komiteti i studentëve, u tërhoq Xhafer Shatri dhe në vend të tij udhëheqjen e mori Rexhep Mala. Anëtarët e Grupit Revolucionar, gjatë veprimtarisë së vet ilegale zhvilluan një aktivitet të dendur ilegal patriotik. Botuan gazetën e tyre “Zëri i Kosovës” dhe njëherësh u morën edhe me shpërndarjen e afisheve të shumta nëpër qytetet e Kosovës, që ishte një punë mjaft e rëndë dhe me përgjegjësi. Shpërndarja e afisheve rëndom bëhej gjatë natës. Shpërndarjen zakonisht e kryenin udhëheqësit e grupit dhe anëtarët që ishin më të vjetër. Synohej që te masat e gjera të bëhej një lloj parapërgatitje për trazira të reja, gjersa të arrihej qëllimi që ishte i paraparë në 10 pikat e afisheve. Të gjithë autorët e shkrimeve ishin nënshkruar vetëm me pseudonime.

Shkrimet kishin përmbajtje patriotike. Anëtarët e organizatës për numrin vijues të fletushkës “Zëri i Kosovës” kishin përgatitur edhe materialin në dorëshkrim, në një fletore hartimi prej 14 faqesh, me titull “Kosova nën regjimin titist”, me 17 nëntituj, po ashtu me përmbajtje patriotike. Anëtarëve të grupit ua kishin përgatitur, shtypur dhe shpërndarë librezat e anëtarësisë. Duke u nisur nga nata e 1/2 nëntorit 1973, në konviktet e studentëve dhe në mensën e tyre u shpërndanë afishet që përfshinin 10 kërkesat kryesore të “Grupit Revolucionar”, i cili nga organet kompetente kërkonte që ato të plotësoheshin. Nëpërmjet tyre i bëhej thirrje rinisë revolucionare e studentore të Kosovës që të dilnin në grevë dhe të bojkotonin mësimin gjersa të plotësoheshin kërkesat e tyre. Më 12/13 dhjetor 1973 në ndërtesën e punëtorëve nr. 9 në Mitrovicë u shpërndanë më se 70 afishe. Ato u shpërndanë edhe në Tunelin e Parë. Në Mitrovicë, në ndërtesat nr. 5 dhe 6, ku banonin punëtorët, u shpërndanë mbi 98 afishe. Njëherësh brenda natës në ndërtesën nr. 34 me ngjyra të yndyrshme u shkruan parulla kundër kryetarit të Jugosllavisë. Në Stantërg janë gjetur 61 afishe. Në Kishnicë, nëpër lokalet afariste, para ambulancës së punëtorëve dhe para shitoreve janë shpërndarë 100 copë, kurse në Ajvali janë ngjitur nëpër shtylla elektrike dhe në dyer të shkollës fillore.

Qëllimi ishte që edhe punëtorët e minierave t'i bashkëngjiteshin grevës derisa të plotësoheshin kërkesat e tyre. Afishe me përmbajtje patriotike, në Koloninë e punëtorëve, në Minierën e Goleshit në Magurë, u shpërndanë më 21/22 prill 1974. Edhe në to u bëhej thirrje punëtorëve që të drejtat e tyre do të mund t'i gëzonin duke i fituar me gjak. Në takimet e tyre ata morën përsipër që të formonin celula të reja ilegale të sistemit të treshes, të cilën do ta udhëhiqte anëtari i udhëheqësisë së “Grupit Revolucionar”. Me shumë kujdes ishin përgatitur edhe punime të tjera të lëmenjve të ndryshëm, që vazhdimisht si temë trajtimi kishin Kosovën, shqiptarët dhe fatin e tyre të robëruar. Përveç shkrimit dhe hartimit të materialeve, anëtarët e grupit për nevojat e organizatës kishin siguruar edhe mjete teknike, siç ishin: geshtetneri elektrik “Cyklos”, nr. 24243-3/66, geshtetneri e dorës “Cyklograf-Rog”, nr. 011686, makina e shkrimit “Biser”, nr. 204810, me të cilën ishin shtypur e shumëzuar shumë materiale të organizatës. Rexhep Mala, sa ishte nxënës i gjimnazit në Gjilan ishte njoftuar me vajzën e re e të bukur Hanife Limanin nga fshati Pograxh. Edhe ajo si edhe Rexhepi vinte nga një familje atdhetare. Tre vëllezërit e saj ishin dënuar shumë herë se nuk kishin durua të jenë të robëruar. Po ashtu edhe motrat e Hanifes ishin dallua për atdhetari. Gjatë përpjekjeve në vitin 1981, udbashët kishin tentuar ti arrestojnë, por trimëreshat Saimja e Remzija e kishin rrahur udbashin. Remzia u dënua me burg, ndërsa Saimja kishte arritur që të ikte dhe të kalonte në Zvicër. Rexhepi u martua me 10 nëntor 1974. Në dasmë morën pjesë familja dhe shokët e ngushtë të tij të idealit. Gjatë dasmës, familja Malaj përcillej me vëmendje të shtuar.

Udbashët e dinin se kush ishte Rexhep Mala dhe shokët e tij, por pritnin momentin e duhur për ti sulmuar. Paraprakisht nusja tek familja e dhëndrit kishte dërgua flamuj kombëtar për ti vu në veturat e dasmorëve dhe kështu u bë. Atë ditë nëntori, qytetaret e Gjilanit e mbajnë në mend se si veturat ishin stolisur me flamuj kuq e zi. Udbashët nuk flinin, ata ishin vigjilent dhe pas gjashtë muajve e arrestojnë Rexhep Malën.

Hidromorava


Hanifja si çdo grua shqiptare, ishte e devotshme ndaj burrit dhe ishte përkrahëse e madhe ndaj idealit të të shoqit. Aq sa pati mundësi e vizitonte në burgje anë e kënd Jugosllavisë. Asnjëherë nuk ndjeu lodhje apo dëshpërim kur e malltretonin duke pritur me orë të tëra para gjykatave e burgjeve jugosllave. Kishte besim tek Rexhepi ngase e dinte qëndresën e paepur që kishte ai.
Më në fund një gëzim për Rexhepin e burgosur. Nëna Fahrije i kishte shkua në vizitë në shtator të viti 1975. Posa hynë takim, nëna e njoftoi se Nusja Hanife kishte lindur një vajzë, por ka qe një javë nuk i kemi vu emër u ankua nëna. Në atë moment, Rexhepi qeshi, duke i thënë, nënë a nuk e sheh se edhe këtu në burg ka fitore, andaj vajza ime do të quhej FITORE, por gardianet nuk e lanë as të përshëndetet me nënën, iu vërsulen dhe e larguan nga vend takimi. Nëna solli lajmin për emrin e vajzës dhe me të dëgjuar për emrin Nëna e re Hanifja, doli nga aty dhe nga dhoma solli vajzën një javëshe dhe duke ia dorëzuar të vjehrrit, i tha “Ja, kjo është Fitorja e Rexhepit”. Ishte moment prekës, disa qanë nga gëzimi e disa nga hidhërimi, por nga ajo ditë vajzën askush se thirri ndryshe veçse “Fitorja e Rexhepit”.


Më 7 shkurt të viti 1976, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Rexhep Mala u dënua me grupin e Adem Demaçit, me 9 vite burg. Dhe në një rast iu kishte thënë hetuesve shqiptar se “Ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtar, e ju serbët, jeni kriminel, dhe po iu them se Kosova do të çlirohet dhe do të bashkohet me Shqipërinë…”, dhe me këtë rast ata e kishin malltretuar shumë në qelin e burgut.


Më 23 maj 1983 pas 8 vitesh vuajtje e malltretimesh lirohet nga dyert plot egërsi dhe vuajtje të pashlyera ngase pjesën më të madhe të dënimit e kishte kaluar i vetëm nëpër qeli të burgjeve të sipërpërmendura të cilat nuk arritën dot ta thyejnë apo të detyrojnë të jetë i urtë për pushtetin komunist që nuk e njohu kurrë në jetën e tij. Mu, në këtë luftë dhe, në këtë veprimtari patriotike ilegale, shquheshin pa dyshim, binomi atdhetar Nuhi Berisha e Rexhep Mala, që deri në fund të jetës nuk reshtën së luftuari e së punuari për çështjen kombëtare. Të cilët, gjatë veprimtarisë së vet, kombinuan me sukses, veprimtarinë legale me atë ilegale, atë paqësore me atë luftarake, dhe, në këtë mënyrë, artikulonin me vendosmëri dhe besnikëri, luftën dhe kërkesat kundër robërisë dhe ripushtimit jugosllav.
Ata, ishin të vetëdijshëm se periudha në të cilën po kalonte Kosova, ishte e mbarsur me plot rreziqe. Andaj nuk u pajtuan kurrë me këtë fund okupues dhe lufta e tyre ishte e vazhdueshme. Duhet përmendur se Rexhep Mala mbante kontakte me shumë mërgimtar që punonin jashtë, andaj ata kishin porositur atë që të kontaktonte me të riun Nuhi Berishën. Që kishte bërë emër në Lëvizje në vitet e 80-ta të shekullit 20. Takimin dhe njohjen në mes Rexhepit e Nuhiut e kishte organizua Teuta Hadri, një veprimtare e dalluar e atyre viteve.


Që nga ajo ditë atdhetarët Rexhepi e Nuhiu ishin të pandarë në veprimtarinë ilegale, deri më 11 e 12 janarit 1984. Rexhep Malaj kishte vetëm 33-vjeç, e shoku i tij i idealit Nuhi Berisha, ishte student dhe kishte 23-vjeç. Ata ishin strehua në një bazë, në Kodrën e Trimave, në ndërkohë, UDB-ja u bie në gjurmë por trimat kishin dhënë besën për t ‘mos u ra në dorë të gjallë udbashëve. Në një luftë të pabarabartë por me këngë dhe refale armësh me 11/12 janar 1984 ranë heroikisht për t’mos vdekur kurrë.


Ata, për asnjë moment nuk ditën të ndalen. Ata, ecën edhe atëherë kur nuk mund të ecej, dhe me gjakun e tyre ujitën tokën e robëruar të Kosovës, për ditët e mira që gëzojmë ne sot. Nuhi Berisha e Rexhep Mala, sintetizojnë dy dimensione të rëndësishme në harkun e tyre jetësor: të besnikërisë dhe të vetë sakrificës për shokët e idealit si dhe atë historik, të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.


Ndikimi i këtij binomi të përbërë nga dy personalitete të përmasave të mëdha kombëtare, në rrjedhat historike shqiptare është i pakontestueshëm, i dukshëm, pozitiv, i përbashkët, por, edhe i veçantë. Shumica prej këtyre komponentëve, qe e stolisin personalitetin e njërit dhe tjetrit, si vëlla të këtij binomi, nga studiuesit e vëmendshëm, mund të vërehen në tërësinë e jetës dhe të veprimtarisë së tyre të bujshme, të pandalshme, të rëndë, por, të suksesshme, dhe të kurorëzuar, më realizimin e shumicës së ideve dhe të planeve të tyre politike, ideore dhe kombëtare.


Rexhep Mala ishte, dhe mbetet, veprimtari i parë dhe i pathyeshëm i idealeve të pastra kombëtare shqiptare, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Binomi atdhetar: Nuhi Berisha e Rexhep Mala, u kthyen në sinonim të vullnetit dhe të dashurisë sonë individuale dhe kolektive, për t’u bashkuar me rrjedhat e rezistencës, dhe për t’u mobilizuar në fusha të ndryshme të rezistencës. Jeta dhe vepra e binomit atdhetar dhe, e patriotëve të tjerë, të rënë në altarin e lirisë, fryma, roli, aksioma e jetëve të tyre, ishte një dhe e pandarë: kryekëput në shërbim të kauzës së lirisë. Veçse, kjo kauzë e Kodrës së Trimave, e parë nga dimensioni universal i kauzës së lirisë, ishte në bërthamën e saj edhe si një kauzë me mesazh ndërkombëtar.
Se çfarë ishte roli dhe ndikimi i ngjarjes së Kodrës së Trimave më 12 janar 1984, e tregon fakti se pas kësaj ngjarje, rezistenca aktive në Kosovë, hyri jo vetëm në momentet e pakthyeshme të saj, porse, depërtoi edhe në agjendën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndërhyrja politike dhe ushtarake në Kosovë, përgjatë vitit 1999, tregon më së miri se si ngjarja e 12 janarit, e shumë janarëve të tjerë, pati ndikim të drejtpërdrejtë në arenën ndërkombëtare./rajonipress/