RCCOLA

Regjistrimi i mërgimtarëve nis me Zvicrën

/ 7 minuta lexim
RCCOLA

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se regjistrimi i mërgimtarëve është parashikuar të nisë këtë vit, ndërsa si pilot-projekt është parashikuar të jetë Zvicra

Qeveria e Kosovës ka marrë tashmë vendim për regjistrimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë, përfshirë edhe regjistrimin e ekonomive familjare dhe bizneseve. Si pilot-projekt, regjistrimi është parashikuar të nisë me Zvicrën, ku janë të koncentruar një numër shumë i madh i kosovarëve.

Sipas autoriteteve në Prishtinë, Qeveria e Kosovës ka dhënë dritën e gjelbër për regjistrimin e të gjithë frymorëve në diasporë. Vendimi është marrë më 24 prill të këtij viti, ndërsa aktualisht është duke u shqyrtuar mundësi se si të nis ky proces kaq i komplikuar.

Koncept-dokumenti i miratuar nga Qeveria e Kosovës shtron nevojën për krijimin e një baze të të dhënave të mërgimtarëve dhe evidentimin e shpërndarjes së tyre në vendet e ndryshme të botës.

Regjistri i mërgimtarëve do të përmbajë të dhënat për numrin, moshën, gjininë, profesionin, nivelin e arsimit, fuqinë e tyre intelektuale dhe ekonomike, organizimin e tyre në shoqata dhe organizime tjera. Që ky proces të jetë i suksesshëm, ndihmë kanë ofruar të gjithë mekanizmat relevantë vendorë.

Makolli: Regjistrimi nis këtë vit

Ministri kosovar i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se pas miratimit të qeverisë janë krijuar mundësitë ligjore për regjistrimin e kosovarëve që jetojnë dhe punojnë në diasporë. Ai tha se është duke u punuar në vijimësi në këtë çështje, që regjistrimi të nisë këtë vit.

“Ne kemi paraparë këtë vit, dhe jemi duke punuar në dokumentacionin e nevojshëm…Jemi në analizë nëse do ta marrim një vend si pilot-projekt. Po mendoj që do të fillojmë me Zvicrën”, deklaroi për albinfo.ch, ministri Makolli, i cili para disa muajsh e ka pas si propozim regjistrimin e mërgimtarëve.

Në një intervistë që ai i ka dhënë albinfo.ch tha se regjistrimi i diasporës është e domosdoshme për përgatitjen e politikave ekonomike, fiskale e zhvillimore.

“Është obligim ligjor hartimi i regjistrave të mërgimtarëve”, ka deklaruar ai.

Ideja e Makollit ishte forcuar edhe më shumë pas regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Kosova ka mbi 1.7 milion banorë rezident.

Kjo shifër ka nxjerrë disa dilema, për faktin se ka variuar relativisht shumë nga regjistrimet e mëparshme, ai i vitit 1981 dhe regjistrimi i dhunshëm i Serbisë i vitit 1991.

Sipas një statistike që ka bërë Qendra për Hulumtim të Migracionit, në vitin 1981 Kosova kishte 1.55 milionë banorë, ndërsa në vitin 1991, kishte 1.95 milionë banorë, shumica prej tyre shqiptarë, mbi 82 për qind.

“Sipas zhvillimit të natalitetit në njërën anë, dhe migracionit në anën tjetër, pas asnjë dyshim mund të konkuldojmë se afër 1 milionë kosovarë jetojnë jashtë atdheut”, tha Makolli, sipas të cilit, një e treta e trungut të përgjithshëm të popullsisë të Kosovës jeton në diasporë.

Që të gjitha dilemat rreth numrit të mërgimtarëve të hiqen, atëherë Qeveria e Kosovës ka nisur procesin për regjistrimin e mërgimtarëve. Këtë proces është e gatshme ta ndihmojë edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, por edhe të gjitha dikasteret tjera qeveritare.

ASK e gatshme për regjistrim

Hazbije Qeriqi është zyrtare për informim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK). Ajo tha se që nga fillimi i përgatitjeve për regjistrimin e Diasporës, ASK-ja është përfshirë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Diasporës për zhvillimin e këtij procesi.

Uji Dea

“Bashkëpunimi ka qenë kryesisht në përgatitjen e Koncept-dokumentit, që është miratuar nga Qeveria e Kosovës. ASK-ja do ta ndihmoje procesin, në fusha të caktuara, me kapacitetet e saj, duke përfshirë edhe praktikat më të mira për mbledhjen e të dhënave-regjistrimeve”, tha Qeriqi.

Në pyetjen se sa do të marrë kohë, përafërsisht, regjistrimi në diasporë, Qeriqi tha se “regjistrimi (koha e grumbullimit të të dhënave) është diskutuar se do të jetë brenda 9 muajve të vitit 2014”.

Sipas saj, në muajt në vijim do te vendoset për kohën e duhur.

ASK, siç tha më tej Qeriqi, ka kapacitete bazë për këtë proces, por me që regjistrimi në diasporë do të jetë mjaft i komplikuar, sipas saj, në këtë proces pritet të angazhohen edhe institucione të tjera relevante, përveç MeD-ASK.

Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës e konsiderojnë më se të nevojshme regjistrimin e kosovarëve që jetojnë në mërgim.

Haki Demolli është deputet i opozitës (LDK) në legjislativin kosovar. Ai tha se është mese e nevojshme që shteti i Kosovës ta përfundojë procesin e regjistrimit edhe në diasporë me qëllim që të dihet numri i saktë i banorëve të Kosovës.

“Është çështje imediate që ne si shtet i Kosovës ta dimë numrin e saktë të banorëve që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës. Duke marrë parasysh se deri më tani është manipuluar mjaft shumë më numrin e mërgimtarëve, prandaj është e nevojshme që të nis dhe të përfundojë procesi i regjistrimit edhe në diasporë”, tha ai.

Është fatkeqësi e madhe, sipas tij, që në shekullin XXI, Kosova të mos e ketë të paktën një evidencë të përafërt të banorëve të saj që gravitojnë, sidomos në Evropë, SHBA dhe Australi.

Regjistrimi i diasporës i vonuar

Edhe Nait Hasani, deputet i koalicionit (PDK) e konsideron të domosdoshëm, madje të vonuar procesin e regjistrimit të diasporës.

“Regjistrimi është dashur të bëhet në të njëjtën kohë si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë, gjithkund ku jetojnë qytetarë nga Kosova”, tha Hasani, sipas të cilit, institucionet kosovare kanë gabuar që nuk e kane lejuar procesin e regjistrimit edhe jashtë vendit.

“Është më se e nevojshme që të dihet numri i saktë i banorëve, ose shqiptarëve që jetojnë në vendet e ndryshme evropiane, por edhe në gjithë botën”, ka thënë Hasani.

Megjithatë, sipas tij, mërgimtarët nga Kosova nuk janë regjistruar për shkak se ka pasur ndryshime në zhvillimin e diasporës, pasi që ka qytetarë që kanë lindur atje dhe janë shtetas të vendeve të tjera dhe nuk janë shtetas të Kosovës.

“Ky regjistrim është i dyanshëm, pra regjistrim që duhet të njihet edhe prejardhja e shqiptarëve që janë jashtë. Nëse bëhet kjo, atëherë do ta kemi numrin e përgjithshëm se sa shqiptarë jetojnë në botë dhe sa janë brenda”, ka deklaruar deputeti nga PDK, Hasani.

Ndryshe, Institucionet e Kosovës janë të vetmet në rajon që nuk e dinë se sa popull përfaqësojnë në diasporë. Në dekadën e fundit janë dhënë shifra të ndryshme nga 300 mijë, në 500 mijë e 700 mijë kosovarë që jetojnë jashtë vendit.

Me vendimi e fundit të qeverisë, dilemat rreth asaj se sa mërgimtarë ka vendi, do të hiqen.