RCCOLA

Refuzimi i rolit, hakmarrje që më zgjati 30 vjet!

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Vitet nuk e kanë ndryshuar aspak. Është po e njëjta fytyrë engjëllore sikur 50 vjet më parë kur ka filluar të merrej me aktrim. E dashur, e hapur…një artiste e vërtet! Është kjo Igballe Qena e cila me shumë dashuri rrëfen për Tribunën fillimet e saj në aktrim, paragjykimet, dashurinë e jetës me të madhin Muharrem Qena, të mirat dhe të këqijat që i bart profesioni i aktorit dhe gjithçka rreth jetës së saj…

Tribuna: Sa ka qenë e vështirë në kohën tuaj, që një vajzë shqiptare të bëhej artiste?

Igballja: Nëse kthehem në vitet e 60-ta, them se nuk ka qenë aspak e lehtë. Jam rrit në një familje patriarkale, ku fjalën e fundit e ka thënë baba. Por në këso rastesh kur duhej të merrej një vendim në atë kohë është dashur të konsultohemi me të gjithë të afërmit. Fillimisht kanë pasur shumë mëdyshje sepse nuk e dinin çfarë është profesioni i aktores. Por, kam pas fatin që vëllain e madh e kam pasur piktor dhe kam pas mbështetjen maksimale të tij. Më kujtohet që tek ne në shtëpi kanë ardhur një delegacion i tërë për të biseduar për këtë dhe e kanë pas marrë me vete një mik të mirë të babit tim të ndjerin Ragip Loxhën, për ta bindur dhe më kujtohet që baba i ka pas thanë… ‘Ragip a e kishe lanë ti vajzën tane të bëhet aktore?’Ai iu pat përgjigjur ‘me gjithë qejf, por vajza ime nuk është e lindur për atë punë’. Atëherë pas një viti filluan të mësohen të mitë me profesionin madje edhe mburreshin,‘e kemi vajzën aktore’. Megjithëse, rrethi ka vazhduar të flasë si Ganiu e la vajzën të shkojë rrugëve të Prishtinës. Por këto kanë qenë paragjykimet e asaj kohe.

Respekti i shoqërisë ndaj aktorit nuk ka qenë kurrë… as atëherë e as tash

Tribuna: A e doni më shumë teatrin apo kinemanë?

Igballja: Sigurisht teatrin. Herën e parë që kam shkelë në teatër të Pejës, si magji më ka tërhequr. Është ajo era e dërrasave të kalbura të teatrit që sot e atë ditë më mbanë. E veçanta e teatrit është që aty për aty zhvillohet, emocioni është i drejtpërdrejtë. Plasove është mirë nuk e plasove nuk ka kthim, deri sa tek filmi është ndryshe derisa regjisori e arrin atë çka po e kërkon te aktori kthehen dublat. Megjithëse, shpesh herë dështon pikërisht te kthimi. Aktori shumicën e herëve me dublin e parë e kap emocionin.

Tribuna: Sa respektohen artistët e vjetër tek ne?

Igballja: Aktorët e vjetër nuk kanë arritur as në atë kohë të respektohen. Është interesant arsimi dhe kultura gjithmonë kanë qenë në margjina të shoqërisë atëherë edhe tash. Në kohën time jemi respektuar më shumë nga opinioni, artistët kanë qenë më të veçuar, edhe kur kemi dalë në rrugë, është folur për ne, e pashë filanen, ka ndodhë shpesh me më ndalë njerëz në rrugë dhe të më idealizojnë, ndërsa respekti i shoqërisë nuk ka qenë kurrë as atëherë as tash.

Tribuna: Sa kanë artistët, mbështetje nga institucionet tona?

Igballja:Këtë vit kanë filluar t’i ndajnë disa shpërblime, njerëzve që nuk janë më, ndonjë falënderim apo diçka sa mos me i harru. Si duket ka filluar ndërgjegjja pak me iu punu. Mirëpo, kanë shkuar gjeneratat e aktorëve shumë të mëdhenj, pa një falënderim pa një tubim apo kujtim për ta. E njëjta gjë po ndodh edhe tash me gjeneratën tonë, trupa rezidente më është shkapërderdhë, nuk e di a ekziston më… nuk e di as si ta quaj. Kanë filluar interesat klanore të veprojnë më shumë. Duhet bile një respekt më shumë në të ardhura. Në të rrallë po ndodhë me qenë ndonjë i moshës time në ndonjë projekt. Jam ndoshta unë por janë edhe shumë të tjera që rrinë. Shkurt nuk është e mjaftueshme.

Tribuna: A e keni refuzuar ndonjë rol, për shkak të skenave?

Hidromorava

Igballja: Në vitet e 80-ta më është ofruar një rol, ku unë duhej të hipja përmbi tavolinë dhe të zhvishesha. Nuk dua ta përmendi regjisorin, por mu më është dashur ta lus, të qaj, të bëj kërkesë që të më largojnë nga ai rol. Kam kërkuar nga regjisori të ma dëshmoj artistikisht pse unë duhet të zhvishem përmbi tavolinë, dhe në një moment i kam pas thënë. ‘Për kështu shkoj në Grand, luajë striptiz në barë dhe e di bile që paguhem!’Më pas më kanë liruar nga ky rol, por, që nga ajo ditë e deri vitin e kaluar, ai regjisor nuk më ka angazhuar në asnjë shfaqe. Hakmarrja ka zgjatur për 30 vjet. Hakmarrja tek ne është e keqe.

Dy vjet kam ikur nga Muharrem Qena

Tribuna: Si ka filluar dashuria juaj me të madhin Muharrem Qena?

Igballja: Kur kam qenë studente 16 vjeçe e kam takuar Muharremin për herë të parë. Ai kishte ardhur nga Beogradi me ftesë të profesorit tonë për të na dhënë një orë interpretim. Unë isha më e reja e grupit dhe ajo edukata familjare të përcjellë çdo kund. Më kujtohet që Muharremi e ka hedhur pallton në tokë dhe unë morra t’ia jepja dhe ai më bërtiti. Aty mu prenë këmbët dhe pastaj dy vjet kam ikur nga ai, deri kur shkuam në Shabac, ku edhe Muharremi erdhi nga Beogradi. Bisedonte me mua me orë të tëra. Unë ikja, ai më vinte pas dhe aty ka qenë takimi ynë i parë si çift, Nga ajo ditë nuk jemi ndarë më kurrë. Më pas kemi filluar të bashkëjetojmë. Ka qenë njeri i veçantë në çdo aspekt. Mua më ka mahnitë me ata sy kur më shikonte. Edhe tash në fund kur u sëmur, duke bërë muhabet unë e pyeta për diçka, ai më tha, nuk e di…e vetmja gjë që e di është se të dua shumë.

Tribuna: Kujt do t’ia dedikonit suksesin tuaj?

Igballja: I pari meritorë është babai im që më ka lejuar të studioj aktrimin. Puna maksimale ka qenë e imja, mirëkuptimi deri diku i Muharremit. Por më duket që ma meritore jam unë vet si për të mirën e si për të keqen e Igballe Qenës që është sot.

Tribuna: Çka ju ka mbetur peng diçka në jetën tuaj

Igballja: Më mbetet peng, matura e të tre fëmijëve. Për të tre fëmijët edhe kur e kanë kryer maturën edhe semimaturën edhe unë edhe Muharremi kemi qenë të angazhuar dhe nuk kemi qenë në Prishtinë. Sot e kësaj dite pikë më ka mbet që nuk kam mundur të jem prezent në maturat e fëmijëve. Janë gjendur vet…Ndoshta edhe atyre u ka mbetur pikë sepse shpesh e përmendin.

Tribuna: Për fund një këshillë për të gjitha vajzat që dëshirojnë të bëhen artiste?

Igballja:Thotë një fjalë e urtë popullore “Është me të leme, nuk është me të bleme”. Është diçka që lind, nuk mundet askush të ta kufizojë. Gjithmonë thuhet punë, punë.. Talenti është bazë, por nëse në atë talent punohet atëherë mund të arrihet kulmi. Me punë të sinqertë dhe qasje të sinqertë ndaj profesionit arrihet gjithçka.