Ylliana
Prozë nga Ruzhdi Kqiku
Atë pasdite, buzëmbrëmje verore,
mbretëronte një qetësi e papërshkruar,
një qetësi që rrallëherë ndodhte.
Dëgjohej vetëm ndonjë cicërimë
melankolike e zogjve këngëtarë,
që qëndronin mbi degë shkurresh
buzë detit,
dhe herë pas here
ndonjë kërcim rrotullues krapish,
që çanin sipërfaqen e ujit kaltrosh
të detit ilirik.
Atë pasdite buzëmbrëmje vere,
në një mot të kthjellët, pa re,
po shndrisnin rrezet e kuqrremta të diellit,
që po i afrohej horizontit
për të perënduar.
Përballë atyre rrezeve magjike
qëndronte mbi një gur shkëmbi
Ylliana e bukur,
e magjepsur,
duke soditur horizontin
e asaj mbrëmjeje gushti.
Ajo shikonte me sytë e saj hynorë,
me ngjyrë të përhimtë,
të anuar lehtë në të gjelbër
sy engjëllorë,
që ia shtonin edhe më shumë hijeshinë
bukurisë së saj magjepsëse.
Një vashë me bukuri përrallore,
siç lind vetëm toka arbërore.
E zhytur në mendime,
ajo ndiqte me sy
rrezet që shuheshin ngadalë
mbi detin pa fund,
pa e ndjerë se koha po ikte.
Vetëm kur dielli ishte pranë perëndimit,
ajo e kuptoi
se ishte vonuar më shumë
se zakonisht.
Kishte qëndruar gjatë
mbi ata gurë shkëmbinj,
ku kishte kaluar
një pjesë të jetës së saj,
gurë të thepsur,
të heshtur,
dëshmitarë të kujtimeve të saj.
Shumë herë kishte qëndruar aty,
pranë detit ilirik,
por kurrë nuk ishte vonuar kaq gjatë
si atë mbrëmje vere.
Në shtëpi,
e ëma, Teutamosa,
ishte kapluar nga meraku.
Edhe pse vetë i kishte dhënë leje
të shkonte,
pasi kishin përfunduar punët e shtëpisë,
tani ndiente pendesë.
Për herë të parë
ajo u drodh nga një ndjenjë e panjohur,
kur iu kujtuan fjalët e përfolura,
se kohëve të fundit
pranë brigjeve të detit
shfaqeshin fytyra të panjohura,
të ndryshme nga banorët vendas.
Një rrëqethje i përshkoi trupin.
Në ato çaste,
ndjeu rëndë mungesën e të moshuarve të shtëpisë,
që prej vitesh preheshin
në qetësinë e botës tjetër.
Ndërsa për të shoqin,
ajo ishte mësuar me mungesën e tij,
tregtar i njohur,
që jetën e kalonte në udhëtime të gjata,
larg familjes dhe shtëpisë.
E mbetur mes ankthit dhe pendesës,
Teutamosa mallkonte veten
dhe dashurinë e tepruar të së bijës
për detin ilirik,
pa e menduar kurrë
se një ditë
ajo dashuri mund të kishte çmim.
Sepse ai det,
për të cilin kishte dëgjuar
aq shumë tregime nga gjyshërit,
Etrusiani dhe Pellazgjika,
mbante në thellësi
legjenda dhe mistere.
Dhe Ylliana,
që ishte rritur me ato rrëfime,
i kishte përthithur me kureshtje,
duke u bërë një me to,
ashtu si me vetë detin.


