KD-gjilan

Kalendari shpirtëror poetik i dashurisë

/ 15 minuta lexim
Hidromorava

Nga Behar Gjoka – Rreth përmbledhjes poetike Shprush nëpër dej të Sabit Rrustemit. Materia letrare e përzgjedhjes me poezi, e titulluar jo rastësisht Shprush nëpër dej, e autorit Sabit Rrustemi, një emër i njohur në poezinë shqipe, realisht është një buqetë e laryshisë poetike për dashurinë. Mëtimi për ta skalitur dashurinë, si ndjenja më e bukur dhe më jetëgjatë, përcillet fare hapur qysh në titullin e librit Shprush nëpër dej, ku madje metafora e shënuar, njëherit e fsheh dhe e zbulon nëntekstin e magjisë së dashurisë, sepse ndjesia e thellë e dashurisë lëviz, është tepër dinamike, si dhe mbi të gjitha të mban pezull.

Për ta përforcuar lidhjen e fortë shpirtërore të poetit me dashurinë, një temë e parapëlqyer dhe e shtjelluar gjerësisht në librat e tij, gjë që e prekim edhe në librin e fundit, gjithashtu në mbështetje të poetit të dashurisë, vjen nëntitulli shoqërues i librit të fundit me poezi, (Katrena e mbramë për dashurinë), që madje i vë vulën topikës autoriale, të parapëlqimit dhe lëvrimit të poezisë së dashurisë, e shtrirë në gjithë materien e librit, të cilën përgjithësisht e mban në nivel sipran, duke e skalitur këtë ndjenjë, gati-gati si një ndjesi hyjnore, si për konkretizuar atë që pati formuluar Harold Bloom, teksa shkruante: “[…] poezia është një thirrje profetike që meriton pa diskutim kurorën e letërsisë imagjinare” .

Nga ana tjetër, lënda poetike kaq e gjerë, e këtij libri poetik, e pasur në nuancat dhe finiturat e ligjërimit, të ngjyresave dhe formësimit të poezisë dhe poetikës së dashurisë, përgjithësisht duke e sugjeruar në hapësirën e librit, përmasën e kalendarit poetik për dashurinë, me shumë gjasa të një kalendarit shpirtëror. Lënda poetike e librit, në lidhje me thurjen dhe plasimin e kalendarit poetik për dashurinë, në faqet e përmbledhjes së fundit me poezi, vjen e pohuar në disa forma:

A – Në poezitë e fillimit të librit kemi tipin e pranisë së kalendarit tipik, duke shënuar datën, muajn dhe vitin, siç ngjet në rastin e poezisë së parë, ku ndeshim shënimin (2 kallnor 2021), situatë që është e shtrirë në njëqind e njëzet e katër raste, pra duke qenë formulimi më i plotë, për shpalimin e një kalendari poetik, në të gjithë librin.

B – Në tipin e poezive, ku kalendari është i shtrirë në disa vite, pra me një distancë disavjeçare, e cila zë fill me poezinë Duke shuar etjen tënde, ku ndeshim shënimin (11. 02. 2005 – 10 shkurt 2021) , një mënyrë e përveçme, duke e shënuar në këtë formë në shtatëdhjetë e shtatë poezi, pra e dyta në formësimin e kalendarit poetik dhe shpirtëror. Ndërkaq, ndeshen edhe disa forma të tjera të shënimit të kalendarit, me një numër më të vogël poezish, të cilat ruajnë tipin e hartimit të poezive si një kalendar poetik.

Formulimi i poezisë së dashurisë, në rrathët e kalendarit poetik, të shtrirë në ditët dhe netët e tre viteve, plason dhe pikturon kuptimësinë e zgjeruar për dashurinë, që herë të gëzon, e herë të dëshpëron, duke mbetur përherë një dritare e hapur, për ta kërkuar dashurinë, si dhe për ta gdhendur në kujtesë. Pse, ky libër kaq i plotë në ligjërimin e poezisë së dashurisë, në aparatin e gjerë paraqitës, në verbin shprehës dhe vokacionin e endur, plazmon poezinë e dashurisë, me imtësi dhe përkorje, ndjenjën e lashtë sa bota, si dhe një frymë shenjtëruese për të, që rrok përmasën e shpirtit të përjetësisë? Një pyetje retorike që e merr përgjigjen me poetikën e këngës së poetit për dashurinë, të shtrirë në lëndën e gjerë me poezi të librit Shprush nëpër dej.

Dialog i pakëputur me dashurinë

Në esencë të ligjërimit letrar, kjo përmbledhje e gjerë poetike, më tepër është një dialog i mirëfilltë i un-it, pra i poetit me dashurinë, me gjasë me të dashurën e përzgjedhur, e paraqitur poetikisht në shumë raste. Dialogimi i këtillë, në krye të herës, është shpallur me një natyrë, gati të mbyllur, është një dialog me veten, si të thuash që niset nga trazimi i brendshëm, madje në ndjesitë më të holla, për ta dërguar mesazhin shpirtëror te tjetra, pra të ajo, që e ka në kokë, që ndërkohë shpërfaqet si imazh, real dhe efemer, duke e mbajtur tonin e ligjërimit gjithnjë në vatrën e dashurisë. Vetvetiu, bazuar në hapësirën e gjerë tekstologjike, statusi i poezisë, nga dialog i brendshëm, e zgjeron ndjeshëm hapësirën e komunikimit, me botën e madhe, duke shqiptuar dashurinë, më tepër si kredo e frymimit për ekzistencën e shkrimit poetik. Duke qenë kështu, në thelbin e ligjërimit poetik, ku më shumë vjen si papraninë e ndritshme, e cila sendërton poetikën e mungesës, e plazmon ndjesinë e thellë të poetit, si pista kryesore e dialogut, pamëdyshje është me atë, të përzgjedhurën e ëndërruar, që vjen e shpalosur në disa rrafshe:

-Si ndjesi malli, kur shkruan:

Buzëqeshja jote/shkrihet si rrezja/e syve të përmalluar ,

ku ndeshim komunikimin e brendshëm, pra me veten, gjithnjë në pritje të ardhjes, së të dashurës, me ankth dhe gëzim, për të ardhur te një Last tjetër, po laq domethënës:

-Të mungesës që sjell tronditje, sikur ngjet në vargjet:

E ëmbla ime e dëshiruar/kudo që të jesh/ëndrrën time të munguar/për mua kërkoje ,
që përmes lirizmit të mungesës pret dhe sugjeron ëndrrën e shumëdëshiruar, që shpesh herë endet si një makth ëmbëltak, për të ardhur deri te forma tjetër:

-Si kërkim i dashurisë, e shënjuar në vargjet:

Sillem e mbështillem/Palët e kësaj vetmie i përimtoj ,

që më së shumti theksojnë vetminë, madje grimcimi i saj, e nxjerr më në pah situatën e un-it, të poetit të pushtuar nga dashuria, për të ardhur në një formë tjetër:

-Dashuria si kujtesë librore, e shqiptuar në vargjet:

Me një fat Atlantide më ngjan/a të Trojës së djegur e të lëvruar ,

që kalon në një përgjithësim të përvojës së hershme të shkrimit të poezisë, pra në shtratin e antikitetit, për të ardhur te një përgjithësim i pazakontë:

Në këtë jetë të përkohshme/e virgjër është ende/vetëm dashuria ,

ku shprehet kaq shlirshëm, duke i vënë dashurisë një brerore dritash me shkëlqim. Përveç ngjyresave të pranishme në marrëdhënie me dashurinë, si një zjarr krejt i brendshëm, ka raste që poezia vjen në formula të plota ligjërimi:

-Me anë të distikut, si në vargjet e poezisë Lule Shpirti:
Përballë syve Të tu/s’më duhen pasqyrat//Një univers pa fund shoh/e flakërimet e syve të mi//Stinëve të dashurisë përpush/e puthje të zjarrta mbjell//Hapësirës sate lehtas zbres/kah ai Breg i Ëndërrt jete//Mjaltin e të gjitha stinëve gjej/atë lule shpirti nëpër dejë ,

për të ardhur te një formë tjetër, e pazakontë ligjërimi:

-Tercina e sublimuar në vargjet e poezisë Dehje e pa rëndomtë:

Mesnata na takon/mes akrepave të orës/si zogj të një dorës//Nën çuditë e syve/pak lëngë shpirti/pimë te kroi i buzëve//Fluturojmë dëshirash/harlisur ëndrrash/si nëpër degë lisash//E nuk të kam këtu/e nuk më ke atje/a dehemi deri n’re ,

si një tregues i formës së kërkimit poetik, që dëshmon kërkimin shpirtëror, për mbërritur në përgjithësimin e pazakontë të vargjeve:
Dashuria si një xixëllonjë vere errësirën pret/Për t’i dritësuar herë pas here kujtesat tona , që në mënyrë të domosdoshme skicojnë konceptin e autorit për dashurinë dhe marrëdhënien shpirtërore të tij me ndjenjën më të bukur të kësaj bote.

Dashuria në poezinë e autorit, është frymim ekzistence, po ashtu është shkas për t’u parë, mbi të gjitha është drita që të shpie te lumturia. Madje, edhe kur dashuria të dëshpëron, me gjasë kur vonohet për të ardhur, në takim sërish dashuria mbetet dritë vezullimesh.

Varianti si optikë e shkrimit poetik

Nëse do të kërkonim në materien e gjerë letrare, të përmbledhjes me poezi Shprush nëpër dej një element të përveçëm të shkrimit poetik, pa asnjë mëdyshje do të theksonim, se autori spikatet për shkrimin e poezisë me variante, që ndryshon nga versionet e njohura, që zakonisht ndeshen në dorëshkrime, kurse në rastin e këtij libri me poezi variantet e ndryshme vinë të deshifruar në hapësirën e gjerë tekstologjike. Rrethana më e beftë letrare, që ndeshet në materien poetike, në një libër me një numër të konsiderueshëm tekstesh, është se kemi të formësuar në gjithë hapësirën e gjerë të tyre, një larmi variantesh, të ndryshëm dhe të përafërtë, madje ekzistenca e tyre, përçohet ashtu siç i ka paraqitur autori. Në mesin e vatrave ligjërimore, do të përmendja:

A – Forma e ligjërimit poetik, që përcillet me termin (variant), e cila formulohet në njëzet poezi të ndryshme të librit.

B – Ligjërimi poetik, që emërtohet nga poeti (variant i ri), që në këtë vëllim, shpalohet në tetë poezi gjithsej.

C – Materie poetike, e paraqitur me shënimin (variant final), i cili përcillet në tridhjetë e tetë poezi, pra më shumë se në të gjitha formësimet e varianteve të plazmuara në këtë libër.

Mobi Casa

D – Kemi edhe rastet e tjera, me më pak poezi, siç ngjet me shënimin (variant 1), me një poezi, apo me shënimin (variant 2), me dy poezi, si dhe me shënimin (variant i dytë), po ashtu me dy poezi.

Në këtë libër, ndërkaq kemi edhe një stilemë poetike, të themi të përveçme, ku madje një poezi e caktuar, formësohet në dy kohë. Ky tip poezie zë fill me vargjet e poezisë Duke shuar etjen tënde, që ka në fillim përcaktimin (variant i ri), e në fund përcillet me informacionin (11. 02. 2005 – 10 shkurt 2021). Ky tip shkrimi, pra variant që duket sikur është shkruar në dy kohë, bartet edhe në vargjet e poezisë Vjersha e pranverës, që përcillet bashkë me shënimin (20 mars 2013 – 20 mars 2021), për të vijuar me këtë formë ligjërimi, gjithsesi të një varianti specifik, me rreth tetëdhjetë poezi, që dukshëm përçojnë dykohësinë e përjetimit, të shkrimit poetik, duke u bërë kështu, “versioni” më i gjerë i pranishëm në faqet e përmbledhjes Shprush nëpër dej. Po ashtu, në këtë vëllim poetik, ndërkohë prekim edhe një formë tjetër ligjërimi, që përfaqëson variantin e gegnishtes, ku kemi tri poezi, posaçërisht, Me dy shkurt të këtij viti, Kët’ largësi pak me shkurtue dhe Nëse e ke veç nji trohë zemër, e nga kjo poezi po shkëpusim disa vargje:

Sa fjala u shkrue/U shlye/E u rrënue//Varg s’ u ba që s’u ba/Kët’ natë të trishtë/m’ duhet me plakë i vetëm/sonte e deri n’frymën e mbramë ,

të cilat shqiptojnë poezinë më tingullore, përmes një gegnishtje të ëmbël.

Në kërkim të dashurisë

Përmbledhja poetike Shprush nëpër dej në të gjithë lëndën letrare, është një libër qartësisht për dashurinë, me shumë gjasa, diçka më tepër, një klithmë në kërkim të dashurisë.

Materia letrare e poezive të librit, ofron një model shkrimi, që i ngre himn ndjenjës më të bukur njerëzore, dashurisë. Shpërfaqja e kërkimit të kësaj ndjesie, vjen e shpalosur si një mozaik lirik, teksa përveçohen situatat:

E një përjetimi të thellë, siç paraqitet në vargjet:

Nuk po t’shoh/vetëm nëpër dej/shprushjet Tua i ndjej ,

që duket se shprehet me një ton lakonik, ndjesi të forta, ku flet nënteksti dhe gjendja e ngritur, gati e pazakontë, për mbërritur në vargjet:

E ëmbla ime e dëshiruar/kudo që të jesh/ëndrrën time të munguar për mua kërkoje,

ku theksohet ndjesia e fortë e përmallimit, e cila vijon me vargjet e pritjes së ankthshme, si në vargjet e poezisë Ajo stinë e ndryrë dashurie:

Zbrazëti e përhirtë lëshohet mes nesh/e stina e ndryrë dashurie/si sytë e Tu/pret,

pavarësisht se është një pritje e ëmbël, një gjendje e pezulltë, që rimerret në poezinë tjetër, përkatësisht e shprehur në vargjet:

Gjithë dalldisjet e pritjeve i qofshin falë/për hir të dashurisë që s’shuhet,

duke hedhur rrezatimin e shpresës që buron prej dashurisë, për të ardhur te një gjendje poetike, alla lasgushiane:
të të pushtoj veç dashurisht/e të të them pa ngurrim/vetëm brenda syve të Tu gjej lumturim,

për të ardhur te një gjendje e pazakontë në vargjet:

vetëm dashuria ime e fshehur/nëpër ato flatra/si e jotja nëpër petale/Agun e ri presin në dritare

Struktura poetike e librit

Libri me poezi Shprush nëpër dej, që përcillet me nëntitullin (Katrena e mbramë për dashurinë), jo rastësisht përcillet me një strukturë poetike të përveçme dhe të mirëmenduar. Struktura e librit përbëhet:

-Nga cikli fillimtar, me titull Për shpirtin tënd, bashkë me nëntitullin (In Timo 2021), ku hapet kalendari poetik i dashurisë, që përçon pjesën më të madhe të poezive. Ndeshim një larmi teknikash vjershërimi, ku secila prej tyre, zbulon aftësinë e poetit për ta ndriçuar dashurinë në shumësinë e planeve dhe këndeve të shpalimit, si dhe të larë me dritat dhe ngjyrat, që veçanërisht zbulohet në vargjet:

Përmes plasave që zbresin deri në rrënjë/një lule si jona dashuri/lëshon shtat,

ku prekim njdesinë e poetit për dashurinë, e cila theksohet në vargjet:

Qiellit të kësaj nate/shfaqesh ashtu si je/e zjarrtë e zemërmjaltë,

një gjendje tepër e ngritur emocionale, që shprehet në vargjet:

Darkën e kësaj nate/mbështjellë n’çarçafin t’bardhë/ma sjellin në tryezë

Në këtë cikël janë përfshirë njëqind e tetëmbëdhjetë poezi. Nga cikli i tëri Brenda teje ndizem, bashkë me nëntitullin “In Tima/2022”, ku janë përfshirë dyzet e nëntë poezi, ku mbizotërojnë poezitë e varianteve të ndryshme e ku prekim një shkallë më të ngritur të përpunimit stilistik. Nga cikli Pritjet s’kanë ku preken, bashkë me nintitullin “In Tima” 2023, i cili vjen me njëzet e shtatë poezi, ku po shkëpusim disa vargje:

Ç’të vjelim tjetër/Pos heshtjes,

e cila paraqet një aspekt të anës tjetër të dashurisë. Nga cikli N’atë pjesë të fshehur të zemrës, bashkë me nëntitullin “In Tima” 2024, që përfshin pesëmbëdhjetë poezi, ku do të veçoja vargjet:

Nëse asht’mëkat me dashtë/mos më fal o Zot
Pra, libri është formësuar dhe përcaktuar me katër cikle, që madje përkojnë me katër vite të shkrimit të poezisë, të cilat përbashkohen në tipologjinë e poezisë që ka në epiqendër dashurinë, të cilën vargjet e përcjellin me etikë dhe me ndjesi të holla, ndonëse në ndonjë raste shpërfaqen edhe shenja erotizmi.

Në përmbledhjen Shprush nëpër dej janë përfshirë dyqind e trembëdhjetë poezi dhe, të gjitha janë për dashurinë, duke e portretizuar autorin Sabit Rrustemi, si poet të dashurisë./rajonipress/