Gëzim i madh kur bie shi – pastrohet pluhuri dhe ndotja e rrugëve
Gjilan – Niveli i pastërtisë së rrugëve në qytetin e Gjilanit ka degraduar në një shkallë alarmante, duke u kthyer nga një shqetësim i thjeshtë mjedisor në një përballje të përditshme për banorët e tij. Ndonëse kompanitë e kontraktuara nga Komuna e Gjilanit kryejnë procesin e fshirjes së hapësirave publike, ky veprim mbetet kryekëput simbolik dhe sipërfaqësor. Si pasojë, qytetarët përballen në baza ditore me një prani masive të pluhurit, i cili ka përfshirë çdo sferë të jetës publike dhe po cenon shëndetin.
Pluhuri i pranishëm nëpër rrugë e hapësira publike ushqehet nga një rrjet vatrash, ku peshën kryesore të përgjegjësisë e mbajnë makineritë e rënda të ndërtimit dhe punishtet e shumta private që operojnë jashtë çdo kriteri bazë të sigurisë dhe sanitetit. Kamionët dhe mjetet e rënda dalin nga këto vatra të papastra duke bartur mbetje të ngurta, pluhur dhe baltë direkt mbi asfalte.
Përtej sektorit privat, një kontribues po aq i madh i këtij degradimi vjen nga vetë sektori publik, specifikisht përmes projekteve infrastrukturore të cilat janë zvarritur, janë lënë të pasiguruara, punohet papërgjegjshëm ose janë pezulluar plotësisht në gjysmë të rrugës.
Ironia më e madhe qëndron në faktin se ky degradim kronik ndodh pavarësisht faktit se Gjilani renditet si një ndër kontribuesit më të mëdhenj të taksave në buxhetin e Kosovës. Kjo dëshmon se problemi nuk buron nga mungesa e financave apo e mjeteve të qytetarëve, por nga paaftësia e thellë menaxhuese për të adresuar këtë krizë mjedisore.
Dështimet strukturore në menaxhimin e pastërtisë urbane konfirmohen edhe nga të dhënat e vazhdueshme të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) dhe platformës globale për monitorimin e ajrit, IQAir. Këto institucione e radhisin rregullisht Gjilanin në mesin e qyteteve me indeksin më të pashëndetshëm të ajrit, ku pluhuri i rrugëve dhe grimcat e imta PM10 dhe PM2.5 luajnë rolin kryesor të ndotjes.
Ky dështim ekologjik ndërlidhet organikish me raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) mbi rënien e cilësisë së jetesës, një faktor ky që po e shtyn popullatën drejt migrimit dhe po e rreshton qytetin në listat më negative evropiane për nga parametrat e mirëqenies.
Në këtë kontekst, reagimi i Inspeksionit Komunal mbetet krejtësisht anemik. Ndonëse raportohen inspektime dhe në raste të izoluara edhe shqiptime gjobash, këto ndërhyrje shihen nga opinioni publik vetëm si një përpjekje kozmetike për të arsyetuar detyrën.
Paradoksi qëndron te fakti se vetë kompanitë e kontraktuara dhe të paguara nga paratë e taksapaguesve të Komunës së Gjilanit shfaqen shpesh si operatorët më të papërgjegjshëm në terren. Ato, në vend që të jenë zgjidhja, kthehen në burimin parësor të ndotjes dhe pluhurit. Kjo papërgjegjësi është lehtësisht e verifikueshme në pika kritike të qytetit, siç është rasti me gjendjen e rënduar në rrugën “Hamdi Kurteshi”, apo në aksin kryesor në dalje të qytetit që të çon drejt Prishtinës, ku punimet tashmë janë pezulluar për një kohë të gjatë.
Dëshmia më e pakontestueshme e këtij niveli minimal të mirëmbajtjes urbane shpërfaqet te shtresa e vajrave motorikë që ka mbuluar pothuajse çdo rrugë. Kjo ndotje toksike është e theksuar nëpër pikat e ndalesave të automjeteve dhe nëpër kryqëzime, duke nxjerrë në pah mungesën e plotë të një përkujdesjeje të rregullt dhe larjeje të mirëfilltë të asfaltit me mjete adekuate.
Për më tepër, skanimi ndër-vite i qasjes së institucioneve publike ka treguar se neglizhenca po ndodh pavarësisht faktit se kush qeveris apo se cila parti politike udhëheq me qytetin. Ky realitet konfirmon se administrata komunale, pavarësisht ngjyrave politike, dështon plotësisht të ndërtojë një mekanizëm funksional për t’u përballur me këtë problematikë.
Mungesa e këtij shërbimi ka krijuar një situatë absurde ku të vetmet raste kur rrugët e qytetit pastrohen realisht është kur Gjilani përfshihet nga reshjet e shiut. Ky pastrim natyror është e vetmja kohë kur qytetarët ndiejnë një çlirim të përkohshëm nga rënia e nivelit të pluhurit dhe vajrave motorikë, megjithëse ky “shpëtim” atmosferik zgjat shumë shkurt./rajonipress/


