Fundamenti

Qeveritë e dështuara e fundosën ekonominë

/ 8 minuta lexim
Fundamenti

Ndonëse po bëhen pothuajse 10 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjëra nga qeveritë e deritashme, edhe pse premtuan shumë, nuk e morën mundimin që të merren me zhvillimin ekonomik të shtetit të Kosovës. Analistët ndërkaq janë të bindur se çdo qeveri, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, vetëm sa i zhvatën qytetarët dhe të njëjtit u pasuruan për vete, duke i bërë milionat në kontot e tyre të fshehta, ndërkaq Kosova po vazhdon që të pësojë regres ekonomik.

Ekspertët vlerë- sojnë se janë shkalla e lartë e papunë- sisë, e varfërisë, monopolet nga mafiooligarkët që po ua lajnë fytin pushtetarëve, por edhe deficiti i madh tregtar, pastaj mosdhënia e lejeve të ndërtimit për projekte zhvillimore ekonomike në Prishtinë, si dhe mosmbrojtja nga konkurrenca e jashtme, vetëm disa nga faktorët që ndikuan që Kosova të përballet me mungesë të zhvillimit ekonomik dhe me mungesë të mirëqenies sociale etj.

Bankieri Milazim Abazi për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se pas shpalljes së pavarësisë e deri më sot zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk ka ecur me ritmet që kemi pritur.”Përkundrazi, zhvillimi ekonomik ka ngecur, kështu që prapambetja ekonomike e Kosovës ka vazhduar që të thellohet krahasuar me vendet në regjion”, u shpreh ai.

Sipas Abazit, është rast fatkeq, ngase asnjëra nga qeveritë pas pavarësisë nuk ka arritur që t’i mobilizojnë resurset natyrore të Kosovës, por edhe as që të krijojnë një klimë të përshtatshme të bërjes së biznesit për thithjen e investimeve të huaja.

Me veprime “ad hoc” nuk zhvillohet vendi

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot” tha se ka shumë indikatorë se përse Kosova që nga pavarësia nuk arriti të ketë një zhvillim ekonomik.”Por, indikatorët kryesorë mbeten agjendat politike dhe zgjedhjet tepër të shpeshta nacionale dhe lokale që si po duket janë fajtorët kryesorë që e lanë ekonominë e vendit mënjanë dhe që dominuan në agjendat dhe në punën e qeverive dhe përbërjes së kuvendeve të pasluftës, duke ndikuar drejtpërdrejt që ekonomia të mbetet në margjina dhe që për pasojë ta kemi një situatë të tillë të brishtë ekonomike”, u shpreh ai. “Asnjëra nga qeveritë pas pavarësisë së Kosovës me gjithë premtimet e tyre të bëra gjatë fushatave se kanë pasur programe të detajuara të zhvillimit ekonomik për vendin, qeverisjet e tyre kanë treguar se ato nuk kanë pasur ndonjë agjendë të saktë dhe të detajuar ekonomike, por edhe plane zhvillimore konkrete”, potencoi Maloku. Sipas tij, këto garnitura kanë vepruar “ad hoc”. “Indikatorët e tjerë që ndikuan në këtë moszhvillim ekonomik mbeten krimi i organizuar, korrupsioni, informaliteti, por edhe mungesa e një tregu të lirë, si dhe dyshimet e mëdha për zhvatjen e paturpshme të qytetarëve nga ana e pushtetarëve të të dyja niveleve”, tha më tutje ai.”Janë këta faktorë që së bashku me procesin e privatizimit, që ishte fatal për ekonominë vendore, vetëm disa nga indikatorët që edhe kanë ndikuar që në Kosovën e pavarur të kemi një rënie drastike të investimeve të huaja, veçanërisht këtyre 5 viteve të fundit e deri më sot”, vlerësoi Maloku.

Gara e fortë… për zhvatje

Uji Dea

Analisti i ekonomisë, Nehat Emrullahu, tha për gazetën “Kosova Sot” se mungesa e vizionit dhe angazhimit për një Kosovë të qëndrueshme karakterizoi nivelin qendror dhe atë lokal. “Gara për të udhëheqë me qëllim të sigurimit të përfitimeve personale dhe klanore ka qenë më e fuqishme se vetë kërkesa për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës”, ka thënë ai. “Mafio-oligarkët janë mbështetësit e parë me oferta tërheqëse për politikanët kosovarë dhe jo vetëm, ndaj nuk munden që t’u rezistojnë. Përkundrazi, këta shpejt iu përshtatën rrethanave duke i mbrojtur fuqishëm interesat e tyre dhe si rezultat këta morën hisen e kulaçit që u takonte, shpesh edhe më shumë. Pasuritë e tyre nga banesat luksoze (një e më shumë), ndërtime të larta, si dhe pronat e mëdha të realizuara edhe nëpërmes procesit të privatizimit (proces legal), bënë që Kosovën dhe kosovarët t’i bëjnë pa shpresa për një të ardhme të tyre, në veçanti për gjeneratat e reja”, shpjegoi më tutje Emrullahu. “Ndaj sundimi i ligjit duhet që të jetë prioritet “,vlerëson ai. “Kjo mund të bëhet nëse eventualisht Qeveria e tanishme në nivelin qendror, si dhe të paktën disa nga këto që do të zgjidhen në nivelin lokal (1-2- 3), e marrin mundin dhe përgjegjësitë për luftimin deri në fund dhe përjashtimin në tërësi të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se do të përqendrohen në zhvillim ekonomik dhe përkrahje të bizneseve në prodhim, shërbime etj.”, potencoi Emrullahu.

Korrupsioni e la shtetin në vendnumëro

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për “Kosova Sot” se që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës është më se e vërtetë se asnjë qeveritar, asnjë politikan apo parti politike, nuk ka bërë asgjë për ta zhvilluar Kosovën. “Kjo ka ndodhur për shkak se ata më shumë janë marrë me punët e tyre korruptive dhe kriminale sesa që pushtetarët tanë të korruptuar kanë menduar për shtetin dhe popullin e tyre”, u shpreh ai. “Ajo çka është më e keqja për këto 10 vitet e fundit, në vend se të kemi një rritje të punësimit dhe të rritet ekonomia, pastaj që të ulet ritmi i korrupsionit, këtu në Kosovë ka ndodhur e kundërta, që do të thotë se kemi një rritje tej mase të papunësisë, ndërkohë që ekonomia është ulur, korrupsioni është duke u shtuar dhe prandaj gjendja e Kosovës është edhe më keq se sa para 10 viteve”, theksoi Grapci. Ai shpreson se në vitet në vazhdim Kosova me Qeverinë ‘Haradinaj’ do të jetë më mirë, sepse nëse me të vërtetë do të vazhdohet me këtë ritëm, Kosova do t’i ketë punët shumë keq në përgjithësi me të ardhmen ekonomike.

Duhen ndryshime rrënjësore

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për “Kosova Sot”, se askush prej nesh nuk kemi pritur që edhe pas 10 viteve pavarësi do të jetojmë në një varfëri dhe që Republika e Kosovës nga shumë raporte ndërkombëtare do të shihet si vend i korrupsionit, krimit të organizuar, i qeverisjes jo të mirë, me institucione jokredibile, me një gjyqësorë të paaftë dhe joprofesionalë. “Sot, edhe pas 10 viteve pavarësi, Kosova është vendi më i varfër në Evropë, ku 50 për qind e popullatës është e papunë, niveli i varfërisë ekstreme është mbi 15 për qind. Për çdo vit në tregun e punës në Kosovë hyjnë mbi 30 mijë të rinj, ndërsa punësohen vetëm personat që i zëvendësojnë ata që pensionohen, sepse nuk ka kurrfarë investimesh të huaja në biznes ,deficiti tregtar është shumë i lartë për shkak të rritjes së importit”, theksoi ai. “I mbetet Qeverisë së Haradinajt që të bëjë ndryshim rrënjësor dhe që të jetë një qeveri dinamike, ashtu siç ka filluar, duke qenë një qeveri vendimmarrëse, e fuqishme dhe e pakompromis ndaj të gjitha të këqijave dhe të jetë një qeveri zhvillimore në aspektin ekonomik”, potencoi Neziraj. “Qeverisë së re i duhet urgjentisht një strategji kombëtare e zhvillimit të vendit, që duhet të ofrojë politika konkrete të çdo fushe të ekonomisë. Trendi pas pavarësisë i rritjes së ekonomisë dhe strukturës së saj po e dërgon ekonominë vendore drejt falimentimit e nëse kështu vazhdohet qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të kenë më fuqi blerëse as për gjërat elementare”, vijoi më tutje ai.

(Kosova Sot)