Uji Dea

Qeveria nuk po gjen rrugë as numra për themelimin e Gjykatës Speciale!

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Qeveria e Kosovës e drejtuar formalisht nga Isa Mustafa gjendet në një mat pozicion. Dy drejtuesit e koalicionit PDK- LDK, Isa Mustafa e Hashim Thaçi përkundër zotimeve që kishin dhënë para ndërkombëtarëve se do ta themelojnë Gjykatën Speciale, duket se nuk do ta kenë të lehtë ta realizojnë një gjë të tillë.

Burime të Gazetës Blic kanë thënë se koalicioni PDK- LDK, pos që nuk po gjen rrugë ligjore se si ta ridërgojë në Kuvend amendamentin kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, që nuk u votua para tri javësh nga deputetët, nuk i ka as numrat edhe po të riprocedohej ai amendament kushtetues.

Mungesën e numrave dhe të mungesës së strategjisë se si ta riprocedojnë në Kuvend të këtij amendamenti kushtetues, e ka konfirmuar për gazetën Blic edhe këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa.

Këshilltari për çështje ligjore i kryeministrit të Kosovës, Besnik Berisha i ka thënë Gazetës Blic se ekzekutivi ende nuk e ka një plan apo një strategji të qartë se si do të veproj në lidhje me riprocedimin e amandamentit kushtetues në Kuvend, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

“Jemi në konsultime. Për momentin nuk kemi ndonjë plan a strategji të qartë se si të veprojmë. Mirëpo, nevojitet vullnet politik që ta përmbushim këtë obligim ndërkombëtar”, ka thënë Berisha. I pyetur se a bie ndesh me nenin 144 të Kushtetutës së Kosovës riprocedimi i këtij amendamenti kushtetues, Berisha ka thënë se Qeveria së pari do ta respektoj Kushtetunë.
Ai thotë se ekzekutivi i ka disa alternativa se si ta kaloj këtë amendament kushtetues, por që sipas tij ditëve në vijim do të vendoset se si të veprohet.

“Ne e dimë se edhe në të kaluarën kanë ndodhur që një ligj a ndonjë rezolutë të mos kaloj në Kuvend njëherë, dhe kur është sjellë në Kuvend herën tjetër ka kaluar”, ka thënë ai, duke mos dhënë sqarime konkrete se mbi çfarë baze kushtetuese do të riprocedohet në Kuvend amendamenti kushtetues, që mundëson pastaj themelimin e Gjykatës Speciale.

Ndonëse kryeministri i vendit, Isa Mustafa kishte shpresuar se Gjykata Speciale do të mund të themelohet para se Kuvendi të shkoi në pushime, këshilltari i tij thotë për Blic se ende nuk dihet saktësisht se kur do të mund të ndodh themelimi i saj.

“Sa më shpejt që do ta themelojmë, aq më mirë do të jetë për ne. Nuk e di se kur do të mund të ndodhë riprocedimi nga Qeveria. Nuk mund të them që kjo ndodh nesër, apo nesër një javë. Është çështje e vullnetit politik”, tha ai.

Për themelimin e Gjykatës Speciale, dje në Kosovë ka qëndruar edhe ndihmëssekretarja amerikane e shtetit, Nuland, e cila ua ka bërë të qartë liderëve kosovarë, se nëse ata nuk do ta themelojnë Gjykatën Speciale, atëherë këtë do ta bëjë OKB-ja.

Në anën tjetër, analistët politik konsiderojnë se Nuland ka qenë shumë e qartë gjatë vizitës së saj në Kosovë, që kjo gjykatë duhet të themelohet sa më parë.

RCCOLA

Drejtori i Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj ka thënë për Gazetën Blic se Nuland u ka dhënë mesazh të qartë institucioneve të Kosovës që duhet të themelohet kjo gjykatë.

“Vizita e Ndihmës Sekretares Nuland duhet parë si rutinore, e cila vizito disa shtete në rajon. Sigurisht që për secilin shtet çështjet janë të ndryshme dhe specifike. Me këtë optik duhet parë edhe këtë vizitë të Nuland në Kosovës. Ne, pra Kosova si çështje të ndjeshme politika ka themelimin e Gjykatës Speciale, e për këtë arsye, nuk besoj që tema boshte të ketë qenë diçka tjetër brenda takimeve të mbyllura më liderët institucional e partiak”, ka thënë ai.

Se si do të ndikojë kjo vizitë, sipas Zogajt gjërat janë më se të qarta.

Ai shton se Republika e Kosovës do të duhej të përshpejtoj më themelimin e Gjykatës Speciale-me ose pa presionin e jashtëm.

“Besoj që deputetet e Kuvendit të Kosovës nuk do të duhej ta sjellin vendin deri ne këtë pikë të presionit të jashtëm që të votojnë Gjykatën Speciale. Në mes dilemës që të votojmë një Gjykatë etnike dhe të mundësisë që nëpërmjet vendimit të deputeteve të Kosovës të mos hetohen krimet e pretenduara, unë besoj që deputetet e Republikës së Kosovës duhet të zgjedhin versionin e parë, pra të votimit të Gjykatës. E besoj që Nuland ka dhënë këtë mesazh tek institucionet dhe partitë politike”, ka thënë Zogaj.

Zogaj thekson se Kushtetuta nuk e ndalon që të riprocedohet në Kuvend, amendamenti kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë krijimit të kësaj gjykate.

“Sa i përket aspektit teknik të riprocedimit, besoj që nuk ka asgjë të shkruar që do të parandalonte një gjë të tillë. Këtu po flas edhe për neni 144 dhe pikat e tij. Ky nen i Kushtetutës nuk thotë asgjë në lidhje me mundësitë e dështimit të propozimeve dhe eventualisht riprocedimin. Prandaj, jemi brenda praktikave normale që amandamentet mund të riprocedohen, qoftë edhe me ndryshime të thjeshta formale”, thotë ai për Gazetën Blic.

Në fund të muajit të kaluar, Kuvendi i Kosovës i kishte thënë jo këtij amendamenti kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.

Ishin hiq më pak se 13 deputetë të PDK-së, ata të cilët e rrëzuan këtë amendament kushtetues. Shumica prej tyre votuan kundër, dy abstenuan dhe katër të tjerë nuk morën pjesë fare në votim./ Gazeta Blic/