Fundamenti

Qeveri teknike, pastaj zgjedhje në 2016?

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Interpretimi i ndryshëm nga pozita dhe opozita i aktvendimit të Kushtetueses në lidhje më atë se a ka pasur shkelje të Kushtetutës me Marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave më shumicë serbe, sipas analistëve kosovarë po e shpie vendin në një pozitë ku zgjedhjet parlamentare do të jenë të pashmangshme.

Analisti Nexhmendin Spahiu, ka theksuar se aktgjykimi i Kushtetueses për asociacionin e komunave me shumicë serbe, tregon që brenda marrëveshjes ka parime që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, e që sipas tij, nënkupton që ata të cilët e kanë nënshkruar këtë marrëveshje kanë bërë shkelje të aktit më të lartë juridik.

Ai ka thënë për Telegrafin se në qoftë se vetëm në një parim të marrëveshjes kemi shkelje të Kushtetutës, atëherë dikush do të duhej të jepte dorëheqje, sikurse ndodh në çdo vend normal.

“Mendoj që zgjedhjet në një situatë të acaruar çfarë ekziston sot në mes pushtetit dhe opozitës, do të mund të kishin pasoja tragjike, për shkakun që në një atmosferë të tillë të ndezjes së gjakrave organizimi i zgjedhjeve nuk është puna më me mend. Konflikti që ekziston në mes klasës politike mund të hapet edhe nëpër shtresa më të gjëra të popullsisë”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, gjëja më e arsyeshme do të ishte të bëhet një qeveri teknike – gjithëpërfshirëse, duke shtuar se “kur akterët të marrin përgjegjësinë e caktuar, dhe pas pesë ose gjashtë muajve do të duhej të organizoheshin zgjedhjet”.

Uji Dea

Analisti Arben Ahmeti, ka theksuar se viti 2016 ka shumë gjasa që të jetë zgjedhor, por jo për shkak të vendimit të kushtetueses.

Ai ka thënë për Telegrafin se në gjithë këtë krizë ka pasur teatër si nga pozita dhe opozita, dhe se sipas tij, shkaku i vërtetë i krizës janë mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Kosova do të kaloj nëpërmjet një procesi të ridefinimit të pozitave kryesore vendimmarrëse siç është ajo e presidentit të vendit.

Unë pres që një proces i tillë të shkaktoj zgjedhje të jashtëzakonshme ose zgjerim të koalicionit aktual. Natyrisht se do të ishte më mirë që të kemi zgjedhje se sa zgjerim të koalicionit, edhe ashtu tepër të madh dhe jofunksional”, ka shtuar Ahmeti. /Telegrafi/