Fundamenti

Pushtete të dhunës

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Imer Mushkolaj- Në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pesëvjetorin e Kosovës shtet, në Prishtinë e Tiranë mbillet frikë, dhunë e diktaturë. O sa mirë me qenë shqiptar!

Dhunë, shumë dhunë policore u shpreh ndaj protestuesve, të cilët të mërkurën mbushën oborrin e Qeverisë së Kosovës. Nuk u kursyen as deputetët, të cilëve iu ndalua hyrja në ndërtesën e Qeverisë. Ata po trajtoheshin si dofarë rrugaçësh që po dashkan ta sulmonin Ekzekutivin, pavarësisht se të qenit deputet u mundësonte qasje të lirë në objektet qeveritare.

Aktivistë dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, që në radhë të parë janë qytetarë të këtij vendi, po përpiqeshin të pengonin nënshkrimin e kontratës për shitjen e Distribucionit të KEK’ut, për një çmim vërtet qesharak. Blerësit turq po mbroheshin me forca speciale nga qytetarë dhe deputetë që kundërshtonin privatizimin e kësaj pjese të pasurisë publike, ndërkohë që Bajram Rexhepi po iu jepte urdhra direkt policëve të vepronin sa më ashpër. Pushteti po tregonte forcën brenda oborrit të tij – oborrit të rrethuar me grila hekuri. Për këtë kishte angazhuar edhe oborrtarë të vet.

Një ditë më pas Kryetari i Kuvendit shtyu seancën parlamentare, pasi që policët kishin mbërthyer ndërtesën e Legjislativit. Ashtu si në kohët e kaluara, vetëm se atëherë nga regjimi serb. Tash me urdhër të “dikujt” tjetër – e kujt tjetër pos Bajram Rexhepit arrogant, i cili një ditë më parë, nga foltorja e Kuvendit, kërcënonte se do t’i burgoste të gjithë.

Ndryshe nga 22 vjet më parë, tash Kosova pretendon të jetë një vend i lirë, me një kuvend të zgjedhur nga qytetarët. Një kuvend që vendos për jetën dhe të ardhmen e këtyre qytetarëve, por disa deputetë të të cilit më tepër janë shquar si oborrtarë të Kryeministrit Hashim Thaçi, sesa përfaqësues të atyre që i kanë votuar.

Skenat e dhunës dhe të pranisë së policisë në Kuvend tregojnë shumëçka. Tregojnë se këto institucione nuk janë të qytetarëve, por të pushtetarëve dhe të oborrtarëve. Tregojnë për shkelje dinjiteti, shkelje ligjshmërie, shkelje kushtetute.

Askund në vendet demokratike institucionet nuk janë të rrethuara me hekura. Qytetarët kanë qasje jo vetëm në oborre, por edhe brenda tyre. Sepse, institucionet iu takojnë atyre.

Uji Dea

Në Kosovë nuk është kështu. Institucionet janë të rezervuara për udhëheqësit. Ata mbrohen me grila nga qytetarët. Mbrohen me policë. Me roje.

Kuvendi është institucion në të cilin do të duhej debatuar lirshëm e pa frikë, e jo nën rrethim, jo nën orë policore. Jo nën kërcënimin e ministrit të Brendshëm, të cilit pas sa e sa skandaleve s’i ka mbetur gjë tjetër vetëm të jep dorëheqje. Ose ta shkarkojë ai që e ka zgjedhur. Urgjentisht!

Sepse, të enjten u shkel integriteti dhe pavarësia e institucionit më të lartë përfaqësues. Të enjten u shkel vullneti i qytetarëve. Të enjten u dha shembulli më i keq për funksionimin e pushteteve të ndara, për funksionimin e demokracisë. Të enjten pati përpjekje të dhunohet shteti.

Përderisa në Prishtinë po shfaqej hapur fytyra e një shteti policor, në Tiranë shteti po shfaqte inferioritetin ndaj një kategorie të ndjeshme të shoqërisë. Ish-të burgosurit politikë, të rrethuar nga policia, po mbushin një muaj që kur kanë nisur grevën e urisë. Por, në vend që të negociojnë me ta, për të parë mundësinë e përmbushjes së kërkesave, Partia Demokratike, Qeveria e Kryeministri po i shanin e fyenin. Çka nuk shpikën oborrtarët e tij për ata që dikur ishin viktima të regjimit të Enver Hoxhës, e tash viktima të pushtetit të Sali Berishës. Madje, shanë, fyen e shpifën edhe për ata që ia vunë flakën vetes midis Tirane, duke shpërndarë nëpër botë imazhe të frikshme nga një shtet që veten e quan demokratik e europian.

Qeveria e Hashim Thaçit nuk do të duhej ta marrë shembull Qeverinë e Sali Berishës, kur është puna te qasja ndaj protesuesve. Pushteti i Berishës zbrazi plumba dhe vrau njerëz të pafajshëm. Nën pushtetin e Berishës njerëzit vetëdigjen në sheshe dhe askush nuk çan kokën për të dhënë përgjegjësi.

Në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pesëvjetorin e Kosovës shtet, logjika e funksionimit është e njëjtë: si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë pushteti keqpërdor fuqinë që ka. Si këtu, ashtu dhe atje pushteti nuk zgjedh formë e mjete për t’i luftuar kundërshtarët. Në të dyja qendrat e drejta për protestë ngulfatet, protestuesit arrestohen, shteti tregon forcën dhe arrogancën ndaj qytetarëve të vet e elitat politike mbrohen e lartësohen nga oborrtarët. Këtu deputetët trajtohen nga Qeveria si rrugaçë, e atje kryeministri i ofendon duke u përmendur nënë e motra. Këndej e andej mbillet frikë e pasiguri.

Tendencat për mbajtje pushteti duke përdorur dhunë kanë dështuar gjithnjë. Dhunuesit kanë dalë humbës gjithmonë. Këtu s’kanë pse të jenë përjashtim as pushtetmbajtësit e Prishtinës e Tiranës.