RCCOLA

Prokurorët sabotojnë luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Duke e vlerësuar si tepër të dobët dhe të mangët angazhimin e Prokurorisë së Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, madje atë në të gjitha nivelet e prokurorive, analistët dhe njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se këtu kemi të bëjmë edhe me një sabotim të plotë të punës së prokurorëve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Sabotim i plotë i punës së prokurorëve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar bëhet me qëllim të shpëtimit të kriminelëve nga arrestimet, përkatësisht dënimet për vepra të rënda kriminale dhe korruptive. Kësisoj, Prokuroria Speciale dhe prokuroritë themelore nuk i hapin hetimet edhe kur pranojnë denoncimet dhe kallëzimet penale të deponuara me shkrim nga qytetarët dhe bizneset e palidhura me pushtetin. Prokurorët e papërgjegjshëm kot së koti e harxhojnë buxhetin e qytetarëve”, është shprehur analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”

Duke e vlerësuar si tepër të dobët dhe të mangët angazhimin e Prokurorisë së Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, madje atë në të gjitha nivelet e prokurorive, analistët dhe njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se këtu kemi të bëjmë edhe me një sabotim të plotë të punës së prokurorëve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas opinionistëve të gazetës, deri te sabotimi vjen për shkak se prokurorët e PSRK-së dhe prokurorët e tjerë të prokurorive themelore nuk u japin përgjegjësi shefave të tyre dhe as ligjit që i detyron ata, por vetëm mafio-politikanëve dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të inkriminuara, e të cilët i kanë sjellë e dërguar aty me detyra konkrete për të qëndruar e vepruar për interesa të tyre e “mbi ligjin”. Sipas vlerësimeve të ndryshme nga vlerë- suesit e kësaj fushe, edhe Prokuroria Speciale dhe të tjerat prokurori themelore nuk i hapin hetimet edhe kur pranojnë denoncime dhe kallëzimet penale të deponuara me shkrim nga qytetarët dhe bizneset e palidhura me pushtetin, por vetëm po i harxhojnë kot së koti paratë e buxhetin e qytetarëve dhe nuk po i meritojnë fare me punën e tyre kurrfarë që nuk po e bëjnë, siç vlerësojnë ata në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

MIFTARI: I TËRË SISTEMI I DREJTËSISË ËSHTË I KAPUR NGA MAFIA POLITIKE E KOSOVËS!

Sipas Naim Miftarit, ekspert i fushës së sigurisë, problemi i mosdhënies llogari nga prokurorët dhe gjyqtarët karshi KGJK-së dhe KPK-së tregon qartë se jo vetëm një pjesë e drejtësisë është e kapur, por tërë sistemi i drejtësisë është i kapur nga mafia politike e Kosovës. “Moslufta kundër korrupsionit, sidomos e nivelit të lartë, tregon qartë se i tërë sistemi shtetëror është i kalbur nga brenda për brenda dhe i shërben krimit të organizuar vetëm si mburojë, si mbulesë ligjore, duke mos i ndjekur me ligj bosët e krimit të organizuar, e që në fakt janë kriminelë që merren me politikë. Edhe formimi i Prokurorisë Speciale, kinse kundër korrupsionit, do të dështojë dhe është e dështuar akoma pa filluar, pasi në ato vende të punës do të pranohen prokurorë të zgjedhur nga mafia dhe do të jenë shumë të dëgjueshëm, servilë, dhe asnjëherë nuk do t’ia prishin rehatinë e krimit të organizuar, sidomos politikanë të korruptuar që në fakt janë bosë të mafisë”, theksoi Miftari për “Kosova Sot”.

Ai thotë se madje se sado që po kemi edhe nisma të reja legjislative, plotësim e ndryshim ligjesh, ato nuk do të sjellin rezultate, madje as edhe vetë plani i rritjes së numrit të prokurorëve, pasi vetëm do të rritet kostoja e shpenzimit të buxhetit, nuk do të ketë efikasitet në luftimin e krimit e korrupsionit, por edhe korrupsioni do të rritet edhe më shumë, sepse bosët e krimit të organizuar do të jenë teledirigjuesit e këtyre proceseve dhe ata do të ndihen rehat dhe akoma më komodë.

Kështu do të vazhdohet, sipas Miftarit, me lojëra koti, derisa nuk bëhet ligji VETTING, prandaj ai thotë që ky ligj duhet të bëhet sa më shpejt. “Kosovës i duhet një VETTING i fuqishëm, ku do të pastroheshin nga ndikimi i mafisë politike dhe nëntokës të gjitha organet e ndjekjes, si: policia, gjyqësia dhe inteligjenca, dhe vetëm kur të pastrohen këto organe do të fillojë të sundojë ligji dhe vetëm ligji, i cili do ta pastronte politikën nga dora e krimit të organizuar që çerdhen e ka në politikë dhe pushtet, në qeveri dhe institucionet shtetërore .Pa një VETTING serioz dhe të përkrahur seriozisht nga amerikanët dhe evropianët agonia do të vazhdojë edhe për shumë vjet ose dekada, pasi që këta politikanë të korruptuar nuk do ta arrestojnë kurrë vetveten”, theksoi analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.

UBT

ZEQA: PROKURORIA SPECIALE DHE PROKURORITË THEMELORE NUK I HAPIN HETIMET EDHE KUR PRANOJNË DENONCIMET ME SHKRIM NGA QYTETARËT!

Sipas analistit Florim Zeqa, fakti se prokurorët e PSRK-së dhe prokurorët e tjerë të prokurorive themelore nuk u japin përgjegjësi shefave të tyre dhe as ligjit që i detyron ata, por vetëm mafio-politikanëve dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të inkriminuara, tregon se ata janë të instaluar aty për të punuar ekskluzivisht për interesat e tyre mbi ligjin dhe Kushtetutën e vendit. “Sabotim i plotë i punës së prokurorëve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar bëhet me qëllim të shpëtimit të kriminelëve nga arrestimet, përkatësisht dënimet për vepra të rënda kriminale dhe korruptive. Kësisoj, Prokuroria Speciale dhe prokuroritë themelore nuk i hapin hetimet edhe kur pranojnë denoncimet dhe kallëzimet penale të deponuara me shkrim nga qytetarët dhe bizneset e palidhura me pushtetin. Prokurorët e papërgjegjshëm kot së koti e harxhojnë buxhetin e qytetarëve nga buxheti i shtetit pa proceduar fare lëndët e “peshqve të mëdhenj”. Me një fjalë, prokurorët marrin paga të majme pa bërë asgjë, duke mbrojtur kriminelët në kundërshtim me etikën ligjore, duke shkelur në vazhdimësi ligjin dhe Kushtetutën me të dyja këmbët”, është shprehur Zeqa për “Kosova Sot”.

Sipas tij, prokurorët bashkë me bartësit e institucioneve më të larta shtetërore, përveç shkeljes flagrante, Kushtetutën e vendit e kanë kthyer në leckë të papërdorshme në punën e tyre praktike. “Në një vend ku Kushtetuta shkelet nga bartësit e institucioneve që janë të paguar me paratë e buxhetit të shtetit për të mbrojtur atë dhe të drejtat e qytetarëve, aty nuk bëhet fjalë për shtet normal, e më pak demokratik. Andaj, sa më parë në vendin tonë duhet të ndodhin ndryshime radikale, duke filluar nga Kushtetuta e shkelur në mënyrë sistematike nga liderët shtetërorë dhe bartësit e sistemit të drejtësisë e deri tek sistemi qeverisës në vend, si i vetmi shpëtim për vendin”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.

KAPITI:GJITHÇKA ËSHTË KAPUR NGA SISTEMI KRIMINALOKORRUPTIV, I CILI ËSHTË NË MAJE TË PIRAMIDËS SHTETËRORE

Analisti Skënder Kapiti konsideron se drejtësinë në Kosovë e kanë në dorë mafio-oligarkia politike dhe krimi politik, prandaj edhe në këtë gjendje është e pamundur që të sundojnë ligji dhe e drejta e shtetit ligjor e demokratik. “Sistemi politik i regjimit drejtësinë, etikën, patriotizmin, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, i ka maska demagogjike dhe hipokrizie. Pra, gjithçka është kapur nga sistemi kriminalo-korruptiv, i cili është në maje të piramidës shtetërore, ku një patericë e këtij sistemi janë gjykatësit dhe prokurorët e drejtësisë së padrejtësisë”, është shprehur Kapiti. “Është absurditet i madh fakti kur taksapaguesit u paguajnë rroga të majme gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe jo vetëm se nuk ngopen me kaq, por edhe ata pa turp dhe pa kurrfarë frike bëjnë kontrabandimin me ligjin dhe me të drejtën shtetërore dhe me të drejtat e qytetarëve; bëjnë pazarin, shitjen dhe ankandin e tyre. Këto poshtërsi me drejtësinë nuk janë bërë as në diktaturat më të këqija të së shkuarës. Edhe diktatorët e mbretërit thoshin se ata ishin ligji, por ama ligji të cilin e kishte sistemi, mbretëria apo diktatura; ndërsa këta politikanët dhe gjyqtarët e prokurorët e sotëm nuk janë ligji, por janë mbi ligjin, mbi drejtësinë, janë krimi dhe korrupsioni, si dhe tradhtia e papërgjegjshmëria e tyre, e njohur publikisht dhe ndërkombëtarisht”, theksoi Kapiti për “Kosova Sot”.

Kelmendi: Drejtësia ka rënë në provim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit

Edhe analisti Naim Kelmendi thotë se është krejtësisht utopike të pritet një drejtësi e pavarur dhe funksionale pa u pastruar nga një ligj VETTING-u i gjithë zinxhiri ligj- zbatues, zinxhiri komandues dhe ai kontrollues i istmit të drejtësisë, edhe në Gjykata edhe në Prokurori.”Dihet mirëfilli që akoma nuk po shohim qasje serioze për luftimin e krimit dhe korrupsionit galopant që ka lulëzuar në kontinuitet në të gjitha institucionet publike e shtetërore, dhe mbi të gjitha është bërë njollë e zezë dhe emblemë e keqe për të gjitha qeveritë e pasluftës, aq mëkeq edhe për qeveritë e viteve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur u liruam nga tutela ndërkombëtare. Drejtësia ka rënë në provim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sepse në momentin që ke në duar mekanizmat e shtetit për ta luftuar të keqen dhe nuk e bën atë, por në mënyrë taktike heshtë, kjo është ashiqare një përkrahje indirekte e së keqes, është një lloj i bashkë- jetesës më të keqen. Tani është shumë e logjikshme që në këtë boshllëk dhe indolencë të funksionimit të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatave në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë, prokurorët dhe gjyqtarët nuk e kanë në prioritet luftimin e krimit tëorganizuar e korrupsionit, por vetëm t’i ruajnë ashtu pozitat e tyre dhe të ndihen rehat e komod me të ardhurat personale, që shumë nga ata i marrin edhe pa pikë merite nga buxheti i shtetit, nga taksapaguesit e Kosovës, të cilët do të duhej të shpërbleheshin me zbatim të drejtë dhe të pavarur të ligjit nga shtylla kryesore e shtetit- drejtësia”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”. “Unë e kam bindjen e plotë se tanimë është utopike të mendohet se krimi i organizuar e korrupsioni mund të luftohen nga prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët për një kohë të gjatë janë të ndikuar dhe kontrolluar nga partitë politike që e kanë udhëhequr Kosovën nga paslufta, prandaj nevojitet një shkëputje e madhe në këtë lidhje të ngushtë, duke futur në zbatim një proces vlerësimi, diferencimi dhe hetimi në detaje përmes procesit VETTING. Shembulli në Shqipëri flet mjaftueshëm për rëndësinë që ka edhe në shtetin tonë”, tha Naim Kelmendi.

(Kosova Sot)