Eko Higjiena

Projektet e Akademisë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Ditën e katërt të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, seminaristët bënë një vizitë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve dhe u njohën më për së afërmi me punën që bëhet në këtë institucion. Ata morën vesh për projektet që kjo akademi do të zhvillojë në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ishte paralajmëruar promovimi i librave të gjuhëtarit nga Shkodra, Kolec Topalli, në hapësirën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, por për shkaqe të ndryshme ai nuk arriti të vijë në Prishtinë. E në vend të kësaj, seminaristëve që po marrin pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, u foli Pajazit Nushi, nënkryetar i ASHAK-ut. Në fjalën e tij, Nushi përmendi historikun e akademisë, punën që bëhet aty, librat dhe publikimet që botohen si dhe projektet që janë bërë dhe do të bëhen në të ardhmen.

Ai tha se ky institucion ka hyrë në vitin e 37-të që nga themelimi i tij dhe shtoi se është themeluar pas stabilizimit të veprimtarisë shkencore dhe arsimore të disa institucioneve paraprake.

Prej këtyre institucioneve që i kanë paraprirë themelimit të ASHAK-ut, Nushi përmendi themelimin e Institutit Albanologjik, Fakultetit të Filologjisë, Entit të Historisë, i cili më vonë u shndërrua në Institut të Historisë, Universitetit të Prishtinës etj.

Nushi më pas foli për veprimtaritë që zhvillohen në akademi.

“Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës zhvillon dhe bashkërendon veprimtarinë shkencore dhe veprimtarinë artistike në Kosovë dhe më gjerë. Këtë veprimtari e zhvillon nga grupet e studimeve shkencore, nga albanologjia, nga shkencat shoqërore, natyrore, shkencat teknike dhe nga krijimtaria e arteve. Varësisht prej degëve të disiplinave shkencore e kemi edhe administrimin e brendshëm të ASHAK-ut, me të cilin organizim takohen katër seksione të kësaj akademie: seksioni i gjuhës dhe letërsisë, seksioni i shkencave shoqërore, seksioni i shkencave natyrore dhe seksioni i arteve”, tha Nushi.

ARKATANA

Tutje ai shtoi se i gjithë aktiviteti i hulumtues, shkencor dhe krijues kryhet sipas projekteve të posaçme të akademisë, të cilat projekte mund të jenë të një seksioni, projekte të përbashkëta të të gjitha seksioneve apo edhe projekte individuale.

“Vitin e kaluar kemi pasur projektin e Monografisë së Kosovës, e cila është botuar në gjuhën shqipe dhe pritet të botohet edhe në gjuhën angleze. Prej këtij viti e tutje do të jenë të angazhuar të gjithë akademikët e të gjitha seksioneve së bashku me bashkëpunëtorët e jashtëm në përpilimin e Enciklopedisë së Kosovës. Punët e organizimit rreth këtij projekti veç kanë filluar dhe me siguri do të kemi një angazhim më të thuktë, më të fuqishëm në përpilimin e kësaj enciklopedie”, u shpreh Nushi.

Ai përmendi edhe botimet e seksioneve por edhe të vetë akademisë. Nushi theksoi se akademia veprimtarinë e vet e organizon në forma të ndryshme, duke filluar nga konferencat shkencore, seminaret, simpoziumet, tryezat shkencore dhe kolokviumet. Ndër konferencat shkencore që akademia do të organizojë këtë vit, saktësisht më 13 shtator, do të jetë edhe konferenca ndërkombëtare shkencore kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, përgatitjet për mbajtjen e së cilës kanë filluar qysh para një viti.

Ai po ashtu përmendi kolanën e veprave albanologjike, ku deri më tani janë botuar veprat e disa albanologëve të njohur, si dhe revistat shkencore që i boton kjo akademi: revistat ‘Studime’ dhe ‘Kërkime’.

“Revista ‘Studime’, në strukturën e tematikës që trajton, boton punime shkencore, trajtesa shkencore, kritika, recensione në gjuhët në të cilat na i dërgojnë autorët. Anglisht, gjermanisht, frëngjisht, por pjesa dominuese e tyre janë në gjuhën shqipe”, tha ai, duke shtuar se ASHAK-u ka bashkëpunim të mirë edhe me akademi të tjera.

“Kemi edhe dokumente, protokolle, marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Republikës së Shqipërisë, të Turqisë, Bullgarisë, Britanisë së Madhe edhe disa shteteve tjera. Do të krijojmë marrëveshje të këtilla edhe me akademitë e vendeve të tjera. Jemi anëtarë të asociacionit të akademive të Europës dhe në kuadër të këtij asociacioni i kemi edhe dy anëtarë tanë, profesorin Rexhep Ismajli dhe profesor Muhamedin Kullashi”, tha Nushi, duke shtuar se kah fundi i vitit do të zgjidhen anëtarët e rinj të akademisë.(express)