RCCOLA

Lajmërohet Nagavci, i largon nga përdorimi doracakët e edukimit seksual, thotë se janë miratuar në vitin 2020

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Pas një debati disa-ditor, ministria e drejtuar nga Arbërie Nagavci, ka vendosur t’i largojë nga përdorimi doracakët për edukatën seksuale për t’i dërguar për procesin e rishikimit.

Ky vendim sipas MASHT vlen deri në përfundim të rishikimit nga komisioni me ekspertët më të mirë në vend dhe të gjitha palët kompetente që i japin siguri e qartësi këtij procesi

Ky vendim vjen pas shumë reagimeve lidhur me përmbajtjen e këtyre doracakëve.

“Po ashtu, njoftojmë mësimdhënësit dhe prindërit se doracakët do të largohen nga përdorimi dhe nga faqja zyrtare e MASHTI-t deri në përfundim të rishikimit nga komisioni me ekspertët më të mirë në vend dhe të gjitha palët kompetente që i japin siguri e qartësi këtij procesi. MASHTI është institucioni i vetëm kompetent me autoritetin ligjor për këtë çështje. Në këtë linjë, çdo vendim jokompetent nga institucionet komunale nuk prodhon asnjë efekt juridik. Së bashku do të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë”, thuhet në njoftim.

Ministria më tutje ka bërë të ditur se do të formojë komision me ekspertë të kualifikuar, të cilët do të rishikojnë këta doracakë.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se ka nxjerrë vendim për rishikimin e doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, të miratuar në vitin 2020. Për procesin e rishikimit Ministria do të formojë një komisionin me ekspertët më të kualifikuar në vend. Të ftuar do të jenë të gjitha palët relevante, përfshirë Këshillin e Prindërve të Kosovës. Ky proces do të kryhet në mënyrë profesionale, etike e transparente, dhe me tërë përkushtimin që kërkon ligji dhe detyra”, thuhet në komunikatë.

ARKATANA

“Duke marrë parasysh shqetësimet e prindërve në adresë të Ministrisë, sqarojmë edhe një herë që nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual. Edukimi seksual synon të pajisë fëmijët dhe të rinjtë me njohuri të bazuara në fakte shkencore rreth shëndetit seksual dhe riprodhues, dhe i ndihmon të kuptojnë ndryshimet trupore që ndodhin gjatë zhvilimit”, theksohet më tutje.

Me këta doracakë, prej vitit 2019, janë trajnuar më shumë se 2 mijë e 500 mësimdhënës.

“Lidhur me doracakët për mësimdhënës, prej vitit 2019 janë trajnuar më shumë se 2500 mësimdhënës. Deri tani nuk ka pasur asnjë shqetësim nga asnjë palë, përfshirë ekspertët shëndetësorë, psikologët, mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, Drejtoritë Komunale apo palë të tjera në lidhje me përmbajtjen e doracakëve. Pra, nga asnjë mësimdhënës nuk është ngritur kurrë më parë kjo temë. Ministria e Arsimit kujdeset me të gjitha resurset njerëzore për mirëqenien e fëmijëve në vendin tonë. Ndaj këtë proces të rishikimit do ta kryejmë me përgjegjësinë më lartë etike dhe profesionale. Ndërkohë, Ministria e Arsimit kërkon nga të gjithë të përmbahen prej gjuhës tejet të papërshtatshme që po përdoret ditët e fundit”, përfundon njoftimi nga MAShT.

Ky vendim vjen pasi komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës, Skënderajt, Drenasit, Vitisë, Lipjanit, e komuna të tjera i ndaluan këta doracakë.

Për përmbajtjen e tyre, pati reagime të shumta në Kosovë.