UBT

Prof. dr. Dali Emërllahu, pishtar i dijes dhe arkitekt i pedagogjisë shqiptare, një jetë përkushtuar, arsimit dhe vlerave kombëtare

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në historinë e arsimit shqip në Kosovë, emri i profesor Dali Emërllahut zë një vend të veçantë dhe të merituar. Ai mbetet një nga figurat më të spikatura të pedagogjisë universitare, një mendje e formuar akademikisht, studiues i palodhur dhe atdhetar i përkushtuar, i cili për dekada me radhë ka ndriçuar rrugën e dijes për gjenerata të tëra studentësh. Kontributi i tij nuk matet vetëm me tituj e poste, por me ndikimin e thellë që ka lënë në formimin intelektual dhe etik të arsimit kosovar.

Autor i qindra punimeve shkencore, pjesëmarrës aktiv në ngjarje politike, arsimore, shkencore dhe kulturore, si dhe bashkërendues i proceseve kyçe në periudha të vështira historike për Kosovën dhe Luginën e Preshevës, profesor Emërllahu mbetet një figurë referuese në kujtesën universitare dhe kombëtare.

Pedagog i formuar, studiues i rrallë

Të shkruash për veprimtarinë e profesor Dali Emërllahut do të thotë të përballesh me një arkiv të tërë përvoje, dijeje dhe përkushtimi. Njohja e hershme me të ka bërë të mundur një kuptim më të thellë të rolit të tij që nga vitet themeluese të Universitetit të Prishtinës, një rol shpesh i heshtur, por vendimtar.

Edhe sot, pavarësisht moshës dhe pensionimit, ai vazhdon të mbetet një gjigant i fushës studimore, pedant në shkrim, korrekt në paraqitje dhe i matur në opinionet e tij për zhvillimet bashkëkohore në arsim dhe shoqëri. Me një modesti të rrallë, profesor Emërllahu flet gjithmonë si profesionist, duke i dhënë përparësi argumentit dhe analizës së ftohtë shkencore.

Roli historik në Universitetin e Prishtinës

Pak e dinë se Dali Emërllahu ishte një nga figurat kyçe në funksionimin dhe mbijetesën e Universitetit të Prishtinës në periudhat më të vështira. Nënshkrimi i tij bëri të mundur themelimin e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa angazhimi i tij institucional ishte i pandërprerë edhe në rrethana të jashtëzakonshme.

Ai ka ushtruar detyra të larta akademike e drejtuese, ndër to:

Prorektor i Universitetit të Prishtinës (1989-1991);

Prorektor në kushtet e jashtëzakonshme, jashtë objekteve legale (1991–1992);

Kryetar i Këshillit Koordinues për sigurimin e vazhdimësisë së Universitetit të Prishtinës në kushte të jashtëzakonshme (1991).

Formimi akademik dhe veprimtaria shkencore

Profesor Emërllahu ka përfunduar shkollën normale në Prishtinë (1957), ka diplomuar në Fakultetin Filozofik, dega e Pedagogjisë në Universitetin e Shkupit (1963), ka dhënë provimin profesional për profesor (1964) dhe ka doktoruar në shkencat pedagogjike në vitin 1983.

Ai ka botuar mbi 300 njësi bibliografike në revista shkencore, profesionale dhe botime reviale, në disa gjuhë, duke ligjëruar lëndë kyçe pedagogjike si: Pedagogji e Përgjithshme, Didaktikë, Metodikë dhe Metodologji e Kërkimeve Shkencore, si në Universitetin e Prishtinës, ashtu edhe në Universitetin e Tetovës.

Për këtë veprimtari, është avancuar deri në thirrjet më të larta universitare: profesor ordinar dhe profesor emeritus.

Shqetësimet për arsimin pas luftës

Një nga temat që vazhdon ta shqetësojë profesor Emërllahun është gjendja e arsimit universitar në Kosovë pas vitit 1999. Sipas tij, në vend të avancimit të pritur, sistemi arsimor u përball me eksperimentime të shumta dhe devalvim të vlerave akademike.

Ai kritikon mungesën e vizionit institucional, politizimin e reformave dhe vendosjen e interesave personale mbi interesin publik dhe cilësinë akademike. Në këtë kontekst, kujton edhe periudhën e reformave të pasluftës dhe debatet rreth Marrëveshjes së Bolonjës, të cilat, sipas tij, u zbatuan shpesh pa përgatitje adekuate dhe pa përshtatje me realitetin vendor.

Reforma, kritika dhe përgjegjësia shoqërore

Profesor Emërllahu thekson se kritika pedagogjike ka munguar dhe se dialogu profesional është zëvendësuar nga improvizimi. Ai ngre alarmin për anashkalimin e komponentit edukativ në procesin mësimor dhe për pasojat që kjo ka sjellë në sjelljen dhe formimin e të rinjve.

Sipas tij, arsimi duhet trajtuar si prioritet kombëtar dhe shoqëror, jo vetëm në nivel deklarativ, por në politika konkrete, të ndërtuara mbi ekspertizë, përgjegjësi dhe vizion afatgjatë.

FIDANISHTJA

Një trashëgimi që obligon brezat

Figura e Dali Emërllahut nuk është vetëm një kapitull i rëndësishëm i historisë së arsimit kosovar, por edhe një obligim moral për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Përkushtimi i tij ndaj dijes, guximi intelektual, integriteti profesional dhe besimi në arsimin si themel i shoqërisë mbeten vlera që duhet të ruhen, zhvillohen dhe mbrohen.

Në një kohë sfidash të shumta për arsimin, mendimi kritik dhe zëri i profesor Dali Emërllahut vazhdojnë të jenë një busull orientuese për ata që besojnë se arsimi është rruga më e sigurt drejt lirisë, dinjitetit dhe përparimit shoqëror.

Dali Emërllahu: Jeta dhe vepra e një autoriteti të arsimit shqip

Më 8 prill 2019, ndërroi jetë dhe u varros në varrezat e Prishtinës njëri ndër pishtarët më të ndritur të arsimit shqip në Kosovë, pedagogu i shquar dhe profesori shumëvjeçar universitar, prof. dr. Dali Emërllahu.

Me ndarjen e tij nga jeta, arsimi dhe shkenca shqiptare humbën një personalitet të rrallë akademik, një mendje të formuar thellë dhe një veprimtar të palodhur të dijes.

Profesor Dali Emërllahu ishte ndër intelektualët e parë të Malësisë së Bujanocit dhe njëherësh doktori i parë i kësaj treve, duke shënuar një kapitull të veçantë në historinë arsimore dhe kulturore të saj.

Ai lindi më 2 shtator 1938 në fshatin Breznicë të Bujanocit, ku mori edhe mësimet e para. Arsimin e mesëm të ulët e kreu në Muçivërc të Dardanës (ish-Kamenicës), ndërsa Shkollën Normale e përfundoi në Prishtinë në vitin 1957. Studimet universitare i vijoi në Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë, në Universitetin e Shkupit, të cilat i përfundoi në vitin 1963.

Pas diplomimit, për një vit shkollor punoi si profesor i lëndëve pedagogjike në Shkollën Normale “Zenel Hajdini” në Ferizaj, e më pas, pas kryerjes së shërbimit ushtarak (1964-1965), për tri vjet ushtroi detyrën e profesorit në Shkollën Normale të Prishtinës. Që nga viti shkollor 1968/1969, u zgjodh ligjërues me marrëdhënie të rregullt pune në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, për lëndët Pedagogji dhe Metodikë e edukatës politeknike. Në vitin 1974, u avancua në titullin profesor i shkollës së lartë pedagogjike për këto lëndë.

Me hapjen e Fakultetit (Akademisë) të Arteve në Universitetin e Prishtinës, në vitin akademik 1974/1975, u angazhua si mësimdhënës edhe në këtë fakultet për lëndën Pedagogji, të cilën, me përjashtim të një ndërprerjeje të shkurtër gjatë përgatitjes së doktoratës, e ligjëroi në vazhdimësi. Po ashtu, me themelimin e akademive pedagogjike në Prizren dhe Gjilan, ligjëroi lëndën Metodika e edukatës politeknike.

Pas miratimit të tezës së doktoratës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në vitin 1977, me titull “Sendërtimet dhe perspektiva e edukatës dhe e arsimit punues e politeknik” (“Ostvarivanja i perspektive radnog i politekničkog vaspitanja i obrazovanja”), atë e mbrojti me sukses në tetor të vitit 1983, duke fituar gradën Doktor i shkencave pedagogjike.

Në konkursin e shpallur nga Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Prishtinës, në vitin 1987, u zgjodh docent (bashkëpunëtor i jashtëm) për lëndën Pedagogji, ndërsa në vitin 1995 u avancua në titullin profesor inordinar, po ashtu në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm.

Me hapjen e Fakultetit të Mësuesisë në Universitetin e Prishtinës, u zgjodh dhe u rizgjodh profesor inordinar për lëndët Pedagogji e përgjithshme I dhe II. Që nga 1 tetori 1998, krijoi marrëdhënie të rregullt pune në këtë fakultet, ku ushtroi detyrën e profesorit deri në mbylljen e tij.

Përveç punës së drejtpërdrejtë mësimdhënëse, profesor Dali Emërllahu ushtroi edhe një sërë detyrash të rëndësishme shoqërore dhe institucionale, ndër to: zëvendësdrejtor i SHLP-së në Prishtinë (1973–1975); shef i Degës së Politeknikës (1975–1977; 1983-1987; 1993-1995); zëvendësrektor i Universitetit të Prishtinës (1989–1991); kryetar i Këshillit Koordinues për mëvetësimin e Universitetit të Prishtinës (1991); zëvendësrektor i Universitetit të Prishtinës me mësim në gjuhën shqipe (1991–1992); anëtar i Komisionit për reformimin e planeve dhe programeve mësimore në UP që nga viti 1994; kryetar i këshillave botues të revistave “Shkëndija” dhe “BAT”; redaktor i jashtëm për tekste mësimore në lëmin e edukatës punuese; si dhe bashkëpunëtor profesional në shumë emisione edukativo-arsimore të Radio Prishtinës dhe TV Prishtinës.

Krahas këtyre angazhimeve, preokupimi i tij i përhershëm ishte puna profesionale-shkencore, e cila u materializua në botimin e mbi 200 njësive bibliografike, në revista shkencore, profesionale dhe kulturore, në botimin e teksteve universitare, në pjesëmarrjen me kumtesa në simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare, në përkthimin e veprave profesionale nga serbokroatishtja dhe kroatoserbishtja, si dhe në recensimin e një numri të madh tekstesh shkollore dhe universitare.

(Lista e plotë e punimeve profesionale-shkencore, teksteve universitare, kumtesave, përkthimeve dhe recensimeve, siç paraqitet më sipër, mbetet dëshmi e jashtëzakonshme e produktivitetit dhe thellësisë së tij shkencore.)

Vështruar nga ky prizëm, bëhet e qartë se prof. dr. Dali Emërllahu mbetet njëri ndër pedagogët më prodhimtarë dhe më përfaqësues të mendimit pedagogjik shqiptar. Punimet dhe veprat e tij shquhen për cilësinë shkencore, qasjen interdisiplinare, si dhe për dimensionin e tyre civilizues dhe kombëtar. Me krijimtarinë e tij profesionale-shkencore, ai ka arritur rezultate të pakontestueshme dhe të një niveli të lartë, jo vetëm për mjedisin tonë akademik.

Këtë e dëshmon edhe vlerësimi i Komisionit Recensues në vitin 1998, i cili theksonte se profesor Emërllahu përfaqëson një profil të mirëfilltë shkencëtari, me kontribute të qëndrueshme dhe me ndikim afatgjatë në zhvillimin e pedagogjisë shqiptare.

Deri në ndarjen nga kjo botë, profesor Dali Emërllahu jetoi dhe veproi në Prishtinë. Me largimin e tij fizik, shkenca shqiptare në përgjithësi dhe ajo pedagogjike në veçanti humbën një studiues pasionant, vizionar dhe jo lehtë të zëvendësueshëm./rajonipress/