ARKATANA

Presidenti i përbashkët

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Anton Marku – Ditë më parë Kosova festoi 10-të vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në ceremoninë festive, mbajtur në kuvendin e saj, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për “President të Përbashkët”. Deklarata e tij u shfrytëzua në mënyrë mjeshtrore nga armiqtë e pavarësisë së shtetit tonë dhe forcoi argumentet e Serbisë se krijimi i shtetit të Kosovës ishte dhe është vetëm një urë kaluese drejt bashkimit kombëtar të shqiptarëve në një shtet të pastër etnik. Por, a ishte koha dhe vendi për një prononcim të tillë dhe a mund të evitohej ajo që mund të nënkuptohet si shfaqje e hapur e patrenalizimit dhe pretendimeve territoriale të një vendi fqinj ndaj një tjetri. Kjo për më tepër në hapësirat e Ballkanit, në kohën kur procesi i integrimeve në BE është shpallur, së paku zyrtarisht, si alternativë e vetme gjeopolitike sot dhe nesër.

Rama dhe kosovarët

Për shumë vite, derisa ishte udhëheqës i opozitës në Shqipëri, Edi Rama ka qenë një figurë jo mjaft e njohur dhe disi e margjinalizuar në opinionin kosovar. Forca politike me të cilën udhëhiqte ai jo rrallënga kosovarët përceptohej se pasardhëse e partisë së punës, e cila vazhdonte të mbahej, me të drejtë, fajtore për prapambetjen dhe izolimin e Shqipërisë. Sidoqoftë, në saje të vendimeve avangardiste, e herë-herë dhe të guximshme, fillimisht si Ministër i Kulturës e më vone, në dy mandate, si kryetar i Tiranës, personaliteti i tij filloi të sjellë një ndryshim pozitiv edhe në mendimet që shqiptarët e Kosovës mund të kishin për të, për të kulmuar me deklaratën e tij të para tre viteve në Beograd, ku kërkoi njohjen e Kosovës nga Serbia. Në një mënyrë, ajo ditë, simbolikisht, vulosi emrin e tij tek kosovarët, tëcilët, për dallim nga Nano, Berisha, Meta dhe kryeministrat tjerë shqiptarë, tek Rama filluan të shohin prototipin e një lideri të ardhshëm, racional dhe pragmatik, por edhe patriot dhe nacionalist.

Vite më pas, duket se Rama i dha liri vetes që të interpretoj, në mënyrë mbase të gabuar, simpatinë e fituar nga kjo pjesë e shqiptarëve të Ballkanit dhe përvetësoi rolin e një ‘‘babai’’ të gjithë shqiptarëve, duke tentuar të bëj politikë në dy kute: Në njërën anë të rrisë rolin e tij në rajon, duke u shfaqur si një nga ata burrështetas i cili mund të ndezë dhe qetësoj gjakrat e bashkëkombësve të tij, e në anën tjetër si politikan i dëgjueshëm i qendrave të mëdha të vendosjes, të cilat, herë pas here, dinte edhe t’i kritikonte për ngecjet për të cilat ato nuk ishin fajtore kryesore. Nuk janë të rralla as kërcënimet e tij se po nuk u hapën shpejt dyert e aderimit në BE, shqiptarët do të shqyrtojnë modalitete të tjera. Në këtë aspekt, pos zhurmës që shkaktoi, nuk u shënua ndonjë arritje tjetër.

Për të qëndruar në skenë edhe më, ai shfrytëzoi rastin, mbase jo më të mirë të mundur, që kur sytë e tërë botës ishin drejtuar nga Prishtina, qytet ky ku për të përgëzuar institucionet dhe qytetarët e saj, kishin arritur delegacione nga shumë shtete mike, që, pasi uroi përvjetorin e dekadës së parë, hodhi idenë se pas një dekade Shqipëria dhe Kosova do të mund të udhëhiqeshin nga një President i përbashkët. Hutimi në ftyrat e diplomatëve të huaj, kryeqendrat e të cilëve kanë bërë aq shumë që të vij deri tek kjo ditë, ishte i dukshëm. Dëshpërimi po ashtu.

Kosova mes Shqipërisë dhe Serbisë

Dy shtete fqinje të Kosovës vazhdojnë të kenë pretendime territoriale ndaj saj. Njëra është Serbia, e cila vazhdon të mos e njoh ekzistencën e saj, duke u bazuar në të drejtën historike, të kontestuar gjithandej (sundimi i dinastisë së Nemanjiqëve në shek 11-14 dhe ai serbo-jugosllav përgjatë pothuaj tërë shekullit të 20-të). Tjetra është Shqiperia, e cila bën pjesë ndër vendet e para që kanë njohur subjektivitetin dhe integritetin e Kosovës, e që të drejtën e saj e bazon në elementet faktike (autoktonia e banorëve të saj dhe përqindja e lartë, gati absolute, e shqiptarëve). Përderisa e para qëllim ka ndarjen e Kosovës në baza etnike, duke mbajtur veriun dhe pjesërisht enklavat serbe, e dyta ka si objektiv tërë territorin e saj, në dukje të parë pa komunat me shumicë serbe në veri.

Eco Higjiena

Bashkimi

Shqiptarët para se të bashkojnë tokat e tyre, gjë e cila, sipas parashikimeve, duket e pashmangshme, duhet të bashkohen mendërisht.
Fakti se nga të gjitha vendet e rajonit Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbimin më të vogël tregtar mes vete, se burokracia administrative pengon hyrjen e patateve apo çimentos nga njëra anë në anën tjetër të kufirit, e dhëna se Tirana u jep shtetësinë dhe lëshon pasaporta, madje dhe diplomatike, vetëm politikanëve të Kosovës, por jo dhe qytetarëve të thjeshtë të saj, nuk lë shumë hapësirë për të besuar se zyrtarët e të dy vendeve e kanë njëmend ideal një bashkim ashtu siç e dëshirojnë njerëzit mes të cilëve ende, së paku formalisht, qëndrojnë disa gurë që i ndajnë.

Kosova-kosovarëve

Nuk do të ketë fuqi e cila do ta largoj Shqipërinë nga kokat dhe zemrat e shqiptarëve të Kosovës. Ata do të vazhdojnë ta duan me gjithë shpirt shtetin i cili bart emrin e tyre. Ëndrra për të jetuar në një shtet të përbashkët nuk është shuar e as do të shuhet ndonjëherë.
Por, janë gabim ata që mendojnë se duke nënvlerësuar e nënçmuar shtetin e Kosovës, arritjen më të madhe politike të shqiptarëve pas pavarësisë së Shqipërisë, do të përshpejtojnë proceset të cilat do të shpinin tek caku.

Ashtu si Shqipëria edhe Kosova është shtet i shqiptarëve. Por jo vetëm i tyre. Kosova është shtet i të gjithëve të cilët janë të lindur në të, e që atë e konsiderojnë jo vetëm si vendlindje por dhe si atdhe të tyre.
Në kohën kur Kosova ballafaqohet me sfida të shumta në rrafshin e përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtar, e kur Beogradi ka lancuar një fushatë të egër diplomatike, e cila do të rezultonte jo vetëm me ndaljen e njohjeve të reja, por dhe me shfuqizimin eventual të ndonjërës prej tyre, çka do të ishte precendet mjaft i rrezikshëm, thirrjet për ndryshim të formave të qeverisjes apo dhe të kufinjëve mund të sjellin kundërefekte.

Në këtë rrugëtim, i cili ndoshta do të jetë më i gjatë se sa është pritur fillimisht, Shqipëria mund të luaj një rol të rëndësishëm mbështetës për Kosovën, por më shumë nga pozita e një ‘‘vllau’’ të madh se sa të një ‘‘prindi’’.
Sido që të jetë, në Kosovë çdo ditë e më shumë po vërehen elemente të ndërtimit të një identiteti vetjak e të veçantë, sidomos në art (muzikë, kinematografi), sport e fusha të tjera.

Kosovarët duhet lënë që të qeverisin vet me shtetin e tyre. Bashkimi nuk do duhej të ndodhë me imponim nga kushdoqoftë, por nga vullneti i tyre i lirë që një ditë të heqin dorë nga shteti për hir të kombit, e jo nga interesi i politikanëve avanturierë, duke rrezikuar që të hyhet në ekuacione me shumë të panjohura.
Kosova nuk është më spektatore por aktore e fatit të saj. Sot ajo nuk është krahinë e Serbisë. As e Shqipërisë. Është shtet më vete.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.