Post scriptum për maestron
Nga Bajram Mjeku – Ishte ditë e bukur tetori në vitin 1989, kur në njërin cep të ëmbëltores “Elida” në Prishtinë, po pinte kafenë e mëngjesit, dr. Ibrahim Rugova me miqtë e tij. Në këndin tjetër ishte aktori i madh, Bekim Fehmiu. Për një çast u ngrit në këmbë, iu afrua Rugovës dhe i tha: “Të admiroj për guximin intelektual dhe për këllqet deri në fund të këmbëve!”. Kaq ishte. Asnjë fjalë më shumë dhe Bekimi u kthye sërish në tavolinën e tij.
Në librin “Ftesë në studio”, Ismail Kadare bën portretin më fundamental për jetën dhe universin krijues të bardit të poezisë shqiptare, Lasgush Poradeci. “Ajo çka në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës. Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej. Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë të mbështjella me kuptim tjetër…”.
Edhe Bekimi e kishte kodin e veçantë. Ishte i vështirë në komunikim, fliste me zë korifeu, ishte gjithmonë krenar e dinjitoz, refuzonte intervistat me gazetarë, nuk pranonte të bënte fotografi me askënd dhe bisedën e zhvillonte kryesisht me pak miq në rreth vicioz. Mbase ndodhte për shkakun e ndërprerjes së karrierës së tij dhe duke mos dashur të fliste për të kaluarën e tij të bujshme, ai nuk pranonte të ankohej as për të ardhmen e karrierës së tij që ngadalë po fanitej. Viteve të fundit të jetës së tij, “stacioni” i tij i përhershëm ishte kinema ABC në Prishtinë dhe miku i tij Milazim Salihu. Bekimi gjithmonë linte të kuptohej se ishte ngopur nga të qenit njeri me famë dhe fliste kryesisht për gjëra të zakonshme.
Në vitet tetëdhjeta, kur Bekimi ishte në kulmin e famës së tij, dy gazetarë të rinj nga Prishtina vendosën ta vizitonin në Beograd dhe ta realizonin një intervistë me të. Bekimin e gjetën në “Klubin e artistëve”. Ishte i veshur me një pulovër të kuq, xhinse dhe një palë çizme me grykë të gjata si ato të oficerëve italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Dy gazetarët kërkuan nga menaxherja e Klubit që ta njoftonte se kishin ardhur për ta realizuar një intervistë me të. “Është e pamundur. Çdo ditë refuzon intervista dhe sapo refuzoi për ‘Le monde”, u tha ajo. “Megjithatë, thuajini se kemi ardhur nga Prishtina!”, i thanë ata. Menaxherja iu afrua Bekimit te tavolina dhe e njoftoi. Në Klubin e Artistëve po ndodhte diçka e veçantë. Kur Bekimi u ngrit në këmbë dhe u nis drejt gazetarëve, të gjithë artistët që vinin nga republikat e ish-Jugosllavisë u ngritën në këmbë për ta nderuar atë. Njësoj ndodhi edhe kur po kthehej në tavolinën e tij. “Shihemi në mbrëmje, fiks në orën 18:00!”, tha Bekim Fehmiu.
* * *
Injorimi i deputetëve në Parlamentin e Kosovës për të mos e mbajtur një minutë heshtje për Bekim Fehmiun pas shuarjes së tij më 15 qershor të vitit 2010, nuk do t’u falet kurrë nga komuniteti artistik. Të injorosh figurën e Bekim Fehmiut në Kosovë, është njësoj sikur Parlamenti Shqiptar të injorojë figurën e Aleksandër Moisiut. Sikur Moisiu të aktronte në Tiranë në vitet tridhjeta të shekullit të kaluar, a thua ku do të mbërrinte dimensioni i tij artistik?!
Ashtu siç Shqipëria konsiderohej provincë e Ballkanit në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, njësoj konsiderohej Kosova provincë e ish-Jugosllavisë në gjysmën e dytë të të njëjtit shekull. Deputetët kosovarë e bën këtë gjest pse Bekimi nuk luajti në skenën e Teatrit të Prishtinës! A nuk ishte Bekimi, i cili qysh në vitet tetëdhjeta refuzoi të aktronte në “Atele 212” në Beograd, pikërisht për shkak të represionit serb ndaj popullatës shqiptare në Kosovë? Nëse deputetët kosovarë e bënë këtë babëzi pse Bekimi ishte i martuar me një aktore të huaj, atëherë situata është edhe më e rëndë. Vetëm regjimi komunist i survejonte intimitetet më të skajshme të disidentëve të artit e kulturës dhe pikërisht për këto mani perverse, ish-kampi komunist u shemb si kulla prej letre… Një institucion si Parlamenti i Kosovës me mendësi komuniste, që refuzoi të mbante një minutë heshtje për të nderuar aktorin më të madh shqiptar, dukej më i pështirë se sa ai i regjimit komunist.
Pavarësisht këtyre marrëzive, Bekimi ishte i madh në jetë e profesion. Ishte ai që i dha kuptim artit e kulturës dhe na bëri krenar për gjysmë shekulli. Harruam pastaj se sa institucione kulturore të shteteve të huaja provuan që ta blinin “licencën” Fehmiu, por artisti i madh as e fali, as e shiti, por na bëri krenar për origjinën.
Për ceremoninë e varrimit të Bekimit u kujdes komuniteti artistik dhe jo shteti. Bekimi ishte aktor i madh në të gjitha regjimet, por ai ishte edhe refuzuesi më i madh i të gjitha regjimeve. Në ceremoninë e tij mortore, morën pjesë familjarët e ngushtë dhe njerëzit e artit dhe kulturës. Djali i tij Uliksi, për nder të babait recitoi shqip para të pranishmëve. Edhe sot, katër vjet më vonë, zëri i tij na vjen trishtueshëm si sirenat te Uliksi i Xhojsit.
Bekimi ishte i veçantë, siç ishte i veçantë edhe amaneti i tij. Trupi i tij u fut në urnë, që pluhuri të shtrihej gjithandej shtratit të Lumbardhit. Lumenjtë derdhen në det dhe a nuk është deti tundimi më unik për shpirtin artistik në universin ku gjallojmë?!


