Uji Dea

Politikanët milionerë, një e treta e kosovarëve pa punë

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Liberalizimi i vizave rrezikon ta reduktojë fuqinë punëtore.

“Statistikat e ASK-së janë bazuar në punëkërkuesit që kërkojnë punë, kurse statistikat tona kanë të dhënat e shumë qytetarëve që kanë humbur punën dhe të njëjtit më nuk shkojnë të lajmërohen në entet për punësim, për të kërkuar punë. Prandaj, edhe numri i këtyre të papunëve është shumë i madh dhe na ka dalë kjo përqindje prej 35 për qind të të papunëve. Në mungesë të investimeve që vazhdimisht kanë shënuar rënie vitet e fundit edhe është normale që të kemi një krizë ekonomike dhe institucionale. Duhet medoemos që shteti ta parandalojë eksodin e madh që është duke u përgatitur pas liberalizimit të vizave për qytetarët që po mendojnë ta lëshojnë Kosovën. Atëherë do të kemi një krizë të madhe për punëtorë”, alarmon Agim Shahini për “Kosova Sot”

Raporti i radhës i ASK-së po dëshmon se në çfarë niveli alarmant është performanca qeveritare, që i ka goditur më së tepërmi ekonominë dhe rininë. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës bëjnë të ditur se shkalla e papunësisë në Kosovë është rritur.

Sipas tyre, në tremujorin e dytë të këtij viti shkalla e papunësisë ka qenë 29.4 për qind, krahasuar me 26.5 për qind në tremujorin paraprak. E dhëna më alarmante është se shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24-vjeçare, me 55 për qind. Së këndejmi këto shifra kanë bërë që të reagojnë analistët që pyesin se çka do të ndodhë menjëherë pas liberalizimit dhe çfarë fluksi të madh do të ketë nga Kosova në drejtim të vendeve të BEsë? Ata pyesin se si shpjegohet që rritja e papunësisë çuditërisht nuk u bën përshtypje as Qeverisë, as opozitës. Sipas njohësve të kësaj fushe, heshtja politike ndaj raportit të ASKsë e dëshmon se çfarë klase e papërgjegjshme e kriminale politike është duke na udhëhequr. Analistët thonë se si shpjegohet që partitë që janë sot në pushtet kishin premtuar qindra-mijëra vende të reja pune, një anëtar për familje të punësuar, rroga mesatare deri 1000 euro, e plot e plot gjëra të tjera të mira, ndërkaq ja ku jemi në përfundim të vitit të parë të Qeverisë “Haradinaj”, ku shifrat tregojnë se numri i të papunëve është më i madh, ndërsa dëshpërimi shoqëror më i thellë.

Prodhimi më i godituri
Të dhënat e ASK-së tregojnë qartë se tregu i punës, numri i vendeve të punës në vitin 2018 (344.500), është më i vogël se në vitin 2017 (357.100). Ndërmjet çerekut të njëjtë të vitit 2017 dhe 2018 janë shuar 12.600 vende të punës. Të dhënat e fundit shfaqin një trend të frikshëm të dezindustrializimit dhe humbjeve të vendeve të punës në prodhim-përpunim nga 47.400 në vitin 2017 në 32.900 në vitin 2018. Shifrat thonë se rreth 15.000 vende të punës në këtë sektor janë zhdukur ndërmjet 2017-2018. Veç saj shifrat e ASK-së tregojnë se edhe në sektorin e bujqësisë janë zhdukur rreth 5.000 vende të punës, nga 15.900 në vitin 2017 në 10.800 në vitin 2018. Ndërtimtaria ka qenë motor i gjenerimit të vendeve të punës në katër vitet e fundit. Sidoqoftë, sezoni e ndërtimit të vitit 2018 ka qenë për rreth 7000 vende pune më i vogël sesa në vitin 2017. Sipas ASK-së, mësohet se një trend interesant është shtimi i vazhdueshëm i vendeve të punës në sektorin e ICT, nga 9.300 vende në vitin 2017, në 13.300 në vitin 2018. Krahasuar me vitin 2013, në këtë sektor janë shtuar rreth 9000 vende pune. Aktivitet i shtuar në tregun e punës vërehet edhe në sektorin e aktivitetit financiar dhe tregtisë. Në sektorin e tregtisë së jashtme janë shtuar, në vitin 2018 ishin të involvuar 58.000 persona krahasuar me 52.700 në vitin paraprak.

Fuqia e re punëtorë po ikën
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi (VV), për gazetën “Kosova Sot”, tha se e tëra kjo situatë e paperspektivë ka bërë që tek të rinjtë tanë të krijohet një trend për ikje jashtë vendit dhe kjo do të reflektohet negativisht dhe kjo është një dëm i dyfishtë për perspektivën tonë.”Dhe në këtë situatë këto shifra jo vetëm që shënojnë e tregojnë për rritjen e papunësisë, por janë në përputhje me trendët tjerë negativë, sikurse që ka shënuar rënie edhe shifra e investimeve të huaja në Kosovë dhe të gjitha këto e kanë një trend negativ edhe në rritjen e papunësisë që po vjen si pasojë e mungesës së shtetit ligjor, mbrojtjen e profitit të investuesve të huaj, etj.”, u shpreh ai. Ndërsa për indiferencën e Qeverisë ‘Haradinaj’ për këto shifra alarmante dhe heshtjen e saj, deputeti Ali Lajçi tha se kjo është për çdo kritikë.

Ndërsa lideri i AKB-së (Aleancës Kosovare të Biznesit), Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se papunësia në Kosovë sipas AKB-së është mbi 35 për qind, kurse ajo e të rinjve mbi 50 për qind dhe kjo është një statistikë e përafërt dhe e saktë, sikurse ajo e ASKsë.”Ndërsa statistikat e ASK-së janë të bazuara nga punëkërkuesit që kërkojnë punë kurse statistikat tona kanë të dhënat e shumë qytetarëve që kanë humbur punën dhe të njëjtit më nuk shkojnë të lajmërohen në entet për punësim, për të kërkuar punë. Prandaj, edhe numri i këtyre të papunëve është shumë i madh dhe na ka dalë kjo përqindje prej 35 për qind të të papunëve”, potencoi ai. “Në mungesë të investimeve që vazhdimisht kanë shënuar rënie viteve të fundit edhe është normale që të kemi një krizë ekonomike dhe institucionale. Prandaj vëmendja e institucioneve të shtetit të Kosovës ndaj qytetarit duhet që të rritet dukshëm, duke menduar se qytetarët e vendit presin për të bërë biznes dhe për të ardhur deri tek një vend pune dhe së këndejmi duhet medoemos që shteti ta parandalojë eksodin e madh që është duke u përgatitur pas liberalizimit të vizave për qytetarët që po mendojnë ta lëshojnë Kosovën. Atëherë do të kemi një krizë të madhe për punëtorë dhe ulje të shifrave statistikore që nuk do të kërkojnë punë në Kosovë”, alarmon Shahini.

Ambient i përkeqësuar biznesor
Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se veçanërisht në 18 vitet e fundit Kosova përjetoi një transformim nga një ekonomi e centralizuar në atë të tregut. “Megjithatë, ambienti ligjor, i cili është i nevojshëm për ta përkrahur zhvillimin e një ekonomie të tregut, ka qenë i paqëndrueshëm dhe i ndërlikuar. Gjatë viteve të paraluftës, Kosova ishte në një amulli të plotë juridike e ekonomike për shkak të kontrollimit të institucioneve dhe të ekonomisë prej masave të dhunshme të ish-Jugosllavisë së mbetur. Regjimi serb në Kosovë nuk u mjaftua me plaçkitjen e shumicës së ndërmarrjeve kosovare, duke i lënë në gjendje të mjerueshme këto biznese përgjatë viteve të 90-ta, por përmes ligjeve tendencioze të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë u nacionalizuan si ndërmarrje të shtetit të Serbisë, çka do të thotë që edhe pas luftës la pasoja të mëdha juridike përgjatë privatizimit”, u shpreh ai.

Mobi Casa

Sipas Beqirit, zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë problemet kryesore të rinisë kosovare. “Përderisa analizon pasurinë e pushtetarëve që shumë nga ta janë milionerë e besa edhe miliarderë pa ndonjë mbulesë të dëshmuar, e për pasojë të politikave jo të duhura nga ana e institucioneve biznesi kosovar po has në barriera jologjike, konkurrenca jo lojale, kamatat e larta, procedura burokratike, të gjitha kanë ndikuar dukshëm në perceptim negativ të investitorëve për të investuar në Kosovë”, vijoi më tej ai. Analisti Beqiri, thotë se çdo qytetar i Kosovës është dëshmitarë se politikanët kosovarë në fushata zgjedhore premtojnë shumë e realizojnë pak.”Qëllimin e kanë të vijnë në pushtet, pastaj të mendojnë për qytetarët e vet, sepse çdo kryeministër ka premtuar mrekulli, e në anën tjetër janë 270 mijë familje në asistencë sociale, me një papunësi mbi 40 për qind, me një ekonomi buzë shkatërrimit”, potencoi ai.

BORXHI NË RRITJE
“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës që merr pjesë në borxhin publik të shtetit, me rreth 500 euro për secilin qytetar, duhet të llogarisë t’i ndajë rreth 500 euro nga të ardhurat e tij. Kosova ka aktualisht rreth 852 milionë euro borxh. Duhet shtruar pyetjen se kah është duke shkuar kjo ekonomi me këta hapa çoroditës. Ekonomia kosovare ka kapitulluar, përderisa partitë politike e kanë dertin e vetëm karrigen e tyre. Ekonomia dhe sistemi financiar në Kosovë janë jashtë kontrolli, Kosova ka nevojë për stabilitet politik që të ketë zhvillim ekonomik. Qeveria e Republikës së Kosovës ka dështuar të menaxhojë asetet e saja dhe kjo është mjaft shqetësuese”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”

KLANET UDHËHEQIN SHTETIN
“Institucionet tona janë të grupeve të interesit dhe të klaneve dhe të allishverisheve, andaj ato po heshtin, ngase ata vetë e kanë sjellë këtë gjendje dhe projektet e qeverisë, që janë primare, janë interesat e tyre partiake e klanore, por jo edhe që duhet të ketë një kujdes për programet shtetërore dhe të shtetit, që duhet të jetë prioritet. Ndërsa për pushtetarët prioritet po duket se janë përfitimet e klaneve të tyre”, tha Ali Lajçi për “Kosova Sot”

PRIVATIZIMI I DËSHTUAR
“Procesi i privatizimit nuk e ka pasur prioritet zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin, por vlerën e shitur. Ky proces eksperimental, që është aplikuar në Kosovë, nuk ka dhënë efektin e vet të dëshiruar. Ngase UNMIK-u nuk ka marrë modele të privatizimit që janë bërë me shumë sukses në vendet e Ballkanit, por e kanë sjellë një model nga Nju Jorku dhe modeli i tyre ka dalë jo i favorshëm për punësimin e të rinjve dhe ka dalë të jetë i dështuar”, tha Agim Shahini për “Kosova Sot”

Pasiguri dhe zhvatje qeveritare
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën”Kosova Sot”, thotë se papunësia e lartë dhe niveli i ulët i rritjes ekonomike është testi më i mirë për keqqeverisjen në vend, duke dhe nivelin e lartë të korrupsionit dhe të zhvatjes së parasë publike.”Është e pafalshme që edhe mbas 20 viteve në liri, por edhe pas 10 viteve shtet, të kemi nivel kaq të lartë të papunësisë si rezultat i korrupsionit, duke bërë që jo vetëm bizneset e huaja, por e bizneset vendore të largohen për shkak të mossigurisë dhe infrastrukturës së dobët, duke reflektuar negativisht në zhvillim ekonomik dhe rritje të papunësisë”, vlerëson ai.

Sipas Kadriajt, rreziku më i madh qëndron pas liberalizimit, që rinia do të largohen nga Kosova dhe kjo do të jetë fatalë për Kosovën si shtet, sepse do të mbesin vetëm gjenerata e shtyrë, e cila nuk është profitabile as në punë dhe në shtim të popullsisë.”Ky nivel i ulët i performancës në Parlament dhe në Qeveri ka krijuar pasiguri si tek bizneset edhe te qytetarët, pasi çdo i dyti i ri mendon që të largohet nga Kosova për shkak të mosperspektivës në vend”, ka thënë ai.

Ndërsa analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se qeveritë dështuan në punësim.”E mbaj mend kur Hashim Thaçi derisa ka qenë kryeministër i Kosovës, fushatave elektorale e gënjeu popullin duke thënë se gjatë mandatit të tij do t’i punësonte rreth 350 mijë veta, por nga ajo kohë e deri më sot, që është bërë president i vendit, madje as 5 për qind e atij premtimi nuk e ka përmbushur”, theksoi ai. Sipas Grapcit, populli janë lodhur nga gënjeshtrat e politikanëve të paditur, mashtrues dhe të korruptuar

(Kosova Sot)