Mobi Casa

Politikanët krijojnë tensione, nuk i përmbushin premtimet

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Tensionet ndërmjet partive në pushtet dhe atyre opozitare në Kosovë, të cilat ende po vazhdojnë, kanë krijuar klimë politike jo të mirë në vend dhe kjo reflekton dhe ndikon edhe te të rinjtë, thonë disa të rinj në Prishtinë.Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë shprehin mendimin se sjelljet e politikanëve në institucione, përballë opinionit, janë zhgënjyese për ata që u kanë dhënë votën e besimit për t’i përfaqësuar.

Ata i fajësojnë të dyja palët, pushtetin dhe opozitën, për siç thonë, arrogancë dhe sjellje jonormale, në vend se, sipas tyre, ata të merren me përmirësimin e kushteve dhe të jetesës së të rinjve, si dhe qytetarëve në përgjithësi.

Valdrin Morina nga Drenasi, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se sjelljet e politikanëve dhe tensionet ndërmjet pushtetit dhe opozitës, krijojnë përshtypjen që skena politike duhet të ndryshohet tërësisht.

“Konkretisht, kjo reflekton shumë negativisht, pasi që na e humb edhe besimin te të zgjedhurit tanë dhe na bën të mendojmë që ta ndërrojmë këtë klasë politike, komplet, dhe të fillohet gjithçka nga e para. Krejt ky është njëfarë zhgënjimi. Duhet të tregojnë pak respekt dhe ta përmirësojnë gjendjen”, thotë Valdrini.

Agnesa Gashi nga Malisheva, studente në Departamentin e Psikologjisë në Fakultetin Filozofik, i vlerëson zhgënjyese dhe siç thotë ajo “për të ardhur keq”, sjelljet e politikanëve që kanë shkaktuar tensione në skenën politike.

“Udhëheqësit tanë politikë, në rend të parë, duhet të punojnë për mirëqenien e popullit, e sidomos t’u japin hapësirë të rinjve. Ka vend për përmirësime, në fakultet dhe gjithkund, sepse nuk është arsimi në nivelin e duhur në shtetin tonë”.

“Të rinjtë nuk janë shumë entuziast të rrinë, të punojnë dhe të studiojnë për këtë vend, sepse ndoshta nuk u jepet mundësia. Madje, kur i shohin udhëheqësit se si sillen, në ato mënyra, janë jashtëzakonisht të zhgënjyer… shumë të zhgënjyer. Këto gjëra që po ndodhin janë shumë të këqija, sidomos për njerëz që janë të shkolluar dhe janë udhëheqës të një vendi ”, thekson Agnesa.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe Kastriot Kryeziu, po ashtu nga Malisheva, student në Fakultetin Ekonomik.

“Në njëfarë mënyre po dalin se nuk janë të shkolluar (politikanët). Edhe kanë kryer shkollë, edukatë nuk kanë për opinionin, për ne si qytetarë, sepse ne po i shohim dhe po marrim mësim prej tyre, mësim të keq, se për të mirë jo. Nuk reflektojnë mirë. Më mirë do të ishte po të merreshin me punë, që ta rrisin cilësinë në fakultete. Ka shumë të rinj pa punë. Kanë kryer fakultetin dhe rrinë, pa punë”, thotë ai.

Laura Berisha, ka përfunduar studimet për ekonomi dhe tash është e papunë. Ajo thotë se është e zhgënjyer me ata, të cilëve qytetarët u kanë dhënë votën e besimit. Sipas saj, ata nuk po merren me problemet e qytetarëve, por me inate dhe kapriço.

“Gjithë atë mund të bërë gjatë studimeve, gjatë shkollimit në përgjithësi… tash je i papunë. Kjo është shumë e vështirë për të rinjtë. Por, ne kemi dalë në zgjedhje dhe kemi votuar për më të mirët, me shpresën se do të bëhet më mirë. Gjithçka që është arritur deri më tash, po shkon duke rënë edhe më poshtë ndoshta. Besoj që do të bëhej mirë po të kishte ndryshime. Kosova ka nevojë për të rinj, se njerëzit e rinj sjellin ide të reja”, mendon Laura.

Fundamenti

Arianit Beka nga Prishtina, student në Fakultetin Juridik, sjelljet e politikanëve, të pushtetit dhe të opozitës, i sheh si jonormale.

“Këto unë i shoh si diçka jonormale. Mendoj se duhet të përmirësohen sjelljet në Kuvend. Besoj që më së miri është që me dialog ta arrijmë atë që e kemi në objektivat tanë, si shteti më i ri. Normalisht, duhet të shikohen edhe interesat e të rinjve, që kur ta përfundojë fakultetin, të inkuadrohet në punë e jo të endet nëpër rrugë”, thotë Arianiti.

Xhemshit Misimi nga Mitrovica, student në Fakultetin Ekonomik, i vlerëson si mjaft arrogante sjelljet e përfaqësuesve të pushtetit dhe të opozitës.

“Kjo arrogancë është më shumë që t’i tregojnë popullit se ‘çka duhet të bësh ti për interesat e tua personale’ se përndryshe, ‘në politikë, tjetër gjë është e vdekur’. Këtë po e bëjnë të dyja (pushteti dhe opozita) dhe ne fund e hamë ne. Zgjedhjet i kanë fituar me premtimet për të hapur vende pune sa më shumë. I kemi diku 320 mijë vende të reja të punës që janë premtuar prej dy partive politike. Realisht, ato vende pune, për kaq kohë sa u ka mbetur mandati, ata nuk kanë shans t’i bëjnë as 320”, shprehet Xhemshiti.

Arbnora Duriqi nga Lipjani, studente e gazetarisë, shpreh mendimin se tensionet ndërmjet pushtetit dhe opozitës po vazhdojnë për shkak se asnjëra palë nuk përpiqet realisht që të gjendet zgjidhja:

“Këto që ndodhin në Kuvendin tonë nuk reflektojnë mirë, as te ne, e as te askush, fare. Për mendimin tim, këta është dashur të merren me diçka më të mirë që mund ta çojë Kosovën përpara – normalisht, rinia është e ardhmja e Kosovës – e jo të merren me korrupsion e me dallavere nëpër fakultete, ashtu siç po bëhet”.

“Duhet ta shohin rrugën e drejtë, për arsimim më të mirë dhe më të shëndoshë. Me arsimim pastaj arrihet puna. Por, absolutisht, çdo gjë që janë duke bërë, nuk ju shkon as për fytyre, as për dore, as kurrgjë hiç, politikanëve tanë. Ka zgjidhje, por nuk po shikojnë të bëjnë zgjidhje. Ata nuk dinë të flasin në mes vete”, mendon Duriqi.

Lavdim Tahiri nga Skenderaj, student i në Fakultetin Ekonomik, shpreh bindjen se sjelljet e pushtetit dhe opozitës, të cilat kanë krijuar tensione, janë duke e rritur pakënaqësinë e të rinjve dhe qytetarëve në përgjithësi.

“I kanë fajet të dyja. Qeveria është arrogante, njëjtë qysh është edhe opozita arrogante. Kështu që, me këtë arrogancë krijohet përshtypje shumë e keqe edhe te qytetarët, por edhe te rinia”.

“Proceset nuk mund të ecin përpara dhe në këtë mënyrë rritet pakënaqësia e qytetarëve, por nuk duhet të arrijë deri në një masë ku bëhet kaos popullor. Sigurisht që duhet të bëhet një zgjidhje e ndërmjetme, që pajtohen të dyja palët, në mënyrë që ky problem të zgjidhet dhe të vazhdohet me procese tjera, sepse ka shumë punë Kosova”, konsideron Lavdimi.