HW

Poezi nga Zejnullah Halili

/ 3 minuta lexim
HW

Nga libri i fundit “UNAZË”

UNAZË

Bota është unazë
unaza është e rrumbullakët
nënkupton tërësinë e saj
Bota është e pafund
as unazës s’i gjendet një i tillë
që të dyja
pasqyrojnë përjetësinë
Në botë qëndron shpresa
një e tillë shpresë
gjendet edhe në unazë
Bota bekohet pareshtur
miliona herë
merr bekime unaza
Bota e unaza
I përkasin njëra-tjetrës.

ME JU KRIJOJ

Me ju krijoj kaq e kaq fatmirësi
fanar më bëhen dëshirat,
Me ju krijoj dritëza jete-flori
qershizat. Të arrirat.
Me ju krijoj të bukura gurra lirike
pyllthin larishtë,
Me ju krijoj matinetë poetike
bëj dafinishtë.
Me ju krijoj. Kam fjalët grosh
e nuk i zë ngushtë;
Me ju flatroj, rend malit përposh
nuk shpoj me ushtë.
Me ju krijoj bedenet e kalasë së re
jap beriha,
Me ju krijoj të rrallë një trofe
s’ja mbaj va pa va.
Me ju krijoj. Nxjerr farën prej gurit
s’bëj vrimë në uj’;
Me ju krijoj llampën e mërkurit,
bukën e bardhë mbruj.
Me ju krijoj. Bukurinë në dritë nxjerr
shtegu hapur në galeri,
Me ju krijoj ylberin-o ag e terr
këtu e në lashtësi.
Me ju krijoj të re fare një përrallë
një lis fletashumë,
Me ju krijoj, bukurezat i vë në ballë,
zogjtë në trumë.
Me ju krijoj, lumenjtë i bëj vardar
të rrjedhin me vërtik,
Me ju gëzoj. Kam fat në jetë, kam zar
kam fyellin ilirik!

UDHA E NDRITUR

Hidromorava

Dhe vjen ҫast i pritur
ҫast fare i rrallë.
Të hapet udhë e ndritur
e ti hyn në përrallë.
Nisesh që nga ëndrra
hidhesh n’përqafim
oh, sa të ndritka nuri
voc në këtë udh’tim.
Udhëza e uruar
me dy brigjet push,
të pushton – gëzuar
pa të rrit, vogëlush,
pa të merr përdore
pup-pup në yllësi,
te ëndrra n’ndritësore
të shfaqë mrekulli.
Pa të hip në ujëvarë
Me shkronjëza t’shoqëron,
Veni n’kep të bardhë
Nga atje fluturon!

RREZJA E KUJTIMIT

Rrezja e kujtimit
nuk më është zbehur
për ty – Nënë.
T’i shoh
duart e lehta
si flladi,
t’i prek
flokët e bardha
si rrezet e hënës,
t’i ndjej
shikimet
valëvitëse si lumi,
t’i shikoj
gishtërinjtë
që bëjnë ҫudira,
t’i dëgjoj
përrallat
për t’Bukurën e Dheut.
Nënë
sërish t’i shoh
sytë shkreptimtarë.

VETË I SHOH

Po vajzuka si na erdhi?
Paj me shporta e ngarkuar,
Paj me krifa e flakëruar,
Vetë e shoh me sytë e mi
Madje i thanë: lum si ti!
Po kojrilat në sytë e saj?
Paj ata janë tinguj të parë,
Paj në yje kanë të ngjarë.
Vetë i shoh me sytë e mi
Ҫ’udhë marrin a e di?
Po pse duart zgjat nga dielli?
Paj i sillen retë vërdallë,
Paj nuk do t’i ketë mbi ballë.
Vetë i shoh me sytë e mi
A nuk janë retë krejt mavi?
Po trimoshave vallë ҫ’u bëri?
Paj i ҫoi lart tek manat,
Paj i zbritoi nga tëbanat.
Vetë i shoh me sytë e mi
Derisa bie një vesë-shi.
Po pastaj, pastaj ku vete?
Përmbi pjergull të Naimit
E n’Gështenjë të Petro Ninit.
Vetë i shoh me sytë e mi
Tek ai Diell që atje rri.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.