Uji Dea

“PLISI”, romani që zgjon kujtesën kombëtare – Arben Kurteshi sjell një rrëfim të fuqishëm për identitetin, qëndresën dhe rrugën drejt lirisë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Një roman që flet me gjuhën e historisë, identitetit dhe kujtesës kolektive shqiptare pritet të vijë së shpejti para lexuesve. “PLISI”, vepra më e re e autorit Arben Kurteshi, është një rrëfim letrar me ngarkesë të fuqishme emocionale dhe historike, që rikthen në qendër simbolin më të lashtë të identitetit shqiptar – plisin e bardhë, trashëgiminë që i ka bashkuar shqiptarët në rrugën e tyre të gjatë drejt lirisë.

Arben Kurteshi është një nga zërat më të spikatur të krijimtarisë bashkëkohore shqiptare, një autor që ka ndërtuar me përkushtim një profil të konsoliduar si poet, shkrimtar dhe studiues. Krijimtaria e tij dallohet për thellësinë artistike, ndjeshmërinë filozofike dhe trajtimin dinjitoz të temave që lidhen me identitetin, historinë, mërgatën dhe fatin e njeriut shqiptar.

Paralelisht me angazhimin e tij letrar, Kurteshi ka ndërtuar edhe një karrierë të pasur akademike e profesionale, duke dëshmuar se mendimi shkencor dhe arti mund të ecin krah për krah në shërbim të dijes dhe kulturës.

Me veprat e tij, ai jo vetëm pasuron letërsinë shqipe, por ndërton ura komunikimi mes brezave, kulturave dhe përvojave njerëzore, duke u renditur ndër krijuesit që i japin letërsisë shqiptare një dimension bashkëkohor dhe një jehonë që shkon përtej kufijve kombëtarë.

Romani sjell historinë e Ilirit, një personazh që mishëron fatin e mijëra shqiptarëve të përballur me shtypjen, migrimin e detyruar dhe luftën për mbijetesë gjatë viteve të errëta të ish-Jugosllavisë dhe periudhës së luftës në Kosovë.

Në këtë vepër, Plisi nuk paraqitet thjesht si një element i veshjes tradicionale, por si një simbol mijëravjeçar i identitetit kombëtar, një kujtesë kolektive dhe një trashëgimi shpirtërore që i bashkon shqiptarët. Për protagonistin Ilirin, plisi shndërrohet në busullën morale të jetës, në forcën që e mban të pathyer edhe atëherë kur gjithçka rreth tij shembet.

Historia nis në një familje ku punimi i plisit është më shumë se një zanat. Është traditë, dinjitet dhe nder. Babai i Ilirit, mjeshtri Shaban, vritet nga aparati shtypës i ish-Jugosllavisë, jo vetëm për t’i marrë jetën, por edhe për të goditur një simbol të identitetit shqiptar. Bashkë me të, Ilirit i vidhen fëmijëria, rinia dhe ndjenja e sigurisë.

Edhe pse me një hendikep në sy, ai detyrohet të kryejë shërbimin ushtarak. Edhe pse profesionin e ka për të shpëtuar jetë si sanitar, ai përballet me paradoksin e hidhur të mbrojë një shtet që shtyp popullin e tij.

Hidromorava

Por Iliri nuk dorëzohet. Në fshehtësi ai vazhdon punën e babait, duke punuar plisin jo për përfitim material, por si një akt besnikërie ndaj rrënjëve dhe identitetit të tij. Për të, disa vlera janë më të mëdha se frika, ndërsa plisi mbetet kujtesa e përhershme e origjinës dhe rrugës që duhet ndjekur.

I detyruar të largohet nga vendlindja, Iliri gjen strehim në Zvicër, vendi që i ofron jo vetëm mbrojtje, por edhe dinjitet, siguri dhe një mundësi për të rindërtuar jetën. Ai bëhet pjesë e historisë së mijëra shqiptarëve që gjetën mbështetje në Konfederatën Helvetike gjatë viteve ’90. Ashtu si rreth 59 mijë bashkatdhetarë të tjerë, edhe ai mbetet përjetësisht mirënjohës për mikpritjen zvicerane në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë.

Iliri përfaqëson brezin e mijëra të rinjve shqiptarë që vunë gjithçka në shërbim të qëndresës kombëtare dhe idealit të lirisë. Pikërisht kjo është zemra e romanit “PLISI” – një histori që flet për sakrificën, dinjitetin, identitetin dhe forcën për të mbijetuar.

Ndërkohë, versioni më i ri i romanit është dorëzuar për vlerësim në disa shtëpi botuese zvicerane dhe aktualisht ndodhet në proces profesional shqyrtimi për botim në gjuhën gjermane. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt prezantimit të historisë shqiptare dhe përvojës së mërgatës edhe para lexuesit ndërkombëtar.

Autori Arben Kurteshi shprehet se synimi i tij është që historia e Ilirit të shërbejë si një urë mirëkuptimi mes komuniteteve, të forcojë besimin reciprok dhe t’u tregojë lexuesve se pas çdo mërgimtari shqiptar fshihet një histori sakrifice, qëndrese dhe shprese që meriton të dëgjohet.

Me tematikën e tij universale, por të rrënjosur thellë në historinë shqiptare, “PLISI” pritet të jetë një nga veprat që jo vetëm do të prekë emocionet e lexuesit shqiptar, por do të kontribuojë edhe në njohjen e historisë dhe identitetit tonë përtej kufijve të vendit./rajonipress/