Hidromorava

Poezi nga Xhemë Karadaku

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Vjershat u morën nga libri në botim Dhjetë me yll, URA, Prishtinë, 2019.

Botimet:
1. Legjendë e re, 1992, vjersha për fëmijë
2. Natë mbi mua, 1994, poezi për të rritur
3. Gjej e qesh, 1994, enigma të rimuara
4. Pse iu kall mjekra gjyshit, 1995, vjersha për fëmijë
5. Zvarranikët, 1995, tregime për të rritur
6. Trimi më i madh në botë, 1999, vjersha dhe tregime për fëmijë
7. Kalikuse, kalikuse, a ma gjen një nuse, 2000, vjersha për fëmijë
8. Ëndërr me ëndrra, 2000, tregime satirike
9. Feniksi nuk është ndryshe, 2000, monografi
10. Lavjerrësi i kohës, 2002, tregime për të rritur
11. Histori për një dashuri, 2003, vjersha për fëmijë
12. Lojë në Trojë, 2003, poezi për të rritur
13. Nipi i Don Kishotit, 2005, vjersha për fëmijë
14. Fuqia Hyjnore, 2009, publicistikë
15. Flakadani i lirisë, 2010, monografi për dëshmorin Xhavit Kozhani
16. Lojë me fjalë, 2011, vjersha për fëmijë
17. Jam i madh, 2014, vjersha për fëmijë
18. Dhjetë me yll, 2019, vjersha për fëmijë (në botim)

Shënim:
Vjershat u morën nga libri në botim Dhjetë me yll, URA, Prishtinë, 2019.

PASQYRA MAGJIKE

I flet gjyshi shpesh përballë:
-Më i miri, kush është vallë?

Ia kthen pasqyra drejt në sy:
-I mirë je gjysh nuk ka me ty!

Por me nipin, ti mirë ta dish,
Nuk matesh dot more gjysh.

Gjyshja e nguc nga “smira”:
-Kush është këtu më e mira?

Edhe gjyshes i thotë pa pra:
-E mirë je gjyshe me ty s’ka!.

Po me mbesën – jetë e mot,
Dije gjyshe nuk matesh dot.

Unë dhe motra u mor vesh,
Bëjmë debat, me të shpesh.

Me ne flet pasqyra ndryshe
Në toplistë – gjysh e gjyshe!

Babi dhe mami po habiten,
Me pasqyrën, ata mahiten:

-I thotë vetes: jam magjike,
E, jep përgjigje sall politike!

DHËMBËT

Gjyshi kur ishte djalosh,
I kishte dhëmbët si inxhi
Grurë e misër – një kosh
Mund ta bluante si mulli.

Thyente arra dhe lajthia
Me dhëmbë si me çekan
Po s’mendoi se pleqëria
Një ditë i del në mejdan!

Filloi punën pa bërë zë,
Një krimb si pikë e zezë,
Ikën inxhitë – s’i ka më.
Po i vëlon maja e kresë!

I duket goja si një dollap
E po ha vetëm përshesh.
I tha vetes: shiko satrap,
Dikur nuk merrje vesh!.

E shiti lopën dhe tri dhi
Drejt te mjeku më i mirë
Dhe sërish u bë djalë i ri
Me dhëmbët xhevahirë!.

N’Shesh disa moshatarë,
I thanë gjyshit me hoka:
– Tash, dhëmbët qelibarë
Vlejnë më tepër se koka!

XHUNGLA

N’xhungël, thonë
Zgjedhjet u bënë
Natën, krejt vonë
Pa yje e pa hënë!.

Kur mbaroi gara
E u dha rezultati,
Tri forcave t’para
U takoi Mandati.

Luani fort ulëriu,
Tureçkën e zgjati
Mbitokën përlau
Kundër nuk pati!

Gjarpri pa pritur
E ngriti pak kokën
Vrik u bë e ditur,
E mori Nëntokën!.

Shkaba po krroket
Në një degë Rrapi
Të tretin pushtet,
Me kthetra e kapi!

Rend demokratik,
Atje dëshiron Bota
Po në Pyllin Mistik
Ligjet janë të kota!

BEFASOHET NIPI

Gjyshi mori nipin
Dhe në Shesh doli
E kujtoi Diogjenin
Por asgjë nuk foli!

U ulën në një stol,
Me një robot-dylbi
Kërkonin me nipin
Njerëz në Qeveri!?

E prova shkencore
Fort po i zhgënjen
Ish mbushur Kulla
Përplot me alienë!

U ngritën nga stoli
Ikën në tjetër vend
E nisën vështrimin
Tashmë në Kuvend!

E vështruan Sallën
Prej fillimi në fund
Njerëzit që kërkuan
S’i gjetën askund!.

Oh, i njëjti rezultat
U doli prapë n’letër.
-Jemi gjysh n’Tokë,
A në Planet tjetër?!

KARNAVAL BIO

Para nesh sa herë dalin
Në kat e kollare veshur
Ta kujtojnë Karnavalin,
Kur ecin të buzëqeshur.

Të rrethuar me truproje
Secili duket – Don Kishot
Pse shtiren bletë në hoje
Këto grerëza helmplot?!.

Në tubime, e në debate,
Fjalëmjaltë janë nga goja
Kur azdisen pas mesnate
Në mend të shkon Troja!

UBT

Janë djaj e engjëj duken,
Popullit kur i rrinë ndesh
Në çfarë lëkure struken,
As tatari s’e merr vesh!?

Fort i therin me hosten
Kur flasin rend e pa rend
Jo me ligje, po me kanun
Botës po i shesin mend!.

U bëmë Karnaval – shtet
Nuk matet me ne as RIO
Shumëfytyrësia – realitet
Se këtu maskat janë BIO.

MBURRACAKËT

U lavdërua lepuri
Diku në një zabel:
-Krejt bota m’njeh
Për bishtin cubel.

Por, mbi të gjitha
Për veshët llapush
Jam një YLL pylli
S’ma kalon kush!.

Shkaba nga rrapi
Lavdit i vuri pikë:
-Ti je një Yll pylli,
Vetëm për frikë!

E nisi lavdin skilja
Gjuhën si shpatë:
– Dihet fama ime,
Për bishtin e gjatë!

E sa për mençuri
S’më avitet kush,
Unë jam YLL pylli,
E jo ti o lepurush!

Korbi nga një lis,
I tha zonjës skile:
– Ti je një Yll pylli,
Për dredhi e hile!

MARRËVESHJA

-Ti merr një kokërr
Unë – një kalavesh!
I Madhi me t’Voglin.
Nisi lojën n’Shesh!.

Ende mirë i Vogli
Pa e hapur gojën
Foli prapë i Madhi
E vazhdoi lojën…!

-Ti merr një kokërr
Unë – një pjergull!
Tash o mik i Vogël
A jemi në rregull?

Oh, u dridh i Vogli
T’marr fjalën deshi
Po nervoz i Madhi
E zu fort për veshi!

– Unë marr vreshtin,
Ti një kokërr merr!
Zgjidhje më të mirë
Nuk ka asnjëherë…

Lajmi shpejt u dha
Dhe po jipet prore:
-Kontribut i MADH,
Për paqen botërore!

FITUESI

E njoh mirë njëfarë djali
N’jetën e tij janë dy Bena
Njëri që shihet nga mali
Dhe tjetri që rron brenda.

Ky Beni që sheshit duket
Bën sherre bukur shpesh
Po Beni që brenda struket
Menjëherë i flet në vesh…

Ben sherri mendjemadh
Shtiret si shurdhmemec
E lëshon kosën në livadh
I thotë vetes: përpara ec!

Ben urtaku i del përballë
S’i lëshon pe asnjë gisht
E godet fort me kokallë:
-Me jetën mos luaj bisht!

Njëfarë djali e njoh mirë
N’jetën e tij janë dy Bena
Por FITUES, e them shlirë
Do të dalë ai nga brenda.

PSE RRËZOHEN LISAT

Diku, ishte një lis i gjatë
E mbante aq lart kokën
Krejt u bë mendjethatë
E kishte harruar tokën!

I thotë toka me butësi:
-Dije unë jam nëna jote
Ty të mbajta këtu në gji
Për ty vuajta ndër mote

Dikur me degë njomake
Truphollë krejt i brishtë
Sa e lodha këtë rradake
Kur vinte dimër i trishtë.

Të ushqeva ditë e natë
Për ty isha nënë e mirë
E sot kur lëshove shtat
M’shikon me aq smirë!

Mos të ka hyrë pahiri
Ndonjë krimb n’zemër
Nëna që si rrap të bëri
Tash të duket shemër!

Veç, mos harro në jetë
Ku ke rrënjët more bir
Se shpejt përzihen retë
Kris furtunë e vështirë!

Tash, ju pyes, o shokë:
Pse lisat bien përtokë?!

DHJETË ME YLL

Zogu n’degë druri
Melodinë s’e ndali
Një strofë si biluri,
Ia fala n’mes mali.

Përroi me ushtimë,
Më mbushi gjallëri,
Një vjershë me rimë
E stisa me kënaqësi.

Mbi bregun guror,
Si n’Fronin magjik,
Vargje – një kurorë,
Aty e qëndisa vrik.

Lumit pa u ndalë,
Kalova shtatë ura,
Së bashku me valë
Një poemë e thura.

E artë m’u bë fjala,
Nga drita e diellit,
E unë librin ia fala
Dhe ia nisa qiellit.

Muzat atje në pyll,
Më uruan atë ditë:
-Dhjetëshe me yll,
E more me meritë!.