FITORJA

“Pjella e dreqit”, apo pjella e suksesit

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

“Pjella e dreqit”, e Ibrahim Kadriut, doli të jetë romani që i solli çmimin “Romancieri shqiptar i vitit”, nga PEN-qendra e Shqipërisë. Duke treguar se nuk e ka pritur këtë çmim, ai ka rrëfyer edhe për anën tjetër të shkrimtarëve të Shqipërisë. Sipas tij, letrarët e atjeshëm edhe në kohën Enverit janë stimuluar për depërtim letrar. Ndërkaq, Kosova, përpos që ka mbështetur Adem Demaçin e Rexhep Qosjën, të tjerët nuk e kanë parë këtë mbështetje me sy.

Zëri: “Pjella e dreqit”, doli të jetë pjellë e suksesit, sepse pikërisht për këtë roman u shpërblyet me çmimin “Romancier i vitit” nga PEN-qendra e Shqipërisë, e keni pritur këtë sukses të këtij romani?

Ibrahim Kadriu: Të shprehem realisht: jo, aq më tepër prej një asociacioni të tillë siç është PEN-qendra e Shqipërisë dhe me shtrirje të këtij çmimi. Kur më erdhi ftesa-mesazh, nuk e dija arsyen e saktë. Në ftesë nuk tregohej saktësisht, pos që përmendej romani “Pjella e dreqit”. Vajta atje me bindje se në kuadër të aktiviteteve të PEN-qendrës, mund të jetë organizuar ndonjë përurim. Mora disa kopje me veti me qëllim që, siç ndodh zakonisht, t’i vendosja mbi tavolinë, para vlerësuesve të romanit. Ndodhi ndryshe. Në kohën e caktuar në ftesë u gjenda te Ministria, ndërkaq aty më pritën; më përcollën te rreshti i parë, në atë sallë të mbushur përplot. Mandej u komunikuan çmimet, për roman çmimi “Romancieri shqiptar i vitit” që, natyrisht, më befasoi dhe më gëzoi.

Zëri: Flasim pak për romanin, keni shtjelluar një çështje të ndjeshme në mes një çifti të viteve të fundit në Kosovë. Dhe mbi këtë pikë duke ndërlidhur profesionin tuaj prej gazetari dhe kontributin prej shkrimtari, kriza morale në shoqërinë kosovare deri ku arrin?

Ibrahim Kadriu: Kriza morale është shumë e tejdukshme. Nuk është e thënë të jesh gazetar ose shkrimtar që ta hetosh atë. Në këtë ambient tonin, në këtë bashkëkohësi, nuk mund të flitet për moral të qëndrueshëm, gjithnjë mendjen e kam te morali shoqëror, mbase edhe politik, e jo në konotacion tjetër. Sapo përmendet morali, njerëzve u shkon mendja diku tjetër, por morali për të cilin isha i orientuar në zbërthimin e tërësisë romanore, përgjithësisht ka të bëjë me moralin politik e korruptiv i futur në krizë të cilën po e bartim të gjithë si ngarkesë shpirtërore. Jam përpjekur që përmes këtij romani lexuesi ta njohë veten, por edhe t’i njohë edhe të tjerët, që ishin pjellë e idealit, idealit kombëtar, por që ma ka marrë mendja se janë bërë pjellë e dreqit. Po e parafrazoj, me këtë rast, një pjesë të mendimit të Sadik Bejkos, kur thotë: “Ajo që tematikisht bie në sy e që do të ishte patjetër merita më e dukshme, është qasja kritike ndaj asaj që të gjithë e ndjejnë: shoqëria e sotme është larguar ndjeshëm nga idealet dhe i është nënshtruar materiales. Njeriu i viteve, kur duhej dalë nga diktatura, sot është karikaturë e vetes”. Me këtë thënie është kapur esenca e romanit “Pjella e dreqit”.

Zëri: Është krijuar një përshtypje se romancierët e Shqipërisë nuk ua varin shumë romancierëve të Kosovës duke pasur vetëbesimin për krijimet e tyre, megjithatë, në mes këtij hendeku ata të Shqipërisë vlerësuan librin tuaj, a mendoni se u thye ky paragjykim pikërisht me këtë çmim?

Ibrahim Kadriu: Shprehja “nuk ua varin” më duket paksa ekstreme; e thonë të tillët që nuk kanë arritur të krijojnë vlera që do të ishin të pranueshme edhe përtej mëhallës së tyre. Kujtoj se kjo shprehje, është e ekzagjeruar, sepse në Shqipëri ka vepra (romane, poezi) që janë botuar dhe janë vlerësuar. Nuk dua të zgjatem rreth kësaj teme, por të them përvojën time. Që në vitin 1985 “Naim Frashëri” ribotoi romanin tim “Pas kthimit”, dhe me atë rast botuesi ka njohur vetëm romanin, por jo edhe autorin. Pas një viti, më 1986 pata marrë vesh (nga shumë i nderuari, i ndjeri Hasan Mekuli). Viteve të dymijta “EUGEN” botoi romanin “Qerrja e dritës”, e cila më pastaj është futur në programin shkollor të Ministrisë (së atjeshme) të Arsimit. Është futur në program nga njerëz, estet, vlerësues, që nuk i kam njohur, ndërkaq këtu në Kosovë, nga ata që i njihja e më njihnin fort mirë, që ishin në një komision ad-hok të arsimit në kohën kur “Naim Frashëri” ishte alfa dhe omega e arsimit në Kosovë (viteve të nëntëdhjeta) ma kanë hequr librin me tregime që ishte në kuadër të lekturës shkollore dhe, në vend të librit tim, njëri prej anëtarëve të komisionit pati futur librin e vet.

FIDANISHTJA

Zëri: Pastaj, nëse krahasojmë nivelin e romanit të Shqipërisë dhe kolapsin e romanit në Kosovë, duhet të jetë një e arritur shumë e madhe që të sfidohen romancierët e Shqipërisë, gjithnjë duke pasur parasysh kualitetin e tyre. E mendoni edhe ju si një sukses duke sfiduar më të suksesshmit?

Ibrahim Kadriu: Jo, jo. Më ngadalë. Nuk mund të quhet kolaps zhvillimi i romanit në Kosovë. Dhe përgjithësisht i letërsisë. Mund të thuhet se viteve të mëhershme (edhe në kohën e Enverit, apo jo) në Shqipëri është punuar me një angazhim të programuar rreth gjetjes së rrugëve për të depërtuar në botë vlerat letrare. Është e ditur se, fillimisht, edhe veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer në Shqipëri me financa shtetërore, e më pastaj për Kadarenë nuk ka pasur pengesa… Njësoj edhe disa autorëve të tjerë u janë përkthyer veprat në Shqipëri, për të çelur rrugën e depërtimit… Kurse te ne? Në mënyrë institucionale asnjëherë nuk është vepruar në interes të popullarizimit (dhe botimit) të veprave në gjuhë të huaja. Këtu është një hendikep i madh, që vazhdon të thellohet edhe më shumë. Hiç dy autorë (Qosja dhe Demaçi) asnjë nga autorët tjerë nuk ka përfituar në saje të krijimtarisë. Kujtoj se mjetet e tilla, nuk po e përmend sasinë e eurove as për njërin, as për tjetrin, aq mirë do të shërbenin të përktheheshin veprat e autorëve të Kosovës, sigurisht me sasi më të madhe edhe veprat e përfituesve në atë, ta quaj “bingo” nga qeveria. Çdo çmim e konsideroj sukses për atë që e merr, prandaj edhe këtë çmim e quaj sukses, e jo “duke sfiduar më të suksesshmit”.

Zëri: Kthehemi edhe njëherë te niveli i cilësisë së romaneve në Kosovë, apo më mirë, mungesës së një brezi të ri të romancierëve kosovarë, pse kjo mungesë?

Ibrahim Kadriu: Problemi nuk është te mungesa e brezit të romancierëve kosovarë, por te mungesa e lexuesve. Kjo pyetje tingëllon provokuese, sikur të mos e njihja krijimtarinë e brezit të ri. Do të mashtrohesha, siç mashtrohen shumë, dhe do të bija në kurth, duke mohuar edhe unë në stilin e pyetjes. Shkurt e shqip: nuk mungojnë romancierët e rinj, përkundrazi janë shumë të devotshëm. Nuk ka kuptim të thuhet mungojnë, kur pikërisht romancierët e rinj në dy vitet paraprake sfiduan, siç thoni ju, autorë të vjetër romanet e të cilëve ishin konkurrues në konkursin e Ministrisë së Kulturës për çmimin me emrin e Azem Shkrelit. Ishte Gëzim Aliu me romanin “Në klubin e të shëmtuarve”, pastaj romancieri me shumë perspektivë Ardian Haxhaj. Kur e përmend këtë emër, mendjen e kam te romanet shumë të suksesshme të tij: “Kujtimet e një çifuti”, “Fund i një misioni” e “Kryekronika e Fushë Kosovës”. Prandaj është gabim të flitet për mungesë të romancierëve të rinj.

Zëri: Flasim për figurën Ibrahim Kadriu, poet i fëmijëve, poet për të rritur, romancier, dhe profesionalisht një gazetar i rryer në pjesën e kulturës. Si kanë funksionuar krejt këto profile brenda një njeriu?

Ibrahim Kadriu: Gjithnjë kanë funksionuar në mënyrë reciproke mes veti, natyrisht me angazhim të vazhdueshëm, të pandërprerë. Nuk merrem me asnjë punë tjetër, pos me krijim. Në këtë fushë kam një autonomi të plotë, aq më tepër kur nuk merrem me kurrfarë politike a aderimi ndaj ndonjë partie. Marrja me një shtrirje të tillë në fushën e krijimit është me rrezik, sidomos kur kihet parasysh gazetaria. Por te unë ka ndihmuar edhe gazetaria, e cila ma ka shtuar frymëmarrjen përmes temave që kam mundur t’i has në mese njerëzish apo ambiente, si gazetar. Kam përjetuar akumulim idesh. T’ju tregoj se gjatë rrugëtimit si gazetar, ku e kisha detyrën të kontaktoja me minatorë grevistë të cilët në vitin 1989 u futën në zgafelle… Në minierën e thëngjillit në Babush u lëshova në atë zgafelle të trisht, si në varr. Dje e kam marrë letrën e të birit të cilën na e solli inxhinieri që mban kontaktet me të. Ai ka shkruar: – Baba, qëndroni ku jeni, mbi tokë jemi ne, do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe ne… Për këtë ngjarje dhe të tjerat gjatë viteve të tetëdhjeta kam shkruar dhe botuar romanin “Loja e fundit”, që është rrumbullakuar në saje të përvojës së gazetarit

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.