Problemet socio – linguistike nga diaspora shqiptare
Nga Sefedin Musliu – Për trajtimin sa me përmbajtjesor te kësaj teze, është e nevojshme para se gjithash të trajtojmë në themel aspekte të këtyre deformimeve sociolinguistike, të cilat në të vërtetë vijnë në formë të pavetëdijshme nga diaspora. Fatkeqësisht, pjesëtareve të mërgatës që e përdor në mënyrë jo të duhur ekuivalentin e gabuar, nuk është i vogël, duke këmbëngulur kështu në versionin e tyre pa dhënë argumente gjuhësore.
Fjala diasporë, sipas shpjegimit të fjalorëve, është me origjinë greke e përbërë nga dy pjesë, ‘dia’ që do të thotë, ‘përtej’ ose ‘matanë,’ dhe ‘speirein’ që do të thotë ‘shpërndaj,’ d.m.th. diçka që është shpërndarë nga baza apo vendi i origjinës dhe ka kaluar diku tjetër.
Në këtë rast diaspora shqiptare e shpërndarë nëpër vende të ndryshme te Evropës dhe të botës vazhdon t’i ketë sfidat dhe hallet e veta, nga të cilat disa janë te dukshme por disa janë edhe të padukshme. Emigrimi i popullsisë jashtë trojeve etnike për shkaqe të ndryshme i ka edhe vështirësitë e veta.
Kultura
Kultura përfshinë arritjet e një populli në fushën e zhvillimit të saj shoqëror, krijimtarinë, doket, zakonet apo shprehitë e një shoqërie të caktuar. Prej fillimit të saj, shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, janë munduar dhe po mundohen ta ruajnë kulturën e tyre aq sa kanë mundësi duke vazhduar kështu me traditat e tyre, sepse ajo është shpirti i kombit. Sa më larg vendlindjes të shkosh, aq më shumë e ndjen mungesën e kulturës së popullit tënd, dhe kështu krijohet një nostalgji për vendin dhe njerëzit e tu. Besoj, se kështu ndodh edhe me popujt tjerë, të cilët ndodhen larg vendit të tyre.
Ata që janë larg vendeve dhe trojeve të tyre, më shumë e ndjejnë mungesën e kulturës, sesa kur janë në vendin e vet. Sipas mendimit dhe këndvështrimit tim, ata vazhdojnë t’i kultivojë më shumë elementet e vjetra të kulturës, në këtë rast e kam fjalën te muzika dhe format tjera të aspektit të kulturës, por edhe tek traditat e tjera të mëhershme, si p.sh ushqimi, muzika e të tjera. Ata më shumë preferojnë t’i dëgjojnë dhe këndojnë këngët e vjetra, sesa të rejat, në krahasim me ata që jetojnë në vendin e vet. Kjo është në rregull. Por kjo quhet retrospektivë, d.m.th. kthim mbrapa (në të kaluarën).
Te shpërngulurit nga katundet e thella malore dhe te tjerët nga diaspora, disa prej tyre shpeshherë bëjnë pyetje te çuditshme ne lidhje me jetën ne te kaluarën dhe bujqësinë, duke menduar se krejt ata qe jetojnë nëpër fshatra apo katunde merren kryesisht me bujqësi e blegtori.
A do të thotë se çdokush që ka shtëpi apo jeton në katund apo fshat, patjetër duhet të merret me bujqësi e blegtori? Edhe kjo mund të quhet retrospektivë, kthim mbrapa në të kaluarën (tek disa) që mendojnë se një vend i caktuar vazhdon (duhet të vazhdojë) të jetojë edhe sot në të njëjtin stil jetese ashtu siç ka jetuar para shumë vjetësh.
Gjuha
Gjuha, është atributi (tipari) kryesor dhe vendimtar i një kombi. Nëse humb gjuhën dhe trajtat e saja gramatikore ke humbur shumë. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se gjuhës duhet kushtuar rëndësi të veçantë kudo që jemi dhe sidomos në diasporë. Mjerisht, për të arritur këtë ndoshta nuk janë edhe kushtet, por ato mund të krijohen, për ata që donë dhe kanë mundësi. Sa herë që vijnë bashkatdhetarët tanë nëpër rrugët, sheshet dhe vendet tona mjerisht dëgjohen duke folur gjuhën e atij shteti nga vijnë dhe herë-herë duke e përzier me shqip aq sa kanë kapacitet gjuhësor. Ata shpesh e përziejnë gjuhën amtare me gjuhët e huaja duke i përdorur të dyja në të njëjtën kohë. Kalimi nga një gjuhë, në gjuhën tjetër në kuptim të të folurit quhet ‘code-switching,’ d.m.th. kur folësi bën ndryshime dhe kalon nga një gjuhë në një gjuhë tjetër në të njëjtën kohë.
Diaspora, veçanërisht të rinjtë, të cilët kanë shkuar në moshë të re jashtë vendit apo kanë lindur atje, shumica flasin një shqipe tejet të dobët, me trajta të shtrembëruara gramatikore dhe me një leksik shumë të varfër. Është vërejtur se shumë prej tyre nuk i kuptojnë as fjalët: kahe, drejtim, përçoj, mosmarrëveshje, përshtypje, keqardhje, dashamir, rrethanë, rrethanë, etj.
Nëse gjuha ka disa rrathë, për sa i përket leksikut, shprehjeve apo pasurisë së fjalëve dhe shprehjeve gjuhësore, dhe nëse shkrimtarët apo njerëzit e ditur, të shkolluar dhe të lexueshëm, të cilët flasin gjuhën shqipe shumë rrjedhshëm, janë të kuptueshëm dhe të këndshëm për dëgjim do të ishin në rrethin e parë, atëherë, mjerisht kjo kategori i takon rrethit të fundit. Ata e flasin një shqipe nga familja dhe rrethi i tyre nga vijnë, i cili është shumë i ngushtë dhe i varfër, për shkak të shumë rrethanave.
Është vërejtur se shumë bashkatdhetarë tanë, që jetojnë jashtë vendit, janë në retrospektivë, d.m.th. kthim mbrapa duke i përdorur kështu fjalët dhe shprehjet të cilat janë përdorur në kohën, kur ata kanë emigruar jashtë.
Vështrim i përgjithshëm
Për sa i përket këtyre çështjeve, është e dukshme se shumë nga bashkatdhetarët nuk i vërejnë shumë ndryshimet kur vijnë në vendin e vet, por ende vazhdojnë të jetojnë me të kaluarën në kohën kur ata e kanë lëshuar vendin./rajonipress/