Pirgu i errësuar*
Nga Mehmetali Rexhepi – Duhej të dilte. Lypte shtegun e daljes, ngjashëm si foshnja në barkun e nënës. Sikurse foshnjës së zmadhuar dhe atij i ishte ngushtuar ajo shtëpi e lëngshme. Andaj e lypte hapësirën për t`i shtrirë gjymtyrët. Gjymtyrët kishin ngjashmëri, porse tiparet kërkonin veçanti. Ato domosdo do t`i merrnin përngjasimet e atit, të autorësisë.
Brenda një shtëpie që e bartte pa trajtë, sjellkej ajo masë që u formësoftë sa më e dëshirueshme! Mësymja niste nga pika duke tërhequr vija vizatimesh, figurash gjysmë trajtash… Pikat brenda vetes formonin një univers. Pikë pas pike zmadhohej orteku. Merrte forma dhe ç’formësohej. Sa kompozohej dekompozohej. Një strumbullar pikash, vijash si fije kashte, bashkohej përqark orbitës së vet me ngrohtësinë e rrufeshme të fërkimit dhe, priste shpërthimin brenda shtëpisë, e cila ishte bërë e ngushtë. Meraku i daljes së pjekur ishte mëtimi parësor…
Shtëpia kishte mure, dhoma që të veshje e zhveshje mendimin, dritare për të parë e për tu parë, tavan të bardhë, dyer langore për të hyrë frymore e për të dalë sendore, çelësa që prore humbin trajtën pararendëse e gjenden në ndonjërën trajtë vjetërsuese, llambadarë, kolltukë për të zënë vend nga bredhja me të, ngase ajo është vetë përsiatja.
Për çfarë të përsiatësh? Për gjithçka që hyn e del nga shpirti, për gjëra frymore, lëndore, shtetërore. Për motin e papërshtatshëm, njerëzit e tjetërsuar të shtetit xhuxh, për shirat e munguar e të tepruar në shtetin xhuxh, për…
Llambadari ndizej për t `ia cullakuar dukjen asaj që nuk dukej në errësirë. Ajo vinte në çastin e vet: as me dritë, as me terr.
Lindja e trajtës së mësyrë, cytej nga gjakimi deri në tendosje, si copëz dielli, si copëz që fërkohej me flakë…Për dallim nga dielli flaka nuk i dilte më parë se tymi. Dhe si dukuritë e botës së rrotullueshme, që rrotullohen qarkut të fushës magnetike, ajo finokja duhej të futej në atë orbitë të vockël, korridoreve pa tymosur, pa nxirë bardhësinë, të bardhën dhe të kuqen e rruazave të gjakut.
* Ku je moj mendja finoke?
* Sa thellë fshihesh ti!
* Gjatë, gjatë po të kërkoja të dalësh nga ajo skutë e të më ngrohësh, po nuk më ngrohe se dole jo si të doja unë po si deshe vet! Vetja matanë:
* Është koftori për t`iu futur flaka drurëve, qyngu për të përcjellë tymin, mandej pritet ngrohja e njërës dhomë, tjetrës ndjesi dhe tutje deri te mendimi që e do klimën, e cila do të përshtatej ty, për t`iu dhënë kuptim… Kumtove për vetveten e për të tjerët nëse do t`i kesh; për një të shkalluar rob i përsëritjes, për një mjeran që u grish nga euforia dhe në eufori ngatërroi galdimin dhe, assesi t`i jepej radha për verën, se vera vjen një herë kah dera.
* * *
Mendja i hollohej si fije peri që duhej futur në gjilpërë, mësynte të qepte, të lidhte trajta të shkëputura, lakadredhur, t`i përmbushte iluzionet shterpa me copëza, që të bëheshin kostume të tërësishme bukurie. Ajo bukuri po nuk u kap vetëtimthi, shuhej sapo dukej dhe, rishtas i parakalonte në variante, për të cilat i mungonte shpejtësia dhe shija e parë e bukurisë së fanitur.
Shikimet depërtuese e ndjenjat jonizuese nuk preknin dot orbitat e kokave tjera.
Mendimi i zbrazej në vrimat e zeza të ndërdymes… Dhe i shtoheshin dilema të stërmëdha ekzistenciale: një ditë do t`i shuhej diellit zjarri, zjarri i tij do të zmadhohej aq sa t`i përpinte gjithë yjtë përreth dhe, yll-kaltrën, të cilën gjithnjë e më shumë e fëlliqim me dyoksid karboni, duke e përhapur pafrenueshëm.
Çka nuk e pret yll-kaltëroshen tonë?
“Efekti serrë” dhe metani i fjetur që pritet të zgjohet… Fati, në fjalorin e trishtimit, do të kumtojë akullin ose ngurtësimin e karbonizuar, sikurse fqinjëve tanë që e kanë shkëlqimin e rremë dhe, te të cilët synojmë ta mbjellim gjininë e gjenisë sonë, ta shpiem ajrin dhe zjarrin e Prometëve, për ta rizgjuar mërinë e Hirësisë së Perëndisë…
Moti ishte thelluar në ndeshtrashat e fatit dhe komunikonte me universin. Ai fat, sikurse ky në tokë, ishte jashtë mundësive të intelektit të sojit tij. Të ndodhurat e universit nuk futeshin në asnjë kornizë, në asnjë valë drejtuese, në asnjë plan:
* Pos në impulset e universit të kokës sime.
Dyshimi:
pikë së pari nuk dinte se si i vinte, por i shumëzohej si krimbat në një lis, të cilit i është nisur kalbëzimi, ndërsa gjethet ende e vishnin me të blertë. Nisej krimb i butë, thahej, tretej, kur i dilte para caku krimbi merrte trajtën e një kobre kokë petake. Stepej. Lypte shteg-shmangie. Cilën kahe, cilin shteg të ndiqte? Rrotull besimit të brishtë, madje në një ishull të shkëputur harrese ose te fillimi i të qenit paqësor. Paqësor i ikjes, por ikja e paqësuar është sinonim i nënshtrimit. Si ta marrësh?
– A do të jetë paqja paqe rrjedhojë e ikjes? – Moti iu qas përgjigjes me mëdyshje…
– A jam ende ai, i dukshmi për sytë vrastarë?
– A jam ai që dija, dua dhe do ta godas krye-parin pehlivan, të parin e qytetit, që pos tjerash, e fuqizova dhe unë?
– Kishte shkëlqim lëbyrës e, nuk ia shihja hilet, as hijet, as huqet, as hafijet.
– Pagëzon, po t`i mateshin të bërat krye-parit, kamarja e turpit do të ishte për disa metra e gjerë dhe po aq e lartë.
Pagëzoni i hijes së Pirgut të Motit e gëlltiti këtë erzë të pa këndshme dhe teshtiu.
* Do të godisje, por çka? Çfarë?
* Godite zgjedhjen tënde, veten tënde!
* Shumëkush do t`i fërkonte duart e, ti nuk e merr me mend se kah e si do të vinte kundërgoditja…
* Zë në thua sivjet e rrëzohesh në mot.- Më tej:
* Koka do të bie në pjesën e prapme të trurit e do ta humbësh drejtqëndrimin.
* Kush do të fitonte, përpos tjetrit dhe, do të ngul…, pardon ngelësh i zvetënuar.
Moti:
* Sa shpejt u shumëzuan hienat që thyejnë eshtra njeriu! Pa, pa, pa, pa, pa…
* Nuk lënë kënd ku nuk futen larvat e dyshimit…
Sikur e ndjeu dytësori dhe i hodhi fytyrës ujë të ftohtë të kroit malor:
– O njeri , pak po ha, fare pakëz po fle dhe tepër, tepër po hahesh nga dikush…
– Po si ?
– Ashtu. Të hash dhe të hahesh me çdo kë, mos e kthe prirjen e kanibalit!
– Çudi, sa shpejt i harruam kafshimet e kanibalëve çetnikë!
– Më dëfto nga ai burim i vogël çiltërie, fshehur nga ajka e hollë e sinqeritetit të gënjeshtërt…
– A të duket se pak po çirremi, veçse nuk po kafshohemi prore në rend fërkimesh, gërryerjesh ditore, nxjerra-sysh…
Nuk e kishte pritur, por Motin e tundoi një kundërmim epshi me jone ngashënjyese:
– Pse të mos i ëmbëlsoja ato buzë dhe t’ua shtoja dozën e ëmbëlsisë më tepër se ç`e kishin, ngase do t` i ngjiteshin ndonjë buzë-zjarrti. Buzë-zjarrti do t`ua digjte ëmbëlsinë sikurse buzëve horizontale dhe atyre vertikale…
Dikur buzët vertikale fshiheshin, ndërsa tashmë edhe fryrja e tyre e brendshme u shquhet. Dhe? Femrës i vishet futa e zezë. Ditës i mbështillet terri i natës. Pelerina e zezë mbështjell gurrat eruptive… Truallit tonë shtrihet hija e futës. Nën futën e errët të mos lëpihej lakmia e syve. Brenda futës s`ka si mos të ziej epshi: zonat e tij i gudulisë, qoftë ndonjë petale, erë-ëndje bliri, shkëlqim i praruar syri, drithërimë afshi vashërie, grishje e një ëndrre të përdalë, mall i fshehur, mall i pjekur… Por mëkati është aty. Bredh zonave të intimes në variantin e vetërrjedhjes, si djegie e brendshme e yndyrës së lakmisë në fulteren e pamëshirshme të natyrës. Nuk ka mëkat që i bie ndesh tundimit të fërguar për etjen e pa shuar…
Futa:
– Visheni spektrin e ngjyrave me të zezën, të vetmen ngjyrë të besnikërisë sonë!
Dytësori:
– Mot, mos e fsheh gishtin tregues për akëcilin frenues të lirisë ndeshtrashave të forta!
Moti:
Ec e dije se ku shpie mandata e mjekërzinjve ?!
E pa natyrshmja ndëshkon në mënyrën më të paparashikuar…
Moti i bluante të gjitha këto trajta e dukje që ia fyenin ngazëllimin e sedrën, personazhe që ia zëvendësonin, sillnin e lidhnin nyje ndjeshmërinë, shijen estetike dhe etikën e etniken për të bukurën e lirisë. A ishte ai i natyrshëm në kundrimet kësisoj? A do të ndëshkohej nga gjyqi i paparashikuar i së vërtetës? Nuk e dinte. Lirinë prore e përfytyroi si diçka të bardhë, por kurrë jo si dogmë të zezë, si femër të mbuluar me të zezën, as si të cullakuar…
Atë brumë mozaikësh e hidhte në sitën e mendjes, e gatuante dhe piqte në furrën e ndjenjës dhe, kishte dilema për shijet e papërfillshme… Nuk i mjaftonte vetëpohimi, as asi i kipcit tij… Ku vajtën vetëmohuesit e Pirgut, dhe nuk vajti ai… Pagëzonit nuk i kishte fshehur asgjë, madje as cikërrimat e ndonjë marrëzie intime, të cilat i dhanë dorë atij t`ia vizatonte karikaturën këtij.
* * *
Pirgu i Motit ishte emblema e Pagëzonit. Por, këtij iu rrit pandalshëm një adrenalinë lakmie… Për të dinakëria nuk i përkiste së shëmtuarës… Ngjitej prapa shpinës së Motit i identifikuar me të, mandej hop në hierarki. Pirgun e ngritur mbi armaturë parimesh e shpallte të demoduar
* E si Pagëzon, nga shpina ime u ngjite në atë lartësi, të pshurrësh mbi Pirgun e Motit tënd?!
– Të shkoftë i zi moti!
Djegësirën e vrerit që i shtohej Moti e mëkonte me kafshata uji. Po sikur ta ndiqja modën e ngjitjes si Pagëzoni? Të identifikohesha me një Zeus të vogël… Mandej? Ishte gënjyer se s`do të kishte zotën modern… Përpos Pirgut ai kishte një dytësor të cilit i bindej si hyjni. Mëdyshja në vartësinë e tillë luhatej, epohej, drejtohej eptueshëm. Testimin e bindjes seç ia grishte e kurthonte përshtypja e ëndjes, asaj ëndjeje që jo secilën herë mund t`i shtypej koka. Buzët e saj rridhnin jargë jo gjak. Lagej ndjesia, rrëshqisnin dilemat shkallëve të ftohta të Pirgut.
– Pse do të duhej t`i bindesha hyjnisë së parimit, përderisa kam mbetur nga të paktët në mos i vetmi? Unë nis e sos bukë e kos e Pagëzoni…
– Ah, sikur Sokrati!… Donte të ishte Sokrat, por të mos e pinte kupën e helmit dhe, t`i shijonte lartësitë e mbi turmës e, të shihte, të mrekullohej me ujët e kthyer përpjetë të lekut.
– Njësoj sikurse i pagëzuari yt… Pagë…
– Të rëntë në kokë e të mbuloftë tërë ajo armaturë e fortë e Pirgut tënd! – I mëshoi mynxyrës dytësori.
Moti u ndje i spërkatur në fytyrë nga ujëra të pistë.
Mes lektisjesh, tkurrjesh e fryrjesh hidhte hapat e sprovës Moti. Ai e adhuroi, por pse ta adhuronte më tej modestinë? Ajo i shkelej sikurse bari i qethur pa gardh. Kokë tendosur e, megjithatë tendosjen nuk e nderte me të shara. Nderja i vërtitej brenda kokës. Lapsi dhe goditjet e letrës nuk bënin përshtypje mbi zhguallin e trashur të drejtuesve të materializuar.
Andej e këndej betonit: brishtësia…
Kjo logjikë e shpinte te mençuria e indiferentëve. Dy qasje kishte: ose t`iu vardisej bishtave të klaneve e t`ua tumirte bëmat, dhe, ta përdhoste Pirgun, ose të bënte sehir e të dëgjonte kërcëllitjen e zorrëve hijes së Pirgut.
Tashmë u përvetësua nga prirja ankimore. Mendjes ia hapte kahen e së hirtës mërzia. Nuk ishte vjeshtë e vrerosur, por i dilte dendur shiu nga sytë. I ngjante një qyqari të pa parë pos nga vetmia. Si kishte mundur ky qyqar të ngrehte Pirgun në vlugun e goditjeve të mprehta e të mos binte? Dal nga dal, mjedisi që i pat dhënë guximin, pa pëlqimin e pengjeve e të varrezave, ia mori shkëlqimin me pirgje gradash, titujsh, përgjegjësish për rendin e lakuar nëpër rasat e gramatikës tyre.
– Gramatikë kabineti – i thoshte asaj ai. – Jo gramatikë e jetës.
Në menynë e këtij rendi të lakuar, Moti as lakohej, as drejtohej, as gëlltiste, as përtypej… I shihte si kapërdiheshin dhe gromësinin nënshkruesit e anatemës… Kafshatat e tija të thata e mbërthyen në kaps kronik.
– I dashur Gojart: po munde përpije menynë e kësaj përditshmërie dhe, pastaj merru me ngadalësimin ose përshpejtimin e luhatjes së lavjerrësit të infarktit!
Motit tashti i mbetej Pirgu i errët në hijen e pirgjeve, që gufuan si kërpudhat pas shiut të ngrohtë.
Lirisë iu betonua frymëmarrja e blertë./rajonipress/
*Fitues i çmimit të tretë në konkursin letrar “Flaka e Janarit”, Gjilan 2015
SHIFRA: PIRGU


