Pika kritike

Nga Blerim Shala – Ngjarjet e fundit në relacionet e Kosovës dhe Serbisë, e fuqizojnë bindjen që më kështu nuk mund të vazhdohet, apo që Marrëveshja midis dy shteteve është e domosdoshme. Nuk mbahet në mend që raportet Kosovë – Serbi, kanë qenë më të këqija, që prej se Kosova u bë shtet i pavarur, në shkurtin e vitit 2008-të.

Ndërsa ky konstatim, i cili është i qëndrueshëm (nuk e konteston askush, as këndejpari dhe as në Beograd), vjen në kohën kur ne do të duhej të hynim në tre-katër muajtë final të bisedimeve të Brukselit, me synimin për ta arritur Marrëveshjen gjithpërfshirëse, ligjësisht obligative, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Nuk mund të ketë një shpërputhje më të madhe midis ambicjeve, të shfaqura në Prishtinë dhe në Beograd, për ta bërë një Marrëveshje që kurrë nuk ka qenë, për t’i rregulluar raportet Kosovë – Serbi për herë të parë në mënyrën e duhur (si relacione në mes të dy fqinjëve), dhe zhvillimeve aktuale, të cilat thuaja përditë sjellin goditje dhe kundër-goditje, masa dhe kundër-masa, që bartin në vete mesazhe shumë problematike.

Në rrethanat e tjera, përplasjet e vazhdueshme të javëve të fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të mund të shiheshin si parapërgatitje edhe për një acarim të shkallës së tillë, ku më asgjë nuk mund të përjashtohet.

Megjithatë, dihet roli ndërkombëtarë, politik dhe diplomatik në Prishtinë dhe në Beograd, si dhe ai ushtarak në Kosovë, dhe në kufijtë e Kosovës me Serbinë, prandaj, së paku në këtë aspekt, kundërthëniet e rënda në këto relacione, duket që janë të kufizuara.

Sidoqoftë, për dallim prej rasteve të ngjashme në të kaluarën (e të tilla ka pasë sa të duash, duke vërtetuar kështu tensionet kontinuele në mes të këtyre dy shteteve), kur vlerësimi i përgjithshëm i kryeqendrave perëndimore ka qenë i tillë që mbi të gjitha ka shquar përgjegjësinë e autoriteteve të Serbisë për problemet e shkaktuara në këto raporte, javëve të fundit, në këtë dimension së paku, gjërat kanë ndryshuar. Prishtina zyrtare po shihet, në Washington dhe në Bruksel, si adresa kryesore që ka autorësinë mbi kapitullin e ri të konfrontimeve publike me Beogradin. Kjo është diçka fare e re, e paparë në të kaluarën, gjë që do të duhej të ndikonte që të gjithë ne, në mënyrën më gjakftohtë të mundshme, të analizojmë se ku jemi, çfarë kemi bërë kohëve të fundit, dhe a kemi arritë që të justifikojmë sa dhe si duhet kundër-përgjigjen tonë ndaj një fushate të egër politike dhe propagandistike të instancave më të larta të Serbisë, kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Natyrisht, ne mund t’i flasim njeri-tjetrit sa të duam, dhe me siguri që do t’i gjejmë njëqind arsye që do ta sforconin atë mendimin mbizotërues tek të gjithë ne, që me një atmosferë të kësisojt në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të mbërrihet kursesi tek nënshkrimi i një Marrëveshjeje historike në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Por, nuk ka kurfarë dyshimi që ne duhet urgjentisht t’i mëkëbimin raportet tona me Washingtonin dhe Brukselin, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë në këtë nivelin aktual, sepse ky është kusht pa të cilin nuk bën në synimet tona për ta bërë gjendjen në Kosovë të qëndrueshme, dhe për ta ri-konfirmuar përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së, për Marrëveshjen eventuale me Serbinë.

Nuk mund të bëjmë Marrëveshje me Serbinë nëse nuk e kemi prapa nesh SHBA-në dhe BE-në.

Washingtoni dhe Brukseli, me siguri edhe në këtë situatën më të re, janë të gatshëm të na ndihmojnë për ta tejkaluar këtë acarimin më të ri në raportet me Serbinë.

Në anën tjetër, do të duhej më në fund të liheshin prapa të gjitha ‘qërimet e hesapeve’ në politikën kosovare, kur bëhet fjalë për bisedimet me Serbinë, dhe që më në fund, të krijohet një Delegacion i përbashkët në politikën kosovare, i cili do ta kishte përgjegjësinë për tu përpjekur për ta bërë Marrëveshjen me Serbinë.

Të kuptohemi: Kush nuk mund të jep garanca që kjo Marrëveshje do të bëhet gjithsesi deri në marsin e vitit të ardhshëm. Por, nëse ne do të jemi së bashku, së paku do të evitohet situata kur dështimi eventual (dhe fare lehtë i mundshëm), në këto bisedime, do ta njihte Prishtinën si adresën kryesore të tij.

Krejt kjo çfarë po ndodhë javëve të fundit në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, objektivisht, gjithsesi, pa dashje, vetëm sa e fuqizon bindjen që më kështu nuk mund të vazhdohet në raportet në mes të dy shteteve, apo që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, është e domosdoshme.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).