UBT

Përvjetori i maturës (tregim)

/ 8 minuta lexim

Nga Anton Marku – Ishte dita e parë e muajit të shtatë të vitit me dy dysha dhe dy zero të këtij shekulli. Tridhjetë e një nxënës të dikurshëm të gjimnazit “4 korriku”, ishin mbledhur për të festuar përvjetorin e njëzet të diplomimit. Unë isha njëri prej tyre.

Jeta na kishte shpërndarë në të katër anët e botës. Pas shumë kohësh u takuam prapë në rrjetet sociale, së pari unë dhe Vera, pastaj ajo me Agimin dhe kështu u zgjerua rrethi derisa u gjetën të gjithë për të krijuar grupin virtual ‘‘Gjenerata e artë’’. Nuk vonoi shumë dhe dikush propozoi se do të ishte mirë që, pasi që shkollën e mesme e përfunduam në prag të luftës dhe pa ceremoni festive, këte ta kompenzonim tash. U tha, u bë. Në atë çast më mori lemza për herë të parë.

Atë të shtunë mbrëma salla e marrë me qera ishte zbukuruar me balona dhe lule si rrallë herë. Këshilli organizativ ishte përkujdesur që gjithçka të shkojë sipas planit, si është më së miri. Kualiteti ultra. Edhe çmimet ishin në këtë nivel: Njëqind euro për person. Për hir të korrektësisë duhet thënë se këtë cikrrimë nuk e vuri në gojë askush. Pos xhepit tim, natyrisht.

Pas fjalimeve mirëseardhëse, të cilat, si gjithnjë, ishin të gjata dhe monotone, DJ tullac lëshoi një muzikë me tinguj të baladave të viteve të 90-ta. Unë mora një gotë verë në duar dhe bëra një xhiro duke ua shtrënguar duart të gjithëve me radhë, ashtu siç e do rendi: Së pari damave pastaj të tjerëve.

Në tryezën e tretë Alberti po vazhdonte të jepte përgjigje të reja në pyetjet e vjetra: Kush me kë kishte pasur një aferë, kush kë e kishte lënë dhe kush kë e priste ende. Pasi mori nëpër gojë gjysmën e shkollës dhe çerekun e qytetit, filloi të fliste për veten. Tha:
– Për sa i përket jetës private mund të ju them se kam qenë dy herë i martuar, ndërsa tri herë i ndarë.
– Si është e mundur kjo? – pyeti me habi Laura, e cila dukej si në ditët e saja me të mira kur të gjithë e quanin ‘‘Top-Bomba’’ e klasës 12A.
– Me të dytën jam ndarë dy herë: një herë në ofiçari dhe një herë në gjykatë. Më pëlqim të ndërsjellë, natyrisht. Pas shumë turbulencave në jetë, u takuam prapë dhe që nga atëherë jemi në lidhje, e cila po funksionon më mirë sa sa martesa dikur.

Pranë tij, Denisi fliste për pasionin e jetës së tij. Dhe ai nuk ishin gratë por veturat. Veshi më zuri kalimthi këtë frazë të këtij llomotitësi të pashëruar.
– Çfarë mund të jetë më mirë se një makinë? A mund të ma thotë këtë dikush? – bërtiti ai tashmë gjysmë i dehur.
– Dy të tilla! – u dëgjua një zë nga prapa. Ishte i Viktorit, i cili u afrua dhe më pyeti me dashamirësi:
– Dhe, me se po merresh?
– Jam bërë fjalor në dy këmbë.
– Kjo do të thotë përkthyes, apo?
– Po, mu ashtu, por nga e more vesh?
– Thjeshtë, çdo të pestën fjalë e thua në gjuhën angleze. – qeshi ai para se të cakërronim gotat.

Fundamenti

Kohën më të gjatë e kalova me Edin, shokun e bankës. Kishte ardhur i pakrehur e i parruar dhe dukej i përgjumshëm.
– Si ja kalon mik?
– Po ja, çfarë të të them unë i shkreti! Së fundi isha në burg!
– Në burg, po përse?
– Ja që mora pjesë në një demostratë të motrave të nderit kundër hapjes se një bordeli. Situata eskaloi dhe policia nisi në ta godasë. Pas disa minutave filluan të godisnin edhe ato. Duke i parë këto skena, nuk munda të mbetesha indiferentë …
– Dhe…
– Dhe… nisa të godasë dhe unë. Më arrestuan dhe me mbajtën dy javë në burg. Por, kaloi dhe kjo. Bordeli megjithatë u hap. Sidoqoftë, unë bëra pjesën time si qytetar aktiv i këtij vendi. Tani dëgjoj se zonjushat e këtij lokali kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për peticion me qëllim të mbylljes së manastirit ku janë të vendosura, edhe ashtu të mbyllura, motrat e nderit. Mund ta marrë me mend se mijëra njerëz do ta nënshkruajnë. Si u katandis bota kështu? – pyeti ai dhe pasi pështyu në dysheme vazhdoi, – pas një diagnoze të gabuar u zhgënjeva aq shumë nga jeta saqë shkrova testamentin tim shtatë herë dhe e ndryshova përsëri e përsëri. Deri në këtë kohë. Gjithçka që kam ia lë maces sime. Ashtu si cari gjerman i modës. Po nga ti?
– Shahu është bërë hobi im. Gjashtëdhjetë e katër fusha ku lëvizin tridhjetë e dy figura. Kam kanë marrë pjesë në shumë turne në të gjithë botën. Kjo më mban gjallë. – u përgjjigja ngadalë.
– Luan kundër të tjerëve apo me të tjerët?
– Të dyja, por është edhe argëtim. – ia ktheva.

I gjori Edi: Gjithmonë e kaloi jetën si një mushkonjë e verbër dhe dukej se tani po përpiqej të prekte hijen e tij. Kisha përshtypjen se po kërkonte diçka që do ta ndihmonte të rrihte veten. Për të, çdo ditë, përfshirë edhe ajo e sotmja, ishte dje.

Rreth mesnatës i buzëqesha edhe Elidës. Disi gjithmonë ndieja diçka për të e ndonjëherë e vija edhe në listën ‘‘për t’u pushtuar’’, por më shpesh në listën e ‘‘pritjes’’. Dhe kështu ajo qëndroi jashtë saj.

Atmosfera sa vinte e ndizej. Për një moment të gjitha dritat u fikën, shenjë se ishte koha për vallëzimin e çifteve e unë mezi po prisja ta ftoja dikë për një tango. Ajo ishte futur në një cep të errët. Nuk doja ta lëshoja këtë rast, iu afrova dhe i zgjata dorën me kujdes:
– Do të më japësh kënaqësinë e vallëzimit të parë Suzanë?
Ajo ngriti vetullat, më shikoi butë, bëri një hap përpara dhe tha:
– Me kënaqësi, koleg!
Ndjeva aromën e flokëve të saj sapo mbështeti pak, si padashur, ftyrën në gjoksin tim. Isha i bindur se ora ime kishte ardhur.
– Po nga ti Arian, çfarë kemi? – pyeti ajo.
– Çfarë mund të them: Të jesh i bukur dhe simpatik ka avantazhet dhe disavantazhet e veta.
– Po jeta jote si është?
– E bukur. Edhe më e bukur bëhet kur të shoh ty. – u përgjigja dhe hetova një skuqje në faqet e saj.
– Aha, dhe çfarë bën kur unë nuk jam pranë teje?
– Atëherë mendoj për ty, në të vërtetë këtë e bëj vazhdimisht dhe pandërprerë. – buzëqesha ëmbël, në mënyrën time.
– Nuk je i pari që ma thotë këtë. Por tani situata është krejtësisht ndryshe. Unë kam një bashkëshort.
– Po, kam dëgjuar, por në shtëpi, jo këtu. Sonte je e lirë … dhe unë do të doja shumë … – belbëzova dhe vura re se më ishin djerësitur gishtat.
– Sa shumë?
– Thjesht shumë. Më shumë sesa munde apo desha të më ofrosh atëherë.
– Për çka e ke fjalën?
– … nuk të kujtohet? Tash e njëzet vite më parë, në një ditë prilli, ishim gati të bënim më shumë se diçka bashkë.
– Po më kujtohet, por ja që nuk e bëmë … dhe ku është problemi?
– Problemi është se në atë kohë ajo diçka ishte për mua gjithçka.
– Oh, e kuptoj. Dhe sot? A është sot më ndryshe?
– Po, tani i shikoj gjërat me sy tjetër.
– Me cilat?
– Me të dashurisë.
– Me të vërtetë bukur. Atëherë vetëm shiko, por mos më tundo më, të lutem. – tha ajo dhe u largua. Qetë, ashtu siç kishte ardhur.

Gjunjët gati më lëshuan. Në qiellin tim nuk pashë asnjë yll. Në atë moment më mori lemza për të dytën herë. Në sfond dëgjohej kënga ‘‘Lamtumirë!’’.

Që kur mbaroi ai festim askush nuk e takoi më tjetrin. Të gjithë mbeten miq virtualë. Deri më sot./rajonipress/