Sokol Haliti nderon me mirënjohje Shoqatën Humanitare “Smira” në Zvicër për kontributin e vazhdueshëm ndaj Vitisë
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka ndarë një mirënjohje për Shoqatën Humanitare “Smira” në Zvicër, duke vlerësuar angazhimin e saj të vazhdueshëm humanitar dhe përkushtimin e palëkundur ndaj vendlindjes.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së mirënjohjes, Haliti theksoi se kontributi i kësaj shoqate ka qenë i rëndësishëm në mbështetje të qytetarëve të Vitisë, duke dëshmuar frymën e solidaritetit dhe humanizmit që karakterizon mërgatën shqiptare.
Sipas tij, Shoqata Humanitare “Smira” ka ofruar ndër vite ndihmë të çmuar për komunitetin, duke u bërë një partner i rëndësishëm në nismat që synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet diasporës dhe vendlindjes.
Kryetari Haliti shprehu mirënjohje për të gjithë anëtarët e shoqatës, duke theksuar se angazhimi i tyre vullnetar dhe humanitar është një shembull i solidaritetit dhe përgjegjësisë shoqërore.
“Kontributi i mërgatës sonë mbetet një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e komunës dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Shoqata Humanitare ‘Smira’ ka dëshmuar me vepra se dashuria për vendlindjen shprehet përmes mbështetjes konkrete dhe humanizmit,” u tha gjatë këtij vlerësimi.
Komuna e Vitisë ritheksoi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me shoqatat dhe bashkatdhetarët në diasporë, duke i konsideruar ata partnerë të rëndësishëm në realizimin e projekteve dhe nismave në shërbim të qytetarëve./rajonipress/


