Eko Higjiena

Përurohet vepra poetike “Muza jam unë” e Alketë Spahiut

/ 8 minuta lexim

Gjilan – Në edicionin e katërt të Manifestimit tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit 2013”, që u mbajt sot në Gjilan, është përurua vepra e katërt poetike “Muza jam unë” e autores gjilanase, Alketë Spahiu.

Fillimisht, Xhevat Latifi, poet dhe udhëheqës i orës përuruese të librit, tha se, sot, Alketë Spahiu, poete nga Gjilani, na ka bashkuar, si një, për ta nderuar librin e saj dhe atë. Por, ja ajo në dukje na duket si krejtësisht tjetër, për faktin se, ka diplomuar në një Universitet të Italisë dhe mu atje, në një vend të largët, e shkroi veprën “Muza jam unë”, e unë i them, ajo vetë është muza! Sabit Rrustemi, krijues gjilanas, tha se po e vazhdojmë edicionin e katërt të Ars Clubit “Beqir Musliu” këtu në Gjilan, i cili klub po e tregon dhe dëshmon punën e tij në prezentimn e veprave të autorëve tanë. Së shpejti, ky klub letrar do të vazhdojë rrugëtimin, më 22 nëntor në Kamenicë në përurimin e librit më të ri të Sinan Sadikut “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”. “Kur jemi te Alketë Spahiu, poetja më e re nga Gjilani, e cila, brenda pak kohe arriti ta botojë veprën e katërt të saj me radhë. Ajo është e shkolluar dhe e specializuar si diplomate në Itali, por vargun dhe “muzën” poetike nuk e ndali duke na dhënë vepra të bukura poetike e artistike”.

Ramadan Mehmeti, shkrimtar dhe editor i Shtëpisë Botuese “Rozafa” në Prishtinë, tha se, kur është fjala te poetja Alketë Spahiu, unë do të shtoj për te si krijuese, të cilën do ta krahasoj atë me Solgerin, kur ka thënë “Artisti është një krijesë, fantazia e të cilit është gati identike me fuqinë krijuese të zotit. Prandaj, pikërisht për këtë shkak, vetëm njeriu si artist është figura dhe hija e zotit! Alketë Spahiu është e madhërishme në poezi. Ajo është vetë muza!.” “Alketë Spahiu, që nga vepra e parë për fëmijë “Kur buzëqesh hëna” e gjer te veprat tjera të saj, si janë: “Nënë cytjet e tërbimit”, “Syri qan për syrin”, me bukurinë dhe thellësinë e fjalë artistike, e ka dëshmuar vetën se është mjeshtër i vargut të bukur, edhe me librin e saj më të ri, që doli ditë më parë nga Shtëpia Botuese “Rozafa” “Muza jam unë”.

Kjo poete po na mahnit për botën e saj krijuese, për faktin se, nëpërmjet vargjeve herë-herë edhe dramatike, model i një realiteti të hidhur të një kohe dhe të një drame të rëndë. Mirëpo, edhe këtë shqetësim dhe dramë e bukur, si duket nuk na mungon, sepse autorja e veprës poetike, nëpërmjet legjendave dhe historisë i shpalos kronikat e lashta të Ilirisë dhe shumëçka tjetër. Kjo vepër është e pasur me ngjyrime të shumta e të pasura figurash artistike”.

Ndërsa Arsim Halili, kritik dhe krijues nga Bujanoci, tha se “poetja Alketë Spahiu, natyrisht se paradigma e saj është krejtësisht ndryshe nga ajo që theksuam më parë, sepse ajo artin letrar nuk e kupton dhe nuk e trajton vetëm si shpërthim emocional të çastit, por tenton dhe pretendon që në rrokaqiellin e artit letrar me themele të sigurta, që pastaj të qëndrojë në vertikale i gjithë itenerari i saj krijues. “Një poezi në të cilën protagonistin apo edhe protagonistët e të njëjtës moshë i bën thirrje, jo për të qenë para dilemës, por ajo futet thellë në psikologjinë e atyre që braktisin adoleshencën dhe futen në margjinat e përgjegjësive, jo vetëm individuale, por edhe kolektive për ta konstruktuar jetën dhe personalitetin e tyre, ndryshe nga dje, me që, me aventurat lozonjare të tyre edhe falen me të bëmat e pamenduara, por jo në vazhdimësi. Ajo dëshiron të notojë në ujërat, jo pse nuk e kupton se ato dallgë edhe mund t’ia ndalin hapin, por nga droja e lozheve të rremë, nga kurthet mistike prapa shpinës, nga mungesë e ankorimit dhe drejtimit të velave kah ardhmja e duhur, të gjitha këto ide të vargut fisnik, mundohet t’i balancojë me syrin e saj vrojtues, ashtu siç e ndjen muza e saj, thjesht e konsoliduar, pa ngarkesa sindromatike të vargut, ajo kërkon margaritarët nga e magjishmja muzë, jo në mënyrë sipërfaqësore, vetëm sa për të thënë diçka, por ka thënë shumëçka në fulditetin e saj krijues poetik”.

Ai duke folur për vlerën e poezisë së Alketë Spahiut, tha edhe këtë se “ poezia e Alketës nuk vuan nga deklarativizmat, ajo mund të lexohet dhe interpretohet, në disa sinteza, për të cilat dosido duhet një lexim aktiv, ndryshe nga ajo çfarë thuhet në varg e çfarë thuhet në opinion”.

Uji Dea

Po ashtu, Nexhat Rexha, kritik dhe krijues nga Dardana, tha se “Alketa vargun e saj e ka brumosur me ide dhe protagonistë të ndryshëm nga bota mitologjike greke dhe ajo i sinjalizon lidhjet shekullore, të cilat në një mënyrë a formë tjetër kanë krijuar parafytyrimin e të ndodhurave gjatë shekujve. “Mirëpo, krejt kjo ndërlidhje karakterizohet me përjetimet e përditshmërisë së saj. Ajo bartë prej një metropoli në tjetrin dhe të afron dashurinë, të jepë aromën e vendlindjes në poetimin poetik. Në këto skalitje personazhesh e vendesh, rrjedha e tyre tejkalon vendnumërimin e sundimit të robërisë sonë”.

Duke folur për veprën “Muza jam unë” , N. Rexha tha se, në vëllimin poetik, të cekur, autorja ka proceduar me tematikën e pa përkufizuar, sepse proceset e këtyre zhvillimeve shoqërore kanë ndikuar, që njohja me ngjarjet dhe kulturat e përbotshme të ndikojnë në hapjen e zemrës së saj si poete dhe si mospajtuese e ngjarjeve të ndodhura për të kaluarën e vendit të saj”.

Kritiku, N. Rexha u ndalë edhe të vlerat tjera të kësaj vepre poetike ku, pos tjerash tha se, “Vëllimi poetik “Muza jam unë”, në tërësinë e saj ka shtrirje të gjerë gjeografike me zgjedhje të preferuar si dhe me figuracionin që krijon përmes këtyre qyteteve botërore, ajo sikur reflekson e kërkon bashkëveprim e koordinim për qytetërimin tonë. Po kështu, figurat e dalluara nga jeta artistike e përbotshme i specifikon jo për njohje, por për të shfaqur praninë e tyre në jetën e kulturës sonë. Me këto karakteristika dalluese, vepra poetike “Muza jam unë” e Alketë Spahiut kërkon një lexim të vëmendshëm, si në parashtrimin e problematikës dhe mesazhit që ajo ia dedikon lexuesit në përgjithësi. Me fjalë të tjera, vepra e Alketë Spahiut është një e arritur e madhe e vlerave artistike dhe estetike tek ne. Uroj të ketë suksese të reja poetja gjilanase, Alketë Spahiu!”. E, Linditë Ramushi, poete dhe sociologe tha se, këtu në poezinë e Alketë Spahiut ka gërshetim vlerash poetike, të cilat janë për ti çmuar dhe adhuruar, për faktin se, pak krijuese, si Alketë Spahiu bëjnë mrekullira të rralla në fushën e artit letrar. Kjo flet për të bukurën dhe ajo nuk mungon. Nuk mungon edhe në veprën e saj që sot po flasim me ëndje e me pietet për krijimet e saja të rralla poetike.

Ndërsa, Kaltrinë Bislimi, një shoqe e ngushtë e Alketës nga Ferizaj tha se, kjo është hera e parë që gjendem në një manifestim kulturor në Gjilan. “Pse jo” Erdha për shoqen time Alketën, e cila më është shoqja më e ngushtë e studimeve në Itali. Dhe, këto poezi ajo i ka shkruar atje, në Itali, të cilat, herë pas herë ia kam lexuar. Më duken se janë margaritarët të rrallë të jetës poetike. “E ndej vetën shumë të kënaqur që mu dha rasti të jem në mesin e krijuesve të këtij qyteti, të cilët po e nderojnë shoqen time, Alketën, por po e nderojnë edhe veprën e saj”.

E autorja e librit, Alketë Spahiu tha në fund se, prania e juaj, mua më nxit dhe më jep kurajo jo vetëm për jetë, por edhe për vepra të tjera letrare. “Nuk më është lehtë të flas para jush, të cilët më jeni përkrahësit më të mirë të veprës sime. Ju më dhatë edhe më shenja për të bërë vargje të forta se muzat e mia”.

Në këtë manifestim morën pjesë Lirije Kajtazi, Demush Mehmeti, Rrahim Sadiku, Sinan Sadiku, Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Jusuf Bislimi, Hysen Këqiku, Linditë Ramushi, Xhevat Latifi, Nebih Bunjaku, Xhemajludin Mjeku, Alketë Spahiu, Ramadan Mehmeti, Kaltrinë Bislimi nga Ferizaj etj. /Tefik Selimi/rajonipress/