ARKATANA

Përsiatje rreth Ciklit të poezive të Edona Halitit

/ 18 minuta lexim
ARKATANA

Nga Hasan Bunjaku – “Me ndjenjën e mëkatit të pathënë”, publikuar në revistën letrare – kulturore ( virtuale), AGMIA.

Poetja e re, Edona Haliti, që në Përmbledhjen e parë “Buzëqeshi dritës” (2013), e veçmas Përmbledhjes së Dytë të saj – “Merrmë me nisjen”, tashmë dëshmoi se kemi të bëjmë me një talente të lindur në lëmin e lirikës poetike, të mbëltuar edhe me një imagjinatë kaq të bujshme, vokacion estetik kaq të thellë dhe preokupime tematike e motivime fare të ndjeshme të moshës së saj akoma njomake, me një gamë të gjerë nocionesh ideo-artistike, që tash me një ngulmë të pashoq dhe me një poetikë kaq të thellë, jep të kuptohet se ia ka dalë të arrijë në radhën e letrarëve tashmë me një bagazh shumë më të gjatë edhe përvojash jetësore, e edhe të të vargëruarit poetik, e veçmas atyre të sojit të saj, femrave krijuese, pra, e të cilat, një kohë të gjatë, për shkak të paragjykimeve dhe mentaliteteve prapanike e orientale, e kishin si tabu të pashkruar, por të nënkuptuar kaq lehtë, të shkruanin për preokupimet e tyre mbase edhe ekzistencialiste: mallin për dashurinë e pajetuar, apo të papërjetuar, për të gjitha nuancat e saja përnxitëse e ngashënjyese, ndërkaq që, me një sukses fare të përgjysmuar krijuesit e gjinisë më të “fortë” përpiqeshin që t’i shtjellonin këto tematika, paçka se nuk e njihnin në fakt shpirtin e femrës.

Pikërisht, Edona Haliti, tashmë pa kurrfarë prangosje të ndjesive, krahas nja dy-tri krijueseve të tjera tonat, i then të gjitha pengesat e paragjykimet që mbretëronin tash e sa kohë shkruhet poezia edhe ndër ne shqiptarët e edhe nga ato pak femra krijuese, sepse, kjo krijuese, tashmë i shpërfaq të gjitha ndjenjat, qofshin ato edhe më ezoterike haptazi, pa hezituar fare, duke e bërë tashë credon e saj krijuese dashurinë si lajtmotiv thuaja ekskluziv në krijimtarinë e saj tashmë të begatshme, siç veproi, zatën, edhe në dy përmbledhjet e para, edhe në këtë cikël prej shtatë poezishë, postuar kohë më parë në këtë rrjet social, nën titullin e përbashkët “Me ndjenjën e mëkatit të pathënë”, me poezitë: “Ta vrasësh çdo muzg”, “Larg vjeshtave tua”, “Mos më duaj më pak se dje”, “Për marshin e netëve që nisen kah ti”, “Kur një epsh shiu do më puth flokët”, “Dallimi mes meje e teje”, dhe, “Përtej çdo ëndrre”, të cilat, secila veç e veç, por edhe si tërësi e numrit maxhik SHTATË, e plasojnë do të thoja, tërë vlimin në shpirtin e saj, qoftë imagjinativ, qoftë edhe konkret, për një dashuri të virgjër, të pastër, të dlirë, thuaja platonike, me vargje që dalin nga palca e shpirtit të një të reje, për kategorinë më të rëndësishme, jo vetëm të moshës dhe jetës së saj, dashurinë, e cila të bën të jetosh, por edhe të vdesësh, po qe nevoja për një ndjesi, e cila vetëm mund të përjetohet, por jo edhe deri në fund as të rrëfehet as të shkruhet me tamam, sepse nuk ka fjalë që e përshkruajnë, lumturinë, e vuajtjet, kënaqësitë e mallin kur nuk e ke më të dashurin në çdo sekondë, në çdo frymëmarrje, në çdo rrahje e tik-take të zemrës, gjë kjo, që në kushtet në të cilat jetojmë, thuaja të paktë janë çiftet që gjatë tërë kohës janë bashkë, sepse, dinamika e jetës, i shtynë njerëzit të jenë larg njëri tjetrit, për një kohë fare të shkurtër, apo diç më të gjatë, sepse, fundja njësoj është, mungesa e partnerit, zatën, nuk matet as me minuta, as me miligramë, as me milimetra…

Me një morfologji e sintaksë, do të thoja paksa specifike, veçanti kjo e Edonës, me rasat inverse të emrave, dhe mënyrat e foljeve, veçmas dativi, rrjedhori e lokativi; pjesorja e lidhorja, të përdorura, pakashumë si në stilin e bardëve të letërsisë klasike antike, me një leksik kaq të begatshëm, gjë kjo që dëshmon për nivelin intelektual të autores, e cila, pos që shkruan shumë, kaq e kushedisafish më tepër i lexon edhe literaturat e krijimtarinë e të tjerëve, por, do të thoja, çuditërisht, pa u ndikuar nga askush, krijon një stil të vetin fare origjinal:
“… Pres dritares që hapet veç netëve
Të vrasësh çdo muzg që bie syve tanë
Puthjes së lagur ngjizur për buzët e hënës
T’ia lësh në duar pritjen
Të përpëlitesh mes kamxhikëve të zjarrtë
Detit tim…”
… në të cilat vargje, vërehet një lloj inversioni sintaksor i të shprehurit poetik, që këtë e bën si është më së miri autorja, njësoj sikundër edhe në vargjet:
“…Të më prekësh me përcëllima që ndizen
Poreve të lëkurës sime
Dua…”
… me ç’rast, cilido poet tjetër, do e thonte, pakashumë me një të shprehur sintaksor fare tjetër, si në rastin kur rasa gjinore, konvertohet me atë emrore, në vargjet:
“… S’dua të bëhem dashnore dimri
As ty s’të lë në duar të vjeshtës
Ta dish…”,
… sepse: “…Ne njësoj duhemi…”.
Në këtë cikël prej shtatë poezishë, Edona, edhe mëtej e thellon indin e saj të lindur poetik, me vargje kaq të fuqishme, siç shkruanin, zatën kolegët e saja, në do kohë të vështira, me figuracione stilistike, si metafora, simboli, versifikacioni, parabola, inversioni, eksklamacioni e të ngjashme, si në vargjet:
“… Sonte vrite heshtjen
I dashur
Që ta bekoj edhe pritjen për ty…”, ose:
“…Me pritje po kurorëzohet ëndrra
Hëna përpiu veten…”, apo: “…Mureve shenjtët flasin përmes figurave…”, gjegjësisht, vargu: “…Stinës së dikuj borxh ia ke…”.
Autorja, të habit me figuracionin poetik, të gjetur mirë, me metafora kaq të qëlluara:
“…Premtimet tua i lexoj të shkruara
Brenda sirtarit që më rrah në krahëror
Ende…”, për të vazhduar, aty më poshtë apo diku në tjetër poezi:
“… Për të shqiptuar lutjen që kurrë s’e bëra…”, sepse:
“…Nga sonte vetëm heshtja është e jona…”, dhe: “…Kur të jetë përpirë gjithçka pos kujtimeve/ Do ta ndezim nga një qiri…”.

Krijuesja, në këtë cikël, është përplot pritje, heshtje, kujtime, dimra, dhe sidomos vjeshta, si stinë kur thuaja vdes çdogjë, pra edhe dashuria, e dimri që të futë datën e acartë në shpirtin përvëlues… Edhe disa momente si lecka të mbetura nga një dashuri, më parë e paqenë, se e përjetuar, më parë e gjakuar se sa e sendërtuar, në fakt na bindin se autorja nuk e merrë dashurinë si një veprim domosdo erotik, apo përjetim ezoterik, por thjesht si një inspirim, madje do të thoja kaq imagjinativ, se sa konkret, me një të dashur të ëndërruar, që do duhej të ishte në jetën e saj por që nuk është, megjithatë; andaj edhe titulli i ciklit “Me ndjenjën e mëkatit të pathënë”, mbase më parë do i përshtatej titulli “Me ndjenjën e mëkatit të pabërë”, mbase të ëndërruar, por të parealizuar, por, të paramenduar se si do mund të ishte apo ndodhte në realitet… Dashuria e parealizuar, e gjymtuar me mungesën e përhershme të të dashurit, si kreacion imagjinativ, për frikën se një ditë do t’i ik, se do ta lë në kujtimet dhe copëzat dhe ciflat e ngelura nga ndonjë përjetim i rrallë dashuror; droja për vetën sa edhe për të adhuruarin, apo preferuarin e saj, për Princin që ishte apo do të shfaqet domosdo një ditë, për frikën së nuk do të jetë e dashur si më parë, me ç’rast, nuk kërkon që të jetë e dashur më shumë, por jo edhe më pak se dje, me një ndjenjë të pasigurisë në partnerin, i cili këtu në imagjinatën krijuese të Edonës, na del si sipëror, paksa prepotent e mbase edhe ngapak edhe narcisoid e egocentrik, por asessi – ekscentrik, gjëra këto, të cila, për moshën tashmë madhore që ka, edhe do ishte normale të ndodhnin, siç u ndodhin zatën të gjitha moshatareve të saja, por, i dashuri i saj, patjetër duhet të jetë specifik, i veçantë, për aq sa është e veçantë edhe zemra e zhuritur e saj, karshi një ferplay që e dëshiron në këto marrëdhënie kaq subtile e sublime, kaq ndjesore e pokaq stresuese e brengosëse, për ditën dhe natën e ardhshme, sepse, ajo fare mirë e di se jeta nuk është një shteg i shtruar shtruar me dafine, por ka madje shumë më tepër gjemba që e përcëllojnë shpirtin e saj aq të sinqertë, aq skofiar, andaj, edhe dashurinë nuk e merrë si një lojë ku shfryhen epshet aty për aty dhe mëpastaj, u bë ç’u bë, por, më parë si një postukat të lartë përjetimi sa më fisnik, me sa më pak andralla e kravata, ndonëse, si ndjesi kaq sublime, ajo jogjithëherë është ideale, por me një sërë hallesh të qena e të paqena, shpifëse e ziliqare, smirëzeza e ogurkëqija, të liga e perfide, të cilave, autorja përpiqet t’jua ve një digë, një pendë të lartë, pëtej së cilës nuk do mund të depërtonin këto ligësi të krijuara nga vetë njeriu, kundër njeriut, pra kundër vetvetes. Ja, këto janë preokupimet estetike mbi të cilat, si mbi një bazament, si një pult dhe themel të fuqishëm, e mbindërton vokacionin letrar kjo krijuese, e cila, që sot, rradhitet ndër më të fuqishmet e më origjinalet e letërsisë sonë të pasluftës, së viteve 1999, dhe të këtij fillimshekulli, në të cilin, poezia, si krijimtari kaq e ndjeshme letrare, thuaja është në zhdukje e sipër, sepse motivet të cilat i shtyejnë autorët të mirren me to, thuaja janë shterrur, para teknologjisë së re industriale por edhe mediatike dhe asosh shpirtërore, sepse tashmë është një kohë e dominimit të materiales së thatë kundrejt shpirtërores humane e ezoterike; në Europën e “civilizuar”, madje muza Eutherpa, ajo e poezisë, pra, tashmë, thuaja është në grahmat e fundit, e poezia e mirëfilltë dhe kjo muzë, tashmë është akoma gjallë, madje do thoja, në kulmin e saj në shtetet e Ballkanit, e veçmas tek ne shqiptarët, të cilëve, për arsyera tashmë të njohura, akoma nuk na ka kapërthyer virusi i biznesit, sepse shumica dërmuese, mezi mbijeton, gjë kjo e cila e determinon edhe të të shkruarit të këtij lloji më të vështirin letrar, por edhe motivimet, inspirimet dhe frymëzimet, janë të bollshme…

Sido që të jetë, poetja Edona Haliti, edhe me këtë Cikël të ri poetik prej këtyre shtatë krijimeve, dëshmon një gradacion në ngritje, një termometër me “zhivë” që është në rrugë të arritjeve të “temperaturave” më të larta të mundshme të “zjarrmisë” krijuese të saj; që çdo poezi e re, dita më ditë, është edhe më e qëndrueshme estetikisht, që kemi të bëjmë me një letrare të lindur e që, po vazhdoi kështu, e nuk e shoh përse nuk do të vazhdonte, të kultivojë këtë zhanër krijues, do ia arrij edhe vetë kulmit të Olimpit e Panteonit të letërsisë mbarëkombëtare, dhe jo vetëm të saj, për çka e përgëzojmë dhe e inkurajojmë në këtë drejtim…

Edonë HALITI

ME NDJENJËN E FAJIT TË PATHËNË

( cikël poezish të shkruara ndërkohë)

TA VRASËSH ÇDO MUZG

Pres dritares që hapet veç netëve
ta vrasesh çdo muzg që bie syve tanë
si Don Kishoti i Mançës
puthjes së lagur ngjizur për buzët e hënës
t’ia lësh në duar pritjen
e të vish përmes rrugës që nuk shihet
të përplitesh mes kamxhikve të zjarrtë,
detit tim ..

Të më prekesh me përcëllima që ndizen
poreve të lëkurës sime dua
ashtu si thëllënzë
mbrëmjeve të puthura
të etura për një qenie nga koha

Vetëm erës së heshtjes mos i fryej kurrë

Thonë ta kenë dëgjuar vajin e Ajkunes
mbi një stinë para nesh që mveshej me ikje

Po ti e dëgjove?

S’dua të bëhemi dashnore dimri
as ty s’të lë në duar të vjeshtës
ta dish

Shuma e gjithë matricave të stinëve të përbihet dua
se ne puthim njësoj puhizat që derdhin mall
ne njësoj duhemi ….

Sonte, vrite heshtjen,
i dashur që ta bekoj dhe pritjen për ty !

LARG VJESHTAVE TUA

Në altarin e stinës së fundit
me pritje po kurorëzohet ëndrra
hëna e përpiu veten
sonte kambana u ngjiz gjetheve të çastit
para këmbësh i gjuajti unazat
Në dyert e foltorës Ty do të mbetet e çarë këmisha
sa për të ta kujtuar …
se stinës së dikujt diellin borxh ja ke !

Si dëshmitarë para shenjtorësh
do të heshtësh ndoshta
mureve shenjtët flasin përmes figurave
me patkonjë të bardhë dëshirat na veshen
neve që kurrë s’u rrëfyem në dhomën e mëkateve

I dashur, ti nuk e di se unë ende flas me yjet
njësoj si netëve bashkë dikur
premtimet e tua i lexoj të shkruara
brenda sirtarit që më rrah në krahëror
ende.. më shumë se çdo alarm qielli
zëri yt më thërret për ta shqiptuar lutjen
që kurr nuk e bëra…

Në Biblën e zemrave do të këndojnë elegjitë
me ndjenjat që i përpimë zjarri nuk na falë
hiri i mbetur nëpër dej do të flas
stinët do të rrëfehen të zhveshura
nga sonte vetëm heshtja është e jona

Kur të jetë përpirë gjithçka pos kujtimeve
do ta ndezim nga një qiri .. natën vonë
Bajramëve të të tjerëve do t’ua falim mëkatet e mëngjesit
Krishtëlindjeve tona vetëm heshtjen
si më të shejtin ndëshkim
se mbrëmjet s’ na duan më
do na gërryejnë lumenjëve të harrimit
kahjen do ta humbim ….

Eh unë dua larg vjeshtave të tua
veç njëherë të nisem
për herë të fundit !

MOS MË DUAJ MË PAK SE DJE

Sot, fytyrës sime
zbehja e mëkateve u foli
syve tu e gjithë stina e pritjeve ra

Ushqyer me vite nga gjiri i vjeshtës
heshta

Buzët tua u mbuluan me çarçafin e mengjesit

Me fuqinë e zemrës i rashë mallit
aq sa munda
ti nuk më dëgjove…

Mbrëmë takova ëndrrat e tua
me to fjeta
fshehtësive e gjithë pranvera e sjellur mbeti

Sytë e tu me vargje te reja u mbuluan

Në dritën e hënës i shikova një çast
për aq sa çastin e kishim ende ne

Një ditë kur tingujt e kohës do më dënojnë
qiejve do të luhatem në shi
si bija e vjeshtës së ve…

Fundamenti

Mëngjesi ende bie mbi qepallen time
qëkur muzgu bie mbi qiellin e zhveshur
netëve….

Ëndrrave tona me qindra ëndrra dalin sheshit
galaktikat që fshehim
gjithë yjësinë tjetër shkrijnë

Unë të njoh ty si frikën time
të kuqrremtat gjethe ndjenjës sate dalloj

Eh sot dua veç të lutem
mos më duaj më pak se dje …

Bijë e vjeshtës sate jam

PËR MARSHIN E NETËVE QË NISEN KAH TI

Dashurisë sime
i është terur mishi në dërrasa prej ahu
skaj buzëve lëmon dhëmbët
nën hi të murmë shkronjash
piedestale pritjesh i ngriten

Ti nuk e di ende se sa bukur vishem
për marshin e netëve që nisen kah ti
ndjenja ime i vë buzëkuqin e preferuar vetës
ritualit të mërzitshëm të pritjes
rrezitet asgjësë së radhës

Dashuria ime ka ngelur vetëm në kocka
me krahër i ndaj fije për fije në prushin e mallit
duke pritur një dorë si e jotja
Eja sonte
që t’i shohësh muskujt nën gjethet e kujtimeve
shkapërderdhur shtratit të mbrëmjes
a muzgut tonë të mëngjesit

Rrugëve kah do shkelësh
pinguinët dasmë do bëjnë
ti mos humb kohë
gjoksin ma mbërtheu të ftohtit

I dashur
shihe aortën e dashurisë sime
me fije prej kashte
e fjalë femre të bukur si vjeshta

Gjeje buzën ku bebëzat thithin sytë e tu
si dymbedhjetë puset ku stinët tona pijnë ujë
netëve qëndisur me pajë lotësh

Ti nuk e di se dashuria ime mban syze
në shkrepje imazhesh të shfaqura
reflektojnë vetëm shkëlqime të heshtjes sate

Dashurisë sime i është terur mishi në zjarre pritjesh
skaj pragut ku e kemi lënë jashtë veten
pikoknë çaste që pjellin vetëm pritje akrepash
e ngjizin vetmi

Po u shfaqe
ajo do të ringjallet më e bukur se çdo Aferditë
që ke takuar

Eja
jepma një frymë
dhe bëji mëkatet ta fshehin veten
se ato s’do lahen ndryshe pos me dashuri

KUR NJË EPSH SHIU DO MË PUTH FLOKËT

Kam frikë se ti do të largohesh
kush e di në ndonjë nga netët e dhjetorit
kur buzë dëbore t’na kenë puthur këmbët
a do të kesh të ftohët tek unë
s’do më ndjesh
me hënën do të ikësh e do ma shkruash urimin e fundit
” e dashur, mirëmbetsh”

Kam frikë se do të largohesh
kur një epsh shiu do më puth flokët
s’do të hapet ombrella e zemrës sate prej dielli

Retë
syve tu do të ma shfaqin mjegullën
dhe perëndimin e atij shikimi
agut tënd do ta ndjej

Kam frikë se do të largohesh
duke marrë prej meje veç një copë letre
ëndërrat heshtas do m’i kthesh

Kur nata të më thotë mirëmëngjes
dhe hije të bardha kujtimesh të më shoqërojnë
do jem duke kërkuar ndonjë nga gjërat që më ke lënë
si këmishen me xhepat plot fjalë tona
kutinë e mëkateve
poezitë që t’i lexoja
apo një ndjenjë të varur nga pluhuri i fajit të pathënë

Mbi çdo mendim që fle në jastëkun e ftohtë
unë e bekoj dhe heshtjen me ty
vetëm se kam frikë
do të largohesh dhe nga aty

DALLIMI MES MEJE E TEJE

I dashur,
të ka rënë të rrish strukur pas perdesh zemre,
të vështrosh qiellin e zbarzur
pa yje pa vetëtima pa hënën dhe pa ne?

Mua, po

I dashur
ke provuar ta pish gotave të thyera ëndrrën
trishtimet t’i shpalosësh për t’i veshur para çdo nate
si pizhamet e preferuara mëngjesit të vonë
dhe t’i qeshësh sa herë shtratit kur nuk të gëzon ?

Të ëndërrosh syhapur agimin që puth stinët
vetminë që fle ndjeshëm gjirit,
ta ndjesh të është dashur?

Dhe njëmijë netë ta pish të nejtën pritje
çastin e ngecur në një orë prishur mureve
kujtimin se si ngjizet qepallave
e gjumin ta trembësh
të është dashur

Mua, çdo natë

PËRTEJ ÇDO ËNDRRE

Për dallim nga netët e tjera
sonte deshta të të ëndërroj veç për vete
të të mos ndaj as me demon dhe as me engjuj

Me duar vjeshte zhvesha mallin e kuq
që të më shohësh horizontit duke fjetur si hyjni
për dallim prej dëshirave të tjera
desha të bëhem qepalla e syve tu
e dehur të fle mbi ty
je i vetmi që më bart eterit të kohës
që nuk njeh kufi
Tani,
do të doja të isha shëndrruar në grimcë oksigjeni
të prek të pa’arritshmet në fruktozat e mendjes
si ameba të fshihem në çdo ndjenjë
të pi pak verë dejve tu
sa t’ia shuaj etjen e ëndrrës
si perandore çastin ta kap në duar
t’ia mbyll sytë që të mos na shohë
se si na dridhen përmallshëm gjunjët

Do të të kisha dashur
ashtu siç di të dua unë
në çdo mëkat që e përbinë për mua,
në çdo gjemb që shkel reve për një pikë shi
me patkonjët që i vesh ëndrrat
që derdhen si grimca hapsirës sate
mbi çarçafin e natës së fundit të beçarisë
të pres e buzëqeshur me vellon e një dasme të dytë
pas një nate ku hije krushqish më sollën tek ti,
përtej çdo ëndrre
që fshihet thellë nën duvakun e një dimri të ri./rajonipress/