Uji Dea

Poetja që shëron plagën e kurbetit me fjalë, Nazmije Hasani rrëfehet përmes trajtës lirike dhe realitetit të imagjinatës

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Poezia e Nazmije Hasanit nuk është vetëm art letrar, ajo është një akt kujtese, një gjuhë e ndjenjës kolektive dhe një përpjekje për të shëruar plagët e pashëruara të kurbetit. Në librin e saj poetik “Vallja e Ringjalljes”, autorja shfaqet si një zë i pjekur, i ndjeshëm dhe estetikisht i konsoliduar, që e shndërron përvojën personale dhe dhimbjen shoqërore në varg të komunikueshëm dhe emocionalisht të fuqishëm.

Kurbeti si plagë poetike

Sipas kritikut dhe redaktorit të librit, Sherafedin Kadriu, motivi i kurbetit është boshti tematik që u prin dhjetë cikleve poetike të Nazmije Hasanit.

Ai e përkufizon këtë motiv si një plagë që “as nuk shërohet, as nuk përthahet, por vazhdon të rëndojë në ndërgjegjen kolektive”. Kjo plagë, e trajtuar përmes trajtës lirike, merr formë universale dhe shndërrohet në përvojë të lexuesit.

Poezitë vijnë me tematikë të larmishme, por me një semantikë të strukturuar artistikisht, ku ritmi poetik përshpejtohet falë strofëzimit dhe ndërtimit të brendshëm melodik të vargut.

E vërteta e ëndrrës dhe fuqia e imagjinatës

Sherafedin Kadriu vë në pah se poetja nuk synon ta ngarkojë poezinë me intelektualizëm të tepruar, sepse asaj i intereson dukuria dhe ndjesia. Duke iu referuar konceptit të Jorge Luis Borges-it, ai thekson se lexuesi nuk ka nevojë për “të vërtetën e fakteve”, por për të vërtetën e ëndrrës, për realitetin e imagjinatës.

Në këtë realitet poetik, imagjinata e Nazmije Hasanit shfaqet si hapësirë krijuese e pavarur, e ndikuar nga motive të brendshme dhe të jashtme, ku ndjesia derdhet natyrshëm në varg dhe shkrihet me një fjalor të pasur, figurativ dhe komunikues.

Poezi multidimensionale dhe ndjenjë njerëzore

Mobi Casa

Kritika letrare e sheh poezinë e Hasanit si multidimensionale, sepse ajo trajton njëkohësisht të drejtën njerëzore, jetën personale dhe përditshmërinë shoqërore. Në këto poezi bashkëjetojnë gëzimi dhe dhimbja, hareja dhe mallëngjimi, shpresa dhe nostalgjia – duke e bërë librin një mozaik emocionesh njerëzore.

Recensenti Hysen Këqiku vlerëson se poezitë e Nazmije Hasanit janë njëkohësisht personale dhe impersonale: ato burojnë nga përjetimi individual, por përfaqësojnë dhimbjen dhe përvojën e të tjerëve.

Ai thekson mjeshtërinë e autores në ndërtimin estetik të vargut, harmoninë e shprehjeve, gjuhën e pasur poetike dhe narracionin që mbështetet në figura e gjetje imagjinative.

Poezia si përvojë jetësore

Studiuesi Arsim Halili, duke iu referuar edhe vlerësimit të poetit Nexhat Rexha, thekson se Nazmije Hasani arrin të unifikojë artin poetik me përvojën jetësore. Poezitë e saj kanë shtrirje funksionale në kohë dhe hapësirë, duke reflektuar motive të përditshmërisë dhe të ekzistencës njerëzore.

Një zë i vonshëm, por i pjekur

Vetë autorja e librit, Nazmije Xhaferi – Hasani, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, shprehet se periudha e pensionimit ka qenë momenti kur idetë e saj të hershme morën formë poetike. Ajo falënderon miqtë, redaktorët dhe recensentët që e kanë përkrahur në këtë rrugëtim, si dhe institucionet, familjen dhe lexuesit që janë bërë pjesë e jetës së librit.

Në fund, “Vallja e Ringjalljes” shfaqet si një dëshmi se poezia nuk njeh moshë, por vetëm ndjenjë, përvojë dhe guxim për të folur me gjuhën e shpirtit./rajonipress/