Përparësitë dhe sfidat e gazetarisë online, pjesëmarrës studentët e UBT-së
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës për tri ditë me radhë, nga 19 deri 21 maj, organizoi shkollën tradicionale të etikës së gazetarisë për studentët e gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, Kolegjit AAB dhe UBT.
Në temën “Çka e dallon lajmin, opinionin dhe komentin” ligjëroi Ibrahim Berisha, profesor i sociologjisë dhe i komunikimit në AAB. Ai me shembuj konkretë tregoi se si lajmi kërkon vetëm fakte, ndërsa opinioni dhe komenti kërkojnë më shumë të dhëna e argumente pa përjashtuar edhe pikëpamjet subjektive të autorit. Por të gjitha këto lloje të informimit nuk durojnë burimin anonim si bazë të shkrimit. Sipas Berishës, ka kaluar koha e lajmit “letrar”, pra përzierjes së gazetarisë me letërsinë.
Besa Luci, kryeredaktore e revistës Kosovo 2.0. dhe anëtare e bordit të KMSHK-së, shtjelloi dallimet midis gazetarisë tradicionale dhe asaj multimediale. Sot në botë janë të hapura mbi njëqind milionë blogje, portale dhe rrjete sociale të cilat po e mundin gazetarinë tradicionale si në aspektin e shpejtësisë ashtu edhe në aspektin e shtrirjes së gjerë.
Ajo bashkëbisedoi me studentët e gazetarisë rreth etikës së gazetarisë online dhe rreth problemeve që paraqiten te komentet e lexuesve, ku pos të mirave ka edhe shumë gjëra të papranueshme. Por Gjykata e Strasburgut është duke vendosur rregulla edhe për këtë rrafsh, duke përcaktuar kështu përgjegjësinë e blogjeve, portaleve dhe rrjeteve sociale lidhur me gjuhën e urrejtjes.
Leonard Kerquki, kryeredaktor i portalit Gazeta Express dhe anëtar i bordit të KMShK-së, u ligjëroi studentëve të gazetarisë mbi etikën në mediat online dhe zhvillimin e portaleve në Kosovë. Shpejtësia e plasimit të lajmit, mundësia e menjëhershme për të plotësuar, korrigjuar apo hequr lajmin e pambështetur janë arsyet kryesore pse gazetaria online po përhapet kudo me shpejtësi marramendëse. Ky ndikim vërehet edhe në shtimin e numrit të reklamave dhe të botimeve tjera komerciale në portale gjë që mundëson pavarësinë e politikës së tyre redaktoriale. Gazeta Express ka hequr komentet e lexuesve, por numri i klikimeve është shumëfishuar, sepse siç tha Kerquki, Gazeta Express është koncentruar të botojë lajme interesante dhe të dobishme për lexuesin.
Studentët e gazetarisë gjatë një bashkëbisedimi me Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, patën rastin të dëgjojnë nga ky diplomat me karrierë të gjatë në shumë vende të botës se çka i bashkon dhe çka i ndan gazetarët dhe diplomatët gjatë profesionit të tyre. Sipas ambasadorit norvegjez në Kosovë, gazetarët dhe diplomatët lajmin e kanë “kerozinë”. Diplomatët marrin lajme nga të gjitha mediat por ata në punën e tyre patjetër duhet t’i kontaktojnë burimet që përmenden në lajm dhe burimet e tjera për të vërtetuar besueshmërinë e atij lajmi. Burimet e tyre i mbrojnë si gazetarët ashtu edhe diplomatët, ndërsa në punën tonë hasim në jo pak raste kur njerëzit dëshirojnë t’i manipulojnë diplomatët me informata selektive. Vite më parë shumë media botërore kishin korrespodentë të përhershëm në botë, të cilët duke qëndruar një kohë të gjatë atje e njihnin mirë atë vend të botës. Tani për arsye kursimi ka më pak korrespodentë të specializuar. Sot, gazetaria online po dominon dhe në të më pak vërehet dora e redaktorit, pasi sot shpejtësia ka prioritet në gazetari, dhe e njëjta gjë ndodh edhe në diplomaci. Sa më shumë që diplomatët qëndrojnë në një regjion, aq më shumë e njohin atë vend dhe mund të veprojnë me sukses. “Ju gazetarët punoni për publikun, ndërsa unë si diplomat punoj për shtetin tim” tha ambasadori norvegjez. Diplomatët kanë nevojë për gazetarët njësoj sikur që gazetarët kanë nevojë për diplomatët, por këto raporte mund të qëndrojnë vetëm në bazë të besimit reciprok që të mos publikohen gjërat për të cilat mediat kanë dhënë fjalën se nuk do ta keqpërdorin, tha pos tjerash ambasadori norvegjez në Kosovë.
Lutfi Dervishi, analist dhe profesor i gazetarisë në Universitetin e Tiranës bashkëbisedoi me studentët mbi temën “Etika online – rikthimi i gjuhës së urrejtjes”. Ai me shembuj konkretë analizoi përparësitë e mëdha por edhe mangësitë e gazetarisë online e cila po keqpërdoret për qëllime të ndryshme, andaj kërkohet kodifikimi i rregullave ndërkombëtare për rregull në këtë rrafsh.
Andrey Essin, nga Zyra e Këshillit të Europës në Kosovë, informoi studentët e gazetarisë me një sërë rekomandimesh të Këshillit të Europës lidhur me mediat e në veçanti për luftën kundër gjuhën së urrejtjes në media.
Teuta Zubaku nga Komisioni i Pavarur për Media, ligjëroi mbi etikën dhe rregullimin e mediave audivizuale në Kosovë.
Në fund të modulit të dytë të shkollës së gazetarisë, Imer Mushkolaj, kryetar i bordit të KMShK-së, simuloi një mbledhje të bordit ku studentët diskutuan dhe morën vendime lidhur me disa ankesa.
Shkolla e ardhshme (Moduli I) pritet të mbahet në vjeshtë të këtij viti./rajonipress/


