Uji Dea

Përmbledhje me poezi të zgjedhura

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga libri “Në secilën hije pak dritë” (IWA Bogdani, Prishtinë, janar 2019)

Anton Marku

Vjenë, 10 mars 2019

GJENEZA
Ditën që u zu dielli
për të parën herë
jeta u fërkua me vdekjen

vrimave të zeza
heshtja i shtriu duart
ta prek fundin

vorbujve
e përdrodhi era
si një avull ujërash
të përvëluar

koha e përplasi
në tokën e askujt

para syve i kaluan
flluska drite
drithnaja

larg
ca dyer të hapura

fjala
nga lart rrëshqiti

para gjunjëve të qiellit ra

jetës gji i dha.

MOLLË E EVËS
Mollë e mëkatit
u shkëput e ra
në dorën e saj

ajo
nuk deshi ta kafshojë
por Adami i tha

duart u mbetën
varur degëve

jeta u përdrodh
nëpër dhëmbë

këmbët i mblodhi
dhe u nis botërave

koha filloi
të gërryejë vetveten
orët t’i numërojë.

GJUNJËZUAR
E djeshmja
nuk po lejohet
të varroset

nga e sotmja
në të nesërmen
shfletoj
kohëra
si në një libër besimi

hijen time
hedh mbi supe
dhe i druhem

e nisem
largësive
fijet e zërit tim
t’i lidh nyje.

PORTRET
Kur gjithçka nisi
nuk kishte kufij
as mure,
kishte vetëm fillime

para nesh
u hap
një portë e re

ne hymë brenda
dhe u humbëm
eshtrave të atdheut

fati pa
letrat tona

diçka e padukshme
na barti dimrave

pa na pyetur:
-sa do të zgjasë
përjetësia.

DUARTHATË
Më shumë po dhembin mëkatet
se sa plagët
nga gurët në gjoks

shpirti i mirë
në trupin e keq
vuan

nga fantazmat
do të ikë

mjegullave fshihet
fytyrë e skuqur

UBT

duarthatë
e kalon urën
përskaj fajit.

RRËNJË
Në librat e shenjtë
gjendet apo fshihet
e vërteta?

Çka erdhi
e çka jo
nga qielli?

Cila dorë i shkroi
ato që nuk u thanë?

Si i gjeti rrugët fjala
nga goja në gojë
deri tek ne?

Në këtë,
apo atë botën tjetër
do digjen
të fjeturit?

FJALA
Vdes
njëqind herë në ditë
e prapë ringjallet

përgjithmonë
përjetësisht
pafundësisht.

QIRIU I BARDHË
E mira dhe e keqja
takohen shpesh

në secilën hije pak dritë
në secilën dritë pak hije

para mijëra viteve
yjet nisën të puthin
buzët e shpirtrave të etshëm

që nga atëherë
engjëjt u dënuan
të mos mund të ëndërrojnë më

vetëm njerëzve
fati u troket mbi shpatulla

çdo ditë.

KRYQI
Në këtë botë vdekatarësh
jo të gjithë janë heronj
as shenjtorë

lum ata
që gjenden
aty ku duhet

mos qofsha
në lëkurën e atyre
që zvarriten
pellgjeve.

SHKUARJA
E di
se nuk të mund dot
andaj
nuk ta kam frikën

kurdo që të duash
më merr

por më parë
më le të jetoj

pjesën time të rrugës
ta bëj

duke ecur
kurrizit të jetës
në këmbët e mia.

I PENDUARI
Tërë jetën bredha kotësirave
derisa të takova
në librat e shenjtë
në lutjet e të premteve
në predikimet e të dielave

në gjuhën time më fole
në më të mirën gjuhë

sa afër të paskam pasur
e nuk e paskam ditur

më fal
për vitet e mykura
që jetova pa ty

vetëm
mes njerëzve si unë.

Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore e të mesme i mbaroi në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Fakultetin juridik e përfundoi në Universitetin e Prishtinës ndërsa në Vjenë studimet master në shkencat politike.

Ka 10 vite që jeton dhe punon në Austri.
Me shkrime letrare ka filluar të merret qëkur ishte nxënës. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar nëntë libra me poezi, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune:
1. ‘‘Cikloni i dashurisë’’ (2000)
2. ‘‘Gjurmë mbi hije’’ (2002)
3. ‘‘Dielli i mesnatës’’ (2004)
4. ‘‘Vizioni blu’’ (2010)
5. ‘‘Në duet me vetveten’’ (2012)
6. ‘‘Ishjut e jetës’’ (2018)
7. ,,Du meine Stimme’’ (“Ti, zëri im”, 2018)
8. ‘‘The islands of life’’ (‘‘Ishujt e jetës’’,2018)
9. ‘‘Në secilën hije pak dritë’’ (2019)

Ai po ashtu është prezantuar edhe në disa antologji në Austri dhe Gjermani, si në: ,,Man fragt mich, ob ich bin (2009); ,,Stadtschattierungen’’ (2015); ,,Words and Worlds‘‘(2016); “Liebe” dhe “Wir, bewegende Steine” (2017); “Ausgewählte Werke XXI”, “Anima” dhe “Ein Tag meines Lebens” (2018); revistat “Zwischenwelt” 2014), “Aktuell”(2017), “Literarisches Österreich” (2017) dhe “Literamus 45” (2018), si dhe në disa antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim.

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë,i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës “Words and Worlds”, i klubit letrar në Vjenë “Der Kreis”, Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”, Bruksel. /rajonipress/